Flet Profesor Arben Malaj, rektor i Universitetit “Luarasi”: Sa më e thellë dhe e menjëhershme të jetë ulja e taksave, aq më i madh është risku që rritja e pritshme ekonomike të mos arrihet, që të ardhurat e humbura nga ulja drastike e taksave të mos kompensohen dhe për pasojë, aq më i madh është risku i një krize të re të stabilitetit financiar, pa të cilin nuk ka prosperitet ekonomik.
Profesor Arben Malaj, rektor i Universitetit “Luarasi”, analizon platformat ekonomike të partive kryesore. Ai thotë se nga studimet e politikave publike është arritur konkluzioni se niveli dhe struktura e taksave krijojnë premisa për zgjerimin e rritjes ekonomike, por nuk e garantojnë atë. Kur nuk rritet ekonomia, ulja e taksave prodhon shtim të deficitit buxhetor dhe borxhit publik. Më tej, rritja e deficitit buxhetor dhe borxhit publik imponon shkurtime të shpenzimeve dhe sidomos atyre të mbështetjes sociale dhe investimeve publike. Malaj thotë se, profesionalisht, sa më e thellë dhe e menjëhershme të jetë ulja e taksave, aq më i madh është risku që rritja e pritshme ekonomike të mos arrihet, që të ardhurat e humbura nga ulja drastike e taksave të mos kompensohen dhe për pasojë, aq më i madh është risku i një krize të re të stabilitetit financiar, pa të cilin nuk ka prosperitet ekonomik. Ai propozon si modelin më të mirë ekonomik atë që bazohet te rritja e produktivitetit, te politikat dhe reformat strukturore, sektoriale dhe territoriale, që lehtësojnë, thjeshtëzojnë dhe reduktojnë kohën dhe koston për të hapur, për të zhvilluar dhe për të mbyllur një biznes.
Zoti Malaj, sa të realizueshme i shihni ju programet ekonomike të partive kryesore politike?
Në thelbin e programeve ekonomike të tre partive kryesore politike, PS, PD dhe LSI, është vendosur rritja e mirëqenies.
Natyrshëm, jo vetëm bazuar në dallimet ideologjike, ato kanë ndryshime të konsiderueshme lidhur me rrugët që synojnë për të rritur të ardhurat e disponueshme të shqiptarëve.
Ky tregues i të ardhurave të disponueshme mban parasysh edhe efektin e taksave mbi të ardhurat bruto.
Burimi kryesor i rritjes së të ardhurave, i uljes së papunësisë dhe varfërisë është punësimi, prandaj të tre partitë politike e kanë përqendruar konkurrimin midis tyre se sa vende pune do të hapin.
Duke qenë se edhe në vendin tonë, burimi kryesor i vendeve të reja të punës është sektori privat, partitë politike duhet të qartësojnë efektin pozitiv të reformave konkrete që lehtësojnë hapjen e vendeve të reja të punës.
Përgjithësisht partitë politike po synojnë hapjen e vendeve të reja të punës, duke u fokusuar tek ulja e taksave, me argumentin se ulja e taksave sjell rritje ekonomike dhe rritja ekonomike realizohet kryesisht nga vendet e reja të punës.
Në fakt, argementet që jepen më poshtë mbi debatin publik për efektin e uljes së taksave në rritjen ekonomike dhe rritja e punësimit paralajmëron të bëhet kujdes me ulje të arsyetuar jo mirë të taksave, sepse kjo nuk garanton rritje ekonomike.
Kur nuk rritet ekonomia, ulja e taksave prodhon rritje të deficitit buxhetor dhe borxhit publik.
Rritja e deficitit buxhetor dhe borxhit publik imponon shkurtime të shpenzimeve dhe sidomos atyre të mbështetjes sociale dhe investimeve publike.
Në situata të përkeqësimit të kohezionit social dhe rritjes së borxhit për brezat e ardhshëm, bëhet imediate rritja e taksave.
Përvoja e vendeve në krizë si Greqia, Spanja dhe Portugalia, por edhe realiteti i financave të vendit tonë në vitet e krizës globale vërteton këtë rregull fiskal.
Këtë konkluzion kanë arritur edhe studiuesit e Brookings Institute në SHBA, nga përvoja e dështuar e uljes së taksave në shtetin e Kansasit të qeverisur nga republikanët.
Argumentet e tyre kryesore kur bënë uljen e taksave ishin se (i) ulja e taksave sjell rritje ekonomike dhe (ii) diferencimi i taksave do të rrisë bizneset specifike.
