Udhëtimet zyrtare dhe mëditjet e luksit

11/06/2018 11:16 AM 0 komente

Udhëtimet zyrtare jashtë vendit, mëditjet dhe numri i madh i të përfshirëve nëpër delegacione zyrtare, i kushtojnë buxhetit të Kosovës shuma të majme parash, që sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, përbën një luks më vete.

Zyrtarët e shtetit më të varfër në Evropë edhe një dekade pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, vazhdojnë të shpaguhen me dokumentet e “siç quheshin dikur të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes”, që ishin hartuar dhe fuqizuar në kohën e administratës së Kombeve të Bashkuara, përkatësisht UNMIK-ut.

Për shkak të jotransparencës dhe mungesës së kontrollit të shpenzimeve, udhëtimet zyrtare dhe mëditjet, jo rrallë keqpërdoren nga zyrtarët, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare.

Me paratë e buxhetit, këta zyrtarë, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, marrin me vete këshilltarët, asistentët apo në disa raste edhe anëtarët e familjeve të tyre për t’i kryer obligimet zyrtare dhe për të “shijuar luksin”, duke u akomoduar nëpër hotele të shtrenjta në vende të ndryshme të botës.

Njëherësh, për këto udhëtime, ata marrin edhe mëditje të mira nga buxheti, përkatësisht taksapaguesit e Kosovës.

Artan Murati, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se është absurde që ende është në fuqi lista e mëditjeve e hartuar qysh në kohën e administratës së UNMIK-ut, në vitin 2004.

Në bazë të kësaj rregulloreje, vlera e tarifave të mëditjeve për udhëtime zyrtare jashtë vendit, mëditjet janë më të larta për vizitat që bëhen nëpër vendet që shtrihen në hartën gjeografike më afër Kosovës.

“Këtu mund të vërejmë diskrepancën e madhe në shumën e mëditjeve që marrin zyrtarët qeveritarë. Më tepër marrin mëditje për një udhëtim në Shqipëri sesa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është absurde që shuma më e lartë e mëditjeve të jetë për në Shqipëri. Por, kjo është bërë enkas vetëm e vetëm për të përfituar sa më tepër, pasi numri më i madh i takimeve deri më tani është zhvilluar në Shqipëri”, tha Murati për Radion Evropa e Lirë.

Në bazë të kësaj rregulloreje, qëndrimi për vizitë zyrtare në Shqipëri, me një shpenzim ditor prej 209 eurosh bëhet më i leverdishëm sesa ai në Kanada, ku pavarësisht distancës, zyrtarët parashihet të paguhen me 180 euro në ditë.

Kurse në një vend tjetër, në Evropë, si në Austri apo Danimarkë, qëndrimi brenda një dite për një zyrtar kosovar është 198 euro, respektivisht 179 euro, kurse në Gjermani 255 euro, përderisa në Australi 160 euro.

Ndërkaq, mëditjet që kalojnë shumën prej 320 eurosh janë ato në Itali, Japoni dhe Izrael, ndërsa në Gjeorgji vizitat janë më shtrenjta, ku zyrtarët paguhen me nga 400 euro.

Në këtë listë ende figuron edhe Jugosllavia, e cila tashmë nuk ekziston si shtet, ku parashihet mëditja prej 204 eurosh në ditë.

 

/Radio Evropa e Lire/

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz