Gjatë vitit 2017 në Zvicër kanë ardhur në jetë 85.000 fëmijë apo 3.3% më pak se gjatë vitit 2016. Mesatarisht një grua i bie të ketë lindur 1.48 fëmijë. Më shumë të lindur ka pasur vetëm në kantonet: Uri, Nidwalden, Jura dhe Lucern.
Këto janë të dhënat më të reja (ende provizore) për vitin 2017 që i ka publikuar pak ditë më parë Zyra Federale për Statistikë (BFS), shkruan albinfo.ch.
Shumica e madhe ose 75.5% të lindjeve janë bërë në kuadrin e familjeve (çifteve të martuara). Ndërsa numri i lindjeve jashtëmartesore ka shënuar një rritje të vogël, nga 24.2% në 24.5 brenda periudhës së përmendur.
Po ashtu në vitin 2017 ka pasur një rënie të numrit të martesave. Kështu, nëse në vitin 2016 në Zvicër ishin martuar 41.600 çifte, në vitin 2017 ky numër ka rënë në 39.800, që është për 4.5% më pak. Rënie kanë shënuar si martesat në mes të shtetasve të Zvicrës (minus 9.1%) ashtu edhe martesat e përziera. / albinfo.ch