Në fakt, operatorët e tregut prisnin diçka më shumë (të paktën ata që janë fansa të Apple). E në fakt, diçka e re është paraqitur (edhe pse pjesërisht) dhe ka të bëjë me sistemin operativ iOS7. Sa i përket dizajnit mund të thuhet që ka mbetur pothuajse i pandryshuar. Ajo që është e re ka të bëjë me “zemrën” që rreh në brendësi të iPhone 5s, një procesor inovativ A7, 64 bit, potenciali i plotë i së cilës për fat të keq nuk është shpalosur ende. Fotokamera ka pësuar disa ndryshime të vogla sa i përket menaxhimit dhe shoqërohet nga një flesh i dytë i dedikuar për fotot. Inovativ dhe shumë i dobishëm është mbi të gjitha lexuesi i shenjave të gishtërinjve, që përmirëson sigurinë e aparatit. Gjithçka është bërë për të konfirmuar rolin e lidershipit që ka Apple në botën smartfone. iPhone 5S ka pothuajse të njëjtin dizajn si edhe paraardhësi i tij, duke ndjekur filozofinë që Apple po zbaton prej disa vitesh dhe me ndonjë ndryshim të vogël sa i përket germës “S”. Ekrani është vetëm 4 polësh dhe kufizohet nga një kontur në alumin dhe kristal. Ndryshime ka, por janë të papërfillshme, si për shembull unaza shumë e hollë që rrethon butonin “Home” dhe që aktivizon atë të “Touch ID”. Më të dallueshme janë opsionet me ngjyrë, me të shumëpriturin kontur në ngjyrë të artë dhe grinë elegante. Ekrani është ai që jemi mësuar të shohim te iPhone 5, pra Retina me faktor 16:9 e rezolucion 1.136×640 piksel. Për sa u përket përmasave dhe densitetit piksel, Apple nuk është më lider. Sa i përket funksionit Touch ID, bëhet fjalë për një lexues të shenjave të gishtërinjve, që integrohet në një mënyrë të tillë duke e bërë pothuajse të padukshëm, në mënyrë që të mos ndikojë në pastërtinë e dizajnit të modelit.
Cilësia e fotove është gjithmonë një avantazh për iPhone. Rezolucioni i fotokamerës iSight është 8 megapiksel, por sensori ka kaluar nga 1/3,2” në 1/3” me përmirësime të ndjeshme.
Pyetja që lind natyrshëm është nëse janë përmirësuar defektet që iu konstatuan sa i përket autonomisë te iPhone 5. Dhe përgjigjja është se Apple padyshim që ka punuar në këtë drejtim dhe jo vetëm, duke integruar koprocesorin e M7.
Padyshim që ka shumë përmirësim te sistemi i operimit iOS7, kërkim i përmirësuar, rezultate më të larta, organizim më i mirë i aplikacioneve, etj.
Nga ana tjetër, iPhone 5S ofron cilësi shumë të mirë të thirrjeve, kjo falë edhe një mikrofoni dytësor që filtron zhurmat. Për momentin nuk jemi në nivelet e HTC One.
Elementi më kritik i iPhone 5S është çmimi, pasi ai rritet ndjeshëm me zgjerimin e memories, në 849 euro për 32 GB dhe për 64 GB, 949 euro. Natyrisht gjithçka ndryshon nëse rritet kapaciteti, por kjo nuk e justifikon çmimin,
Kush ka provuar përvojën me iPhone 5 nuk do të arrijë të dallojë ndryshime të mëdha, por padyshim që ky aparat mbetet një “top” i gamës.
Pozitive: Performancë e lartë, dizajn modern, fotokamerë cilësore dhe identifikim me prekje
Negative: Ekrani “vetëm” 4 polësh, autonomia e përmirësuar, por rritja e memories paguhet shtrenjtë
Të përgjithshme: Është smartfone më “top” i gamës së “Mollës” me sistem operativ iOS 7, procesor A7 me 64 bit dhe lexues të shenjave të gishtave
Çmimi: 729 euro