Në studimet e politikave publike është arritur konkluzioni se niveli dhe struktura e taksave krijojnë premisa për zgjerimin e rritjes ekonomike, por nuk e garantojnë atë.
Të djathtët promovojnë politikat e “supply side”, qeverinë e vogël të cilën e synojnë, duke shkurtuar taksat, çka sjell mosfinancimin e shërbimeve dhe funksioneve publike.
Modeli nordik i rezistoi më mirë krizës globale.
Guvernatori republikan i Kansasit, në fillim të mandatit, uli dhe diferencoi taksat, por dështoi në zgjerimin e rritjes ekonomike, nuk mundi t’i shkurtonte më shpenzimet buxhetore dhe në mes të mandatit ndërmori hapin e kundërt, duke i rritur taksat që uli.
Nga ky rast, studiuesit e politikave publike të Institutit Brookings në Washington DC (https://www.brookings.edu/), konkluduan me tre rekomandime për Presidentin Trump, në lidhje me fushatën e tij të uljes së taksave.
- Ulja dhe diferencimi i taksave nuk garanton rritje ekonomike.
- Taksat favorizuese për biznese të caktuara nxisin evazionin dhe nuk sjellin rritje të të ardhurave.
- Taksapaguesit i paguajnë taksat nëse ata shikojnë një lidhje pozitive midis taksave që paguajnë dhe cilësisë së shërbimeve që u sjell.
Konkluzioni i tyre është që leksioni i Kansasit mund të jetë një shembull shumë i mirë për atë që qeveritë nuk duhet të bëjnë gabim për rritjen e prosperitetit ekonomik.
Ne kemi vënë re se partitë kryesore kanë në thelb uljen e taksave dhe rritjen e shpenzimeve. A kemi burime të mjaftueshme për të gjeneruar këto platforma?
Profesionalisht, sa më e thellë dhe e menjëhershme të jetë ulja e taksave, aq më i madh është risku që rritja e pritshme ekonomike të mos arrihet, që të ardhurat e humbura nga ulja drastike e taksave të mos kompensohen dhe për pasojë, aq më i madh është risku i një krize të re të stabilitetit financiar, pa të cilin nuk ka prosperitet ekonomik. Rritjet ekonomike me shtim të borxheve individuale, bizneseve dhe të qeverive rezultuan të dështuara.
Kjo sepse rritja e deficitit buxhetor dhe borxhit publik do të vrasë rritjen ekonomike nga shkurtimet e detyruara të shpenzimeve, ku prioritare që shkurtohen janë fondet sociale dhe investimet publike.
Të shpresojmë që disa elemente të platformave ekonomike elektorale të mos jenë programet e qeverisë së të ardhmes së shqiptarëve.
Cili do të ishte modeli më i mirë fiskal dhe ekonomik për t’i siguruar vendit një rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë?
Modeli më i mirë ekonomik është ai që bazohet te rritja e produktivitetit, te politikat dhe reformat strukturore, sektoriale dhe territoriale që lehtësojnë, thjeshtëzojnë dhe reduktojnë kohën dhe koston për të hapur, për të zhvilluar dhe për të mbyllur një biznes.
Politikat publike duhet të fokusohen në rritjen e cilësisë së arsimit, shëndetit, rritjen e kërkimit shkencor dhe novacionit, ndërsa promovimi i biznesit shqiptar dhe të huaj, është rruga kryesore dhe e qëndrueshme për rritjen e punësimit, reduktimin e papunësisë, varfërisë dhe rritjes së kohezionit social.
Nuk ka formula magjike dhe aq më pak nuk ka një model ekonomik që i shkon për shtat çdo vendi.
Realiteti social dhe politik, kultura shoqërore dhe institucionale, përmirësimi i funksionimit të shtetit ligjor, reforma në gjyqësor, garantimi i të drejtave të pronës, lufta kundër korrupsionit janë pjesë e reformave strukturore që prodhojnë efekte pozitive dhe të qëndrueshme mbi ekonominë, më shumë se çdo garë e uljes së taksave dhe rritjes së shpenzimeve.
Malaj
Modeli më i mirë ekonomik është ai që bazohet te rritja e produktivitetit, te politikat dhe reformat strukturore, sektoriale dhe territoriale që lehtësojnë, thjeshtëzojnë dhe reduktojnë kohën dhe koston për të hapur, për të zhvilluar dhe për të mbyllur një biznes
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.