Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka bërë një përmbledhje për ecurinë e tregut të pensioneve vullnetare duke nënvizuar se rritja më e ndjeshme shihet pas vitit 2014. Kjo sipas AMF ka të bëjë me ndërgjegjësimin e vazhdueshëm të publikut por edhe maturimit të tregut.
“Tregu i pensioneve private vullnetare ka përvijuar tendenca të shpejta rritje nga viti në vit, si në drejtim të rritje së numrit të anëtarëve pjesëmarrës në fondet e pensionit, ashtu edhe për vlerën e aseteve neto në administrim të fondeve të pensioneve.
Rritja e numrit të anëtarëve është trefishuar në krahasim me fillimet në vitin 2011. Por rritja më e ndjeshme shihet pas vitit 2014. Në fund të vitit 2018 numri i anëtarëve pjesëmarrës në fondet e pensionit është 25,298 pothuajse i trefishuar krahasuar me vitin 2014. Kjo tendencë rritje e pjesëmarrjes në fondet e pensioneve tregon një ndërgjegjësim më të lartë të publikut për potencialin që ofron ky treg.
Paralelisht me këto ritme të larta rritje ka ecur edhe volumi i aseteve neto nën administrim. Analiza e të dhënave tregon edhe rritjen e totalit të aseteve neto të fondeve të pensionit. Vlera e aseteve neto ishte 2,289 milionë lekë në fund të vitit 2018 duke treguar një rritje prej 264% krahasuar me fundin e vitit 2014” thuhet në përmbledhjen e AMF.
Tregu i pensioneve vullnetare pavarësisht ecurisë pozitive vijon të mbetet një treg modest. Kompanitë e sigurimit kanë kërkuar herë pas here që përveç skemës private vullnetare të shtohet edhe kolona e tretë private e detyrueshme çka e bën skemën e pensioneve në vend me tre kolona. Por kjo deri më tani nuk ka gjetur zbatim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.