Statistika/ Papunësia, T IV 2013
Në tremujorin e katërt të vitit 2013 numri i të papunëve i vlerësuar sipas anketës së forcave të punës ishte 189.230 persona. Shkalla e papunësisë ishte 17 %, duke mbetur pothuajse në nivel të ngjashëm me tremujorin paraardhës i cili ishte 16,9 %.
Vihet re se gjatë këtij tremujori shkalla e papunësisë për meshkujt e moshës 15-64 vjeç pati një rënie prej 0,4 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2013, ndërsa për femrat shkalla e papunësisë lëvizi në kah të kundërt duke pësuar një rritje prej 0,8 pikë përqindje.
Gjatë tremujorit të katërt 2013 shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç u rrit nga 26,9 % që ishte në tremujorin e mëparshëm në 28,1%.
Ndër të rinjtë e papunë 61,7 % ishin të papunë prej një viti a më shumë.
Duke analizuar papunësinë e të rinjve sipas nivelit arsimor të tyre, vlerësohet që 29 % e të rinjve të papunë ishin me arsim të lartë, ku meshkujt e papunë me arsim të lartë përbënin 11 % dhe femrat 18 % të të papunëve gjithsej.
Për popullsinë 30-64 vjeç në tremujorin e katërt të vitit 2013 shkalla e papunësisë ishte 13,5 %.
Shkalla e papunësisë afatgjatë për popullsinë 15-64 vjeç ishte12 % për meshkujt dhe 11 % për femrat.
Përsa i përket mënyrave të kërkimit për punë, personat e papunë u pyetën për 13 alternativa të mundshme të cilat janë të lidhura me hapat specifike të kërkimit aktiv për punë.
Mënyrat që përdoren më së shumti për të gjetur një punë janë aplikimi direkt tek ndonjë punëdhënës (64,6 %), u drejtohen të afërmve, miqve/shokëve (87 %), kontaktojnë Zyrat Publike të Punësimit (28 %), studiojnë lajmërimet në gazeta (18,4 %), vendosin ose u përgjigjen lajmërimeve në gazeta (17,5 %).
Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2013 popullsia e moshës 15-64 vjeç e klasifikuar si ekonomikisht jo-aktive përbënte 41,6 % të popullsisë në moshë pune. Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se ishin nxënës/studentë ose në trajnim përbënin 60,2 % të të rinjve ekonomikisht jo aktivë.
Burimi: INSTAT