Rezultati i PMI arrin nivelin më të lartë në nëntë muaj, duke treguar qëndrueshmërinë e bllokut ndaj krizës energjetike
Aktiviteti i biznesit në Eurozonë u rrit më shpejt se sa pritej në muajin shkurt, duke forcuar rimëkëmbjen nga kriza energjetike e vitit të kaluar, si dhe duke përforcuar thirrjet që Banka Qendrore Evropiane (ECB), të vazhdojë të rrisë normat e interesit për të menaxhuar inflacionin e lartë.
Sipas shifrave të publikuara ditën e martë, indeksi i përbërë i menaxherëve të blerjeve (PMI), nga S&P Global, një matës i aktivitetit në prodhim dhe shërbime, u rrit në 52.3 nga 50.3 në muajin janar.
Rezultati ishte dukshëm më i lartë se 50.6 që pritej nga ekonomistët. Ai ishte gjithashtu mbi pikën 50 për të dytin muaj radhazi, që do të thotë se shumica e bizneseve në BE raportuan rritje të aktivitetit të tyre ekonomik.
“Gjatë muajit shkurt, aktiviteti i biznesit në të gjithë eurozonën u rrit shumë më shpejt se sa pritej, me nivelin më të lartë në nëntë muaj, falë aktivitetit të rigjallëruar të sektorit të shërbimeve dhe një ekonomie prodhuese në rimëkëmbje”, tha Chris Williamson, drejtues ekonomik në S&P Global Market Intelligence.
Ekonomia e Eurozonës ka rezultuar më elastike dhe e fortë ndaj pasojave nga pushtimi rus i Ukrainës, me një dimër të butë që ndihmoi në uljen e konsumit të gazit natyror, uljen e çmimeve të karburantit dhe zhdukjen e frikës nga mungesa e energjisë.
Aktiviteti i biznesit po rikuperohet gjithashtu ndjeshëm në Mbretërinë e Bashkuar, ku indeksi i përbërë i menaxherëve të blerjeve S&P Global/Cips UK, u rrit në nivelin më të lartë në tetë muaj, 53 në muajin shkurt, duke treguar për një recesion më të butë nga sa ishte parashikuar më parë.
Përmirësimi i perspektivës europiane, u pasqyrua në sondazhin mujor të investitorëve nga Instituti ZEW, i cili tha se treguesi i tij i ndjenjës ekonomike për Gjermaninë (economic sentiment indicator), i tejkaloi pritjet duke u rritur me 11.2 pikë në nivelin më të lartë 12-mujor, 28.1 në shkurt.
Shenjat se ekonomia e rajonit ka përballuar më të keqen e krizës energjetike të vitit të kaluar pa pësuar një recesion të thellë, ka të ngjarë të forcojë pritshmëritë se trysnitë e çmimeve do të mbeten të larta për më gjatë, si dhe rritjen e mëtejshme të normave nga BQE.
“Me tregun e punës ende shumë të shtrënguar dhe trysnitë mbi çmime, sondazhet do të përforcojnë bindjen e politikëbërësve të ECB-së, se cikli i tyre shtrëngues ka ende një rrugë të gjatë përpara,” tha Jack Allen-Reynolds, ekonomist në grupin kërkimor Capital Economics.
Që nga rritja e inflacionit vitin e kaluar, banka qendrore ka rritur normat me 3 pikë përqindjeje të paprecedentë dhe është angazhuar për një rritje të mëtejshme gjysmë pikë përqindjeje muajin e ardhshëm.
“Me inflacion kaq të lartë, rritjet e mëtejshme të normave pas muajit mars duken të mundshme, logjike dhe të përshtatshme”, tha për Börsen-Zeitung Olli Rehn, kreu i bankës qendrore të Finlandës dhe anëtar i këshillit drejtues të përcaktimit të normave të ECB. “Unë supozoj se do të arrijmë normën përfundimtare gjatë verës.”
Sondazhi i PMI, bazuar në përgjigjet e mbledhura gjatë datave 10 – 17 shkurt, tregoi një rritje të çmimeve mesatare të shitjes, pasi kompanitë kaluan më shumë nga kostot e tyre më të larta tek klientët. S&P Global tha se kjo ishte “pjesërisht e lidhur me ndikimin e kostove më të larta të pagave”, megjithëse norma u ngadalësua pak nga janari.
Rritja e punësimit u ngadalësua edhe kur bizneset u bënë më të sigurta për perspektivat e tyre dhe pengesat e furnizimit u lehtësuan më tej për të zvogëluar kohën e dorëzimit nga furnitorët.
Kishte një kontrast midis perspektivës së përmirësuar të kompanive të shërbimeve dhe një rëniej më të mprehtë se sa pritej në prodhim, veçanërisht në Francë. Rezultati i PMI për sektorin e shërbimeve arriti në nivelin më të lartë në tetë muaj, ndërsa treguesi për industrinë ra në nivelin më të ulët në dy muaj.
Kishte gjithashtu shenja se inflacioni më i ulët, i cili ka rënë për tre muaj që kur arriti nivelin më të lartë prej 10.6 për qind në tetor për të arritur në 8.5 për qind në janar, po ofron një lehtësim të kostove të lëndëve të para për kompanitë industriale.
Prodhuesit gjermanë raportuan rënien e parë në kostot mesatare të inputeve në më shumë se dy vjet. Megjithatë, çmimet e inputeve vazhduan të përshpejtohen në sektorin e shërbimeve.
“Lehtësimi i trysnive të zinxhirit të furnizimit dhe një rënie e vazhdueshme e çmimeve të energjisë, nënkuptuan që inflacioni i çmimeve të lëndëve të para u zbut”, tha Melanie Debono, ekonomiste në grupin kërkimor Pantheon Macroeconomics. “Megjithatë, firmat i ngritën përsëri ndjeshëm çmimet e tyre.” / Financial Times