Agjencia e Prokurimit Publik i ka bërë edhe një herë me dije autoriteteve kontraktore që të veprojnë secili sipas mundësive që kanë. Kjo do të thotë që të gjithë ato insitucione që kanë nevojë të vijojnë me procedura prokurimi dhe kanë mundësi të bëjnë shpalljen apo vlerësimin e ofertave mund ta bëjnë këtë lirisht pasi sistemi është në funksion 24 orë çdo ditë të javës.
Kjo është thirrja e dytë që APP u drejton institucioneve lidhur me procedurat e prokurimeve dhe mënyrën sesi duhet të veprohet rast pas rasti për shkak të situatës së krijuar në vend nga COVID-19 dhe kur një pjesë e administratës po punon nga shtëpia, ka mudnësi të pezullojë procedurat apo në rastet kur i ka të nevojshe zhvillimin e tyre.
“Në vijim të Njoftimit Nr. 2245 Prot., datë 12.03.2020 të Agjencisë së Prokurimit Publik (në vijim “APP”) mbi shpalljen e procedurave të reja të prokurimit publik, apo vijimin e procedurave apo kontratave në proces, në mbështetje të nenit 13 të Ligjit Nr. 9643 datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, APP sqaron si më poshtë vijon:
Autoritetet kontraktore mund të pezullojnë apo shtyjnë afatin e pritjes së ofertave për procedurat e prokurimit që kanë shpallur, nëse për shkak të situatës së krijuar në vendin tonë, vlerësojnë se janë në pamundësi të vijimit normal të punës, ndërkohë nuk ka pengesë për asnjë autoritet kontraktor që të shpallë apo zhvillojë procedura prokurimi, për sa kohë vlerësohet e nevojshme dhe e mundur.
Në kuptim të sa më sipër, në rast se, autoritetet kontraktore vlerësojnë se janë në kushtet të vijojnë me shpalljen e njoftimeve të reja për procedurat e prokurimit në sistemin e prokurimit elektronik, apo me hapjen dhe shqyrtimin ofertave të paraqitura, për procedurat në proces, të vijojnë me punën në sistemin e prokurimit elektronik.
Për këtë qëllim, sjellim në vëmendjen e të gjithë autoriteteve kontraktore dhe operatorëve ekonomikë se, sistemi i prokurimit elektronik është në punë (on line) 24 orë, çdo ditë të javës. Po kështu dhe stafi i APP-së është në dispozicion për çdo kërkesë për asistencë, pyetje apo paqartësi, të cilat mund t’i dërgoni në adresën e-emailit: [email protected]” vlerëson APP.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.