Australia, fushatë për punësimin e të rinjve, “Jobs 2014”

12/07/2014 8:08 AM 0 komente

Vende të lira pune në tetë javë dhe të gjitha të destinuara për të rinjtë, për të luftuar atë që edhe në Australi po kthehet në një problem shqetësues: papunësia te të rinjtë. Në bazë të statistikave të fundit, norma ka arritur në 16.8%, ndërsa papunësia në total ka arritur në 5.9%.

Fushata e re pro punësimit australian quhet “Jobs 2014” dhe për të garantuar efikasitetin, qeveria ka vendosur që të zbatohet në rang komuniteti dhe lagjesh.

Në nivel kombëtar, rajonal, qytetar dhe lokal, të gjithë operatorët ekonomikë, pavarësisht përmasave, janë ftuar që të japin kontributin e tyre për të ndihmuar vendin dhe për t’iu dhënë mundësi të rinjve që të gjejnë veten në tregun e punës. Pronarë sipërmarrjesh, diskotekash, kinemash, magazinash të mëdha, supermarketresh, por edhe dyqanesh, restorantesh, parukerish, mediash etj., secili duhet të bëjë pjesën e tij. Pak rëndësi ka nëse ofron një punë me kohë të pjesshme apo të plotë, e rëndësishme është që të kontribuojë nga njëra anë në reduktimin e numrit të të papunëve dhe nga ana tjetër, për t’u dhënë më shumë mundësi këtyre të rinjve për të përfituar përvoja që t’i ndihmojnë në të ardhmen.

Për të lehtësuar “takimin” mes kërkesës dhe ofertës, qeveria e Tony Abbott ka sponsorizuar faqen e internetit “jobs2014.com.au” që do të menaxhohet nga një prej agjencive kryesore të punësimit në vend, grupi WPC.

Drejtuesit e bashkive të Stonnington, Melbourne dhe Victoria shprehen se australianët duhet të kuptojnë se sot është shumë e rëndësishme që të rinjtë të studiojnë për të pasur sukses në jetë. Sipas tyre, të rinjtë e papunë duhet t’u kthehen studimeve dhe të specializohen në sektorët që preferojnë më shumë. Nga ana tjetër, qeveria po studion mundësinë për të krijuar një strategji “Jobs 2014 2.0” që do të bazohet në oferta pune më të qëndrueshme dhe të strukturuara, sepse në kushtet kur papunësia tek të rinjtë po kërcënon që të tejkalojë nivelin 17%, kjo është një masë urgjente.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of