Biznesi i mirë i ndërtimit e tenderëve
Norma e lartë e fitimit dhe kthimi i shpejtë janë arsyet kryesore se pse kompanitë rendin pas ndërtimit, si atyre inxhinierike (rrugëve përmes tenderëve) ashtu dhe rezidenciale. Ato raportojnë një panoramë të kënaqshme financiare dhe norma fitimi dyshifrore.
Ndonëse ritmet e rritjes së këtij sektori u ngadalësuan në vitin 2018, fitimet kanë mbetur të qëndrueshme për pjesën më të madhe të kompanive kryesisht në punimet inxhinierike. Në të kundërt, sektori rezidencial ka raportuar rënie të normave.
Kompanitë me aktivitet në ndërtimin e rrugëve dhe punëve publike, që vitet e kaluara nuk arrinin më shumë se 25% normë fitimi, tashmë e kanë rritur marzhin dhe, në disa raste, deklarojnë më shumë se 30%, në një tregues indirekt të uljes së konkurrencës reale në garat publike.
“Gjoka Konstruksion”, kryesisht në fushën e ndërtimeve inxhinierike, ka kaluar në operatorin me fitime më të mëdha në këtë sektor në 2018-n, me 2.1 miliardë lekë, më se dyfishim dhe arriti një normë rekord prej 33%.
“ManeTCI”, pjesë e grupit Balfin, është e dyta në renditje sa u përket fitimeve në vlerë absolute, që arritën në 1.1 miliardë lekë, me një normë prej gati 18%. Teksa grupi është larguar nga ndërtimet në kryeqytet, “ManeTCi” po zhvillon kryesisht projekte në bregdet.
“Alb Building”, në fushën e ndërtimeve inxhinierike dhe rezidenciale, që vitin e kaluar ishte me fitimet më të larta në vlerë absolute, ka kaluar e treta, kur pa një rënie të lehtë të rezultatit financiar, me 10%, në 966 milionë lekë. Por, norma e fitimit u rrit me katër pikë përqindje në 33%, duke e renditur ndër sipërmarrjet me kthyeshmëri më të lartë në këtë segment. Grupi është diversifikuar dhe në prodhimin e energjisë, nëpërmjet ndërtimit të hidrocentraleve, me Alb-Energy, që raportoi një normë fitimi rekord prej rreth 77%.
“Alb-Star” pesëfishoi fitimet në 506 milionë lekë.
“Albanian Highway Concession”, koncesionari i rrugës Durrës-Kukës, është një hyrje e re te kompanitë e ndërtimit, duke raportuar që në vitin e parë jo të plotë të aktiviteti, një normë prej 32%.
Për ndërtesat rezidenciale, normat e fitimit janë shumë të luhatshme. Në varësi të ciklit të shitjes së apartamenteve mund të arrijnë edhe në mbi 50%.
Operatorët që panë ngadalësim të të ardhurave në 2018-n, pas lulëzimit një vit më parë, raportuan dhe një rënie të lehtë të normave të fitimit, ose një përmirësim të lehtë të tyre. Në 2018, normat e fitimit të subjekteve të përqendruara në sektorin rezidencial, luhaten mes 6% dhe deri mbi 40%, në varësi të ciklit të shitjes së apartamenteve. Më fitimprurëset në vitin 2018 janë “Fratari Construction 1990” (45%); “Erjoni” (23.1); “Kika” (19.2%); “Homeplan”, (18%), etj.
Rënie të formave të fitimit panë “Agi Kons”, në 6%, “Rafaelo 2002”, prej 4.3%, “2 T”, në 12.7%. “Parc Construction” kishte normën më të ulët të kthimit nga ndërtuesit VIP, në 3.1%.