Është çelur këtë të premte në “Expocity Albania, “Automotive Fair Albania” , panairi i parë i kësaj natyre në vendin tonë në një ceremoni që kishte të pranishëm përfaqësuestë qeverisë shqiptare por edhe nga vendet fqinje si Kosova dhe Maqedonia e Veriut si dhe biznese te sektorit nga te tri vendet.
Në fjalën e tij përshëndetëse të eventit Kryeministri Edi Rama ftoi qytetarët dhe të pasionuarit pas automotives të vizitojnë këtë aktivitet pasi jep mundësinë për të kaluar orë ndryshe në një Tiranë që është gjithmonë e më e pasur me aktivitet por profili i këtij aktiviteti është shumë i veçantë.
Rama u ndal në faktin që tashmë industria automotive në vendin tonë ka nisur të zërë një vend të rëndësishëm dhe se qeveria synon që ta mbështesë edhe më tej për punësim cilësor.
“Është një panair shumë i veçantë dhe i pari i këtij lloji në vendin tonë ku gjen hapësirë një industri që po rritet dhe tek e cila besojmë dhe duam ta shtyjmë edhe më shumë në të ardhmen e afërt në mënyrë që të krijojmë më shumë hapësira dhe vende pune cilësore” tha Rama.
Ai u ndal në projektin për Autoparkun në Elbasan i cili tashmë ka hyrë në rrugën konkrete të zbatimit. Sipas kreut të qeverisë edhe pse një ëndërr nuk është e pamundur që ky autopark të presë gara të rëndësishme.
“Po vazhdojmë përpjekjen për Autoparkun e Elbasanit. Ëndrra për të parë deri në një garë të Formula 1 jo në të afërt por në një të ardhme të arritshme, na frymëzon dhe na jep vendimin që të shkojmë para. Nuk kemi pse të trembemi nga një ëndërr si ajo e sjelljes së garave automobiliste në Shqipëri dhe Formulës 1 në një pistë që do ketë gjithë parametrat sepse është një projekt i bërë në bashkëpunim me FIA që është federata që mbulon Formulën 1 “ tha Rama.
Në fjalën e tyre për përshëndetjen e eventit Ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes u shpreh se përpjekja për një panair të tillë zgjati plot 6 muaj dhe panairi mundëson një hapësirë të re bashkëpunimi për aktorët e tregut vendas por edhe më gjerë në Ballkan. Bilali nënvizoi se ky panair ku marrin pjesë edhe kompani nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të jetë një avantazh për lidhjen e rrugëve të reja të bashkëpunimit. Kompani vendase dhe të huaja me eksperiencë të jashtëzakonshme në industrinë automotive sipas Bilalit i janë bashkuar kësaj nisme ndërkohë që nuk do të mungojë edhe triple helix duke bashkuar përveç biznesit edhe shkollat profesionale.
Panairi do te prese vizitore nga data 17 deri me 19 qershor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.