Sektori bankar i rriti provigjionet për kreditë e këqija me pothuajse 40 herë vitin e kaluar.
Sipas Bankës së Shqipërisë, shpenzimet për humbje të pritshme nga kreditë arritën vlerën e 7.3 miliardë lekëve, duke arritur njëkohësisht nivelin më të lartë që prej vitit 2016.
Kriza ekonomike nuk është reflektuar ende në rritjen e raportit të kredive me probleme të sektorit bankar, sidomos falë masave rregullatore që lejuan bankat të shmangnin riklasifikimin e kredive të shtyra ose të ristrukturuara. Në fund të vitit 2020, raporti i kredive me probleme rezultoi 8.1%, rreth 0.3 pikë përqindje më pak krahasuar me një vit më parë dhe në nivelet më të ulët të dekadës së fundit. Këtu mund të ketë ndikuar edhe fakti që Banka e Shqipërisë e shkurtoi afatin e fshirjes së kredive që klasifikohen të humbura në dy vjet, nga tre vjet që parashikonte rregullorja e mëparshme. Kjo i ka dhënë një shtysë të re procesit të pastrimit të bilanceve nga kreditë e humbura. Gjithashtu, rritja me ritme të kënaqshme e kreditimit, edhe në kushtet e krizës, ka ndikuar që raporti i kredive me probleme ndaