Si mund t’i sigurohet një dietë e pasur me proteina, një popullsie që është gjithnjë në rritje e sipër. Ajo që konsumojnë njerëzit ka shumë rëndësi dhe po aq rëndësi kanë edhe produktet me të cilat ushqehen kafshët, shkruan The Economist
Deri në vitin 2050, popullsia e planetit parashikohet të rritet me një të tretën, nga 7.6 miliardë në 9.8 miliardë. Rritja e popullsisë do të shoqërohet edhe me rritjen e kërkesës për konsum. Por teksa njerëzit pasurohen, rriten edhe kërkesat për proteina, veçanërisht për mish dhe peshk. Për shembull, vetëm gjatë dekadës së ardhshme, konsumi i mishit në Azi, pritet të rritet me 44%.
Rritja e kafshëve për konsum ka efekte të mëdha në mjedisin e botës. Numri i fermave të kafshëve shënoi rritje të lartë gjatë shekullit të 20. Më shumë se 20 miliardë pula, 1.5 miliardë bagëti dhe 1 miliard dele janë ende gjallë në ditët e sotme. Një e katërta e tokës së botës përdoret për kullotjen e tyre. Ato konsumojnë rreth 30% të produkteve të mbjella në të gjithë botën, por jashtëqitjet e tyre nuk janë aspak të dëmshme për klimën. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, blegtoria është përgjegjëse për 14.5% të të gjitha gazeve serrë antropogjenë.
Por si mund të arrihet që i gjithë planeti ynë të ushqehet në mënyrë të qëndrueshme?
Një sërë përgjigjesh përqendrohen rreth idesë që njerëzit duhet të binden që të hanë produkte të shumëllojshme.
Vegjetarianët, për shembull, e kanë më të thjeshtë nga të gjithë të tjerët, por duhet një përpjekje më e madhe për t’i bindur njerëzit në Afrikë se nuk duhet të hanë vetëm kasava (e ngjashme me pataten) dhe produktet e bëra prej saj.
Nxitja e njerëzve për të konsumuar më shumë peshq në vend të mishit është një përgjigje më e mirë. Konsumi njerëzor për produktet e detit, kryesisht peshkun, e ka kapërcyer aktualisht konsumin e mishit të viçit. Por pothuajse 90% e rezervave me peshq të egër po boshatisen më shumë sesa duhet, përtej limiteve, ndërsa peshqit e kultivuar të tillë si salmon në të shumtën e rasteve, po ushqehen me peshq të vegjël të kapur në det.
Një ide e re është ajo që perëndimorët të hanë më shumë insekte, të cilat përmbajnë deri në tre herë më tepër proteina se mishi i viçit dhe përbëjnë një pjesë integrale ose shtesë të dietave deri në 2 miliardë njerëz, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë. Por, që kjo të ndodhë, shumë do të duhet të kapërcejnë faktorin “e neverisë”.
Një tjetër grup përgjigjesh përqendrohen në përdorimin e teknologjisë për të krijuar proteina artificiale.
Investitorët si Bill Gates dhe Richard Branson kanë mbështetur startup-et që merren me prodhimin e mishit artificial, qelizat e kafshëve të tilla si viçi apo shpendëve të ndryshëm. Tyson Foods, një përpunues i mishit, është një tifoz i pazakontë i proteinave me bazë bimore. Shkencëtarët gjithashtu po marrin në konsideratë modifikimet gjenetike të kafshëve, për të rritur muskujt e gjedhëve ose për të zvogëluar infeksionet midis peshqve të kultivuar.
Risi të tilla si këto kanë potencial të madh, nëse ato do të mund të industrializoheshin dhe të fitonin konsumatorët e kujdesshëm. Por të ndryshosh menynë me të cilën njerëzit janë mësuar të hanë nuk është rruga e vetme e duhur për të ushqyer në mënyrë të qëndrueshme një popullatë në rritje.
Një tjetër mënyrë, edhe pse më pak e qartë, është ndryshimi i produkteve me të cilat ushqehen vetë kafshët në radhë të parë. Dhe pikërisht këtu, teknologjia mund të ketë ndikim më të madh.
Një burim përmirësimi qëndron në përdorimin më efikas të produkteve për të ushqyer kafshët. Përhapja e mullinjve që përpunojnë grurin po sheh ndikim të madh në vende si Afrika. Të dhënat intensive në fushën e bujqësisë po ndihmojnë në përmirësimin e rendimentit bujqësor të bimëve ushqyese si soja, duke monitoruar me kujdes përdorimin e ujit dhe të plehut.
Konsumimi i produkteve pa vlera ushqyese dhe pastaj me vrap drejt dietave ushqimore
Një qasje më radikale është ndryshimi i dietave të kafshëve. Edhe përpjekjet për të zvogëluar sasinë e peshkut të përdorur si ushqim në akuakulturë po tregojnë efektet e para. Në vitin 1990, 90% e ushqimit për salmonin në Norvegji do të ishte me peshq të vegjël të kapur në det, por deri më 2013, përdorimi më i madh i produkteve bimore e zvogëloi këtë shifër në 30%.
Por mund të bëhet edhe më shumë.
Cargill, një gjigant bujqësor në partneritet me Calysta, një firmë kaliforniane, prodhon ushqim nga gazi natyror.
Pasi ushqehen me metan, bakteret e njohura me emrin “metanotrophs”, mund të shndërrohen në proteina që më pas të përdoren për ushqim për peshqit dhe bagëtitë. Insektet janë gjithashtu një opsion i mirë.
Insektet dhe kërmijtë mund të rriten me pleh organik, në vend të drithërave dhe pastaj të shndërrohen në ushqim për bagëtitë, pulat dhe peshqit.
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, ka paralajmëruar se deri në vitin 2050, planetit do t’i duhet të prodhojë 70% më shumë ushqim sesa në vitin 2009 dhe ideja për të konsumuar mish, që është prodhuar në laborator, mund të vihet në praktikë, por gjithsesi rruga drejt qëndrueshmërisë së ushqimit kalon fillimisht nëpër stomakun e kafshëve, prandaj këtu ne duhet të tregohemi më të kujdesshëm, t’i japim rëndësi të veçantë produkteve me të cilat i ushqejmë kafshët.