AKEP shtyn sërish rregullimin e tregut celular

23/02/2015 3:06 PM 0 komente

Bordi i ri drejtues i AKEP nuk arrin konsensusin për zbatimin e vendimeve të vetë AKEP për rregullimin e tregut. Paradoksi ligjor i një vendimi që nuk zbatohet, pavarësisht se mbetet në fuqi, çdo vonesë shkatërron konkurrencën dhe monopolizon tregun

Bordi i ri drejtues i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike ka vendosur në mbledhjen e fundit të datës 19 shkurt 2015 të shtyjë zbatimin e vendimeve për rregullimin e tregut sipas analizës së tregut të telefonisë celulare. Burimet nga AKEP bëjnë të ditur se nuk është arritur në një konkluzion të qartë për fillimin e zbatimit të vendimeve 2522-2526 të datës 6 nëntor 2014, për rregullimin e tregut të telefonisë celulare si sa i përket shumicës (terminimit) ashtu dhe pakicës (barazimit të tarifave dhe minutave brenda me jashtë rrjetit).

Është paradoksale nga pikëpamja juridike se si organi rregullator AKEP nuk arrin të zbatojë as vendimin e vet për masat rregulluese të barazimit të tarifave të thirrjeve brenda dhe jashtë rrjetit (ose siç quhen ndryshe tarifat on-net dhe off-net), për të gjithë operatorët si dhe barazimin e sasive të minutave brenda rrjetit, të përfshira në oferta apo plane tarifore, me sasinë e minutave të ofruara drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare.

Në fakt, aplikimi dhe zbatimi i këtyre vendimeve duhet të fillonte që nga dhjetori 2014 dhe janari 2015, por deri më tani, në mënyrë absurde, për herë të parë në historinë e këtij tregu në Shqipëri, nuk është zbatuar nga operatorët. Absurde nga pikëpamja juridike, sepse një vendim i organit administrativ AKEP duhet të zbatohet sa kohë është në fuqi dhe nuk është rrëzuar nga ndonjë vendim i formës së prerë i sistemit gjyqësor. Justifikimet për shtyrjen e zbatimit të vendimit janë NUL për sa kohë vendimi është në fuqi dhe është detyrim i operatorëve për ta zbatuar.

Siç mësojmë nga burime brenda AKEP, këto masa rregulluese të vendosura nga AKEP në nëntor të vitit të kaluar për tregun e telefonisë celulare janë kontestuar me një ankim administrativ nga shoqëritë që preken nga zbatimi i tyre (AMC dhe Vodafone), ndërsa janë përshëndetur publikisht nga kompanitë më të vogla Eagle Mobile (AlbTelecom) dhe PLUS. Në fakt, aplikimi i tarifës së terminimit (shumicës) midis operatorëve nuk ka efekt tek abonentët, pasi ai zbatohet në veprimet financiare (faturimin) midis vetë operatorëve celularë, ndërsa aplikimi i barazimit të çmimeve për minutat kombëtare e brenda rrjetit pritet të ketë ndikim në konkurrencën në treg dhe abonentët finalë, duke shtuar opsionet në treg dhe duke sjellë si rezultat rritjen e konkurrencës në treg dhe përfitimet për ta.

Nga po të njëjtat burime bëhet me dije se do të jetë e vështirë që AKEP të ndryshojë qëndrim pas një ankimi të radhës, aq më tepër që vjen në këtë ditë, në zbatim të dy Rezolutave tepër të qarta të Parlamentit (ajo për AKEP dhe për AK) në lidhje me këtë treg edhe pas një Analize Tregu të gjatë e të thellë, gjatë së cilës u konsultuan disa herë operatorët për të marrë objeksionet e tyre, (burimet konfirmojnë për “Monitor” se është normale që të ketë ankimim pas një vendimi të AKEP, pasi operatorët janë të ndjeshëm ndaj akteve të rregullimit e aq më tepër ndaj një akti të tillë ku cenohet profitabiliteti i tyre në dobi të konsumatorit dhe është po aq normale që AKEP të insistojë në qëndrimin e tij, që është në radhë të parë për një treg në funksion të konsumatorit e të konkurrencës së lirë në të).

Mijëra minuta falas brenda kompanisë dhe pagesa jashtëzakonisht të larta (rreth 30 lekë/min) jashtë rrjetit kishin krijuar “fiset/tributë” (efektin e njohur “club”) brenda kompanive duke u bërë një pengesë për konkurrencën dhe zhvillimin e tregut të telefonisë celulare. Deri në dhjetor të vitit 2013, në Shqipëri, mbi 97 për qind e thirrjeve dhe mesazheve për kompanitë e mëdha kryheshin brenda rrjetit, një shifër e krahasueshme vetëm me vendet e botës së tretë, si Kenia apo Tanzania.

Për këtë arsye, numri i abonentëve në Shqipëri arriti në 5.62 milionë, një shifër dy herë më e lartë (200%) se ajo e popullsisë totale dhe të paktën 4 herë më e lartë se e abonentëve potencialë të telefonisë celulare (duke hequr popullsinë deri në 14 vjeç dhe moshat e mëdha mbi 80 vjeç).

AKEP dhe Konkurrenca vunë re se tarifat në vendet e rajonit me zhvillim dhe madhësi të ngjashme me Shqipërinë, në ekonomi dhe sektor celular tregojnë se nuk ka dallime të ndjeshme në tarifa on-net/off-net dhe tarifat standarde janë shumë më të ulëta se në Shqipëri.

 

Barazohen minutat brenda me jashtë rrjetit

Kjo masë pritet të ndryshojë në mënyrë thelbësore ofertat aktuale të kompanive celulare ku vihen re diferencime të tarifave dhe minutave brenda me jashtë rrjetit (p.sh., për një ofertë mujore 1000 lekë jepen 30 minuta kombëtare (jashtë rrjetit) me 3 000 minuta brenda grupit).

Me fillimin e zbatimit të vendimit të AKEP, minutat e ofruara në ofertat javore ose mujore brenda rrjetit do të jenë të barabarta me minutat jashtë rrjetit. AKEP është treguar i kujdesshëm që masat detyruese të zbatohen për të gjitha paketat tarifore standarde, ofertat, shportat, opsionet dhe skontot të ofruara për pajtimtarët.

AKEP sqaron se detyrimi për aplikim të tarifave të njëjta me pakicë on-net/off-net nënkupton që edhe ofertat/shportat/opsionet apo skontot në tërësi duhet të kenë nivel të njëjtë on-net/off-net: tarifa dhe/ose sasi minutash të përfshira në ofertë/pagesë fikse. Aplikimi i detyrimit të mësipërm është i drejtpërdrejtë, i thjeshtë dhe më efikas dhe më proporcional se lidhja e tarifës së terminimit me tarifën mesatare on-net.

Detyrimi i mësipërm, pra, përfshin detyrimin që operatorët të mos bëjnë dallim në minutat e përfshira në oferta, nëse ato janë on-net apo off-net. Kjo do të reduktonte numrin e ofertave që janë të fokusuara për konsum on-net, si dhe në total numrin e ofertave, pasi operatorët do të duhet të jenë më racionalë me ofertat.

Ky ndryshim i politikave tregtare do të sjellë një evolucion dhe dinamikë konkurruese në tregun e telefonisë celulare, një reformë e domosdoshme për të përafruar standardet e tregut të komunikimeve elektronike me tregun e përbashkët europian.

Sipas masave të AKEP, tarifat e terminimit celular në periudha afatgjatë do të shkojnë drejt kostos mesatare afatgjatë për të ridimensionuar tregun e dominuar aktualisht nga një kompani drejt një tregu konkurrues dhe me shumë përfitime për abonentët.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of