Singapore Airlines është shpallur linja ajrore më e mirë në botë për vitin 2018 nga faqja zyrtare e Skytrax që merret me klasifikimin e linjave ajrore.
“Singapore Airlines është i nderuar që ka marrë çmimin e Skytrax si linja ajrore më e mirë në botë dhe këtë çmim dua t’ua kushtoj 26,000 punonjësve të grupit SIA që punojnë çdo ditë me përkushtim për t’u mundësuar klientëve tanë përvojën më të mirë të udhëtimit”, deklaroi kreu i Singapore Airlines, Goh Choon Phong.
“Ky vlerësim do të na motivojë edhe më tepër për të përmirësuar tre shtyllat kryesore për të cilat është zotuar marka jonë – lidershipi i produktit, përsosmëria në shërbim dhe lidhja e rrjetit – në mënyrë që të sigurohemi për të ruajtur avantazhin tonë konkurrues dhe të vazhdojmë t’i përmbushim dhe tejkalojmë pritshmëritë e klientëve tanë”.
Linja ajrore me seli në Singapor u vlerësua me çmimin të martën, në një ceremoni në Londër.
Kjo është hera e katërt që SIA merr vlerësimet më të larta nga World Airline Awards. Ajo ka fituar edhe në vitet 2004, 2007 dhe 2008.
Në përgjithësi, linjat ajrore aziatike janë elita që mbizotëron në renditjet e Skytrax – duke zënë 9 nga 10 vendet e para.
Nga ana tjetër, asnjë linjë ajrore amerikane nuk hyri dot në top 35. Renditjen më të lartë e arriti Delta, e radhitur në vendin e 37-të.
Renditjet e Skytrax mbështeten në përshtypjet e 20.36 milionë udhëtarëve nga më shumë se 100 shtete. Sondazhi pa pagesë që mbuloi më shumë se 335 kompani ajrore, bëri matjet duke u mbështetur në 49 parametra, duke filluar nga procedurat e hipjes në bord, në rehatinë e sediljes dhe cilësinë e shërbimit.
Këto janë 20 linjat ajrore më të mira në botë, sipas rezultateve të sondazhit të Skytrax:
20. Hong Kong Airlines
19. KLM
18. Turkish Airlines
17. Air New Zealand
16. Austrian Airlines
15. Etihad Airways
14. China Southern Airways
13. Japan Airlines
12. Swiss International Air Lines
11. Qantas
10. Thai Airways
9. Garuda Indonesia
8. Hainan Airlines
7. Lufthansa
6. Cathay Pacific Airways
5. EVA Air
4. Emirates
3. All Nippon Airways (ANA)
2. Qatar Airways
1. Singapore Airlines
Burimi: Business Insider