Midis liderëve të biznesit dhe konservatorëve të vijës së ashpër, një Brexit më i lehtë fiton terren politik
Me një qeveri të konservatorëve në pushtet, biznesi britanik duhet të ishte i kënaqur e, megjithatë, një pjesë e madhe e tyre nuk janë. Në vitin e parë të pushtetit të Theresa May, shumë biznesmenë u ankuan se zëri i tyre nuk po dëgjohej, shkruan The Economist. Situata u përmirësua disi në momentin që z. May humbi shumicën në zgjedhjet e vitit të kaluar. Por pjesa më e madhe e biznesmenëve thonë se fjala e tyre nuk po dëgjohet. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur flitet për Brexit, shqetësimin e tyre më të madh.
Kohët e fundit, pesë prej lobeve më të mëdha të biznesit bashkuan forcat për të paralajmëruar se përparimi i ngadaltë në bisedimet në Bruksel ishte duke i detyruar firmat të planifikonin një rezultat më të keq, duke humbur përfitimet e një periudhe kalimtare, pasi Britania të largohet nga Bashkimi Europian në marsin e ardhshëm. Letra e tyre erdhi pas një deklarate nga Airbus, ku thuhej se ai mund të largohej nga Britania në rast të një Brexit pa marrëveshje.
Edhe disa prej prodhuesve më të njohur të makinave si BMW dhe Honda, u grupuan, duke shprehur shqetësimin se largimi nga bashkimi doganor dhe tregu i vetëm i BE-së do të prishte zinxhirët e furnizimit. Por ajo çka bëri më shumë përshtypje në këtë kontekst ishte mungesa e mbështetjes së këtyre bizneseve nga përkrahësit e Brexit. Jeremy Hunt, ministri i Shëndetësisë, e cilësoi deklaratën e Airbus “të papërshtatshme”. Boris Johnson, ministri i Jashtëm thuhet se i është drejtuar biznesit me shprehjen “në djall të shkojë”, të cilën ai më vonë e ka justifikuar duke thënë se nuk i drejtohej vetëm biznesit, por edhe lobistëve që po bëjnë shumë zhurmë në këtë situatë.
Me një luftë të hapur ndaj kabinetit mbi politikën fiskale, si dhe ndaj Brexit, shumë biznese ndihen të papërfaqësuara nga asnjë parti. E vërteta është se situata nuk është kaq e zymtë, sepse lobimi i biznesit, veçanërisht mbi Brexit, ka pasur ndikimin e tij. Znj. May i kritikoi ministrat e saj, duke këmbëngulur se kompanitë kishin të drejtën e fjalës. Të parët që reaguan dhe u treguan të gatshëm për të dëgjuar ishin Greg Clark, ministri i Biznesit dhe Philip Hammond, sekretari i Thesarit të Shtetit. Presioni nga grupet e biznesit për të ruajtur tregtinë të pacenuar, duke qëndruar brenda bashkimit doganor të BE-së, mesa duket ka rezultuar pozitiv, sepse është bërë e qartë se mbështetësit e Brexit të vijës së ashpër duket se po e humbasin luftën në kabinet.
Logjika e ndjekur nga znj. May për të shmangur një kufi të ashpër me Irlandën është se Britania do të qëndrojë në bashkimin doganor dhe në sistemin rregullator të BE-së edhe pas periudhës kalimtare që pritet të përfundojë në dhjetor të vitit 2020. Brukseli është në dijeni të një veprimi të tillë. Liderët e BE-së, të cilët u takuan në një samit më 28 dhe 29 qershor, e kanë kritikuar vonesën e znj. May në përcaktimin e asaj që ajo dëshiron të përfitojë nga Brexit. Por gatishmëria e tyre për t’i dhënë asaj më shumë kohë reflekton faktin se ajo po shkon më shumë drejt një Brexit më të butë. Më 9 korrik, pritet të publikohet një dokument me të gjitha detajet e Brexit.
Sipas disa zërave të brendshëm thuhet se, një ndër propozimet kryesore do të jetë qëndrimi brenda tregut të vetëm të BE-së për mallrat dhe jo për shërbimet, i kombinuar edhe me një bashkim doganor, që njihet ndonjëherë si opsioni “Jersey” ose “Isleof Man”, pasi ajo është gjerësisht pozita e këtyre ishujve sot. Për të mos acaruar konservatorët e vijës së ashpër, dokumenti me detajet përfundimtare të Brexit mund të paraqitet si një plan i përkohshëm. Kjo mund të mbajë gjallë në teori ëndrrën e divergjencave rregullatore në një datë të paspecifikuar në të ardhshmen, si dhe atë të opsionit të “lehtësimit maksimal” që përdor teknologji të paspecifikuar, jo një bashkim doganor, për të shmangur kontrollet kufitare në ishullin e Irlandës.
Sistemet e njohjes së ndërsjellë ose ekuivalencës rregullatore nuk do t’u japin ofruesve të shërbimeve të njëjtin akses në tregjet e BE-së. Dhe duke qenë në një treg të vetëm për mallra dhe në një bashkim doganor, do ta bëjë shumë më të vështirë arritjen e nënshkrimit të marrëveshjeve tregtare me vendet e treta. Charles Grant i Qendrës për Reformën Europiane, pret që një situatë të shkaktojë dorëheqjet e ministrave gjatë kësaj vere. Z. Johnson, i cili javën e kaluar u tall edhe nga vetë kolegët e tij konservatorë, që shkoi në Afganistan për të takuar zëvendësministrin e Jashtëm pikërisht për të shmangur votimin në lidhje me Aeroportin e Heathrow, pritet të japë dorëheqjen tani që shpresat e tij po shkatërrohen. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me Liam Fox, ministrin e Tregtisë.
Megjithatë, z. Grant vë në dukje ironinë që ekziston në këtë drejtim se, ndonëse humbja e disa prej mbështetësve të vijës së ashpër të Brexit mund të kënaqë Brukselin, BE mund të thotë jo për planet e znj. May për një Brexit më të butë. Një ndër pikat më kritike është lëvizja e lirë. Negociatorët e BE-së thonë lejimi i Britanisë brenda tregut të përbashkët vetëm për mallrat, por pa lëvizje të lirë, është një veprim krejtësisht i pakuptimtë.
Disa mendojnë se znj. May mund të përfitojë koncesione të mëtejshme, duke përfshirë pagesat e larta në buxhetin e BE-së, por mund të rezultojë që kjo gjë të jetë edhe e gabuar. Për më tepër, disa prej vendeve anëtare të BE-së e shohin moslargimin e Britanisë nga tregu i përbashkët vetëm për mallrat si një ide efikase. Një prej tyre është edhe Gjermania, ku sipas një zyrtari në Berlin, bizneset gjermane duan të vazhdojnë patjetër shitjen në tregun britanik dhe padyshim që do ta mirëpresin vendimin.
Lëvizja e lirë mund të jetë ende e paqartë, për këtë arsye duhet të arrihet një kompromis, por jo me liderët e bizneseve, por me mbështetësit e Brexit të vijës së ashpër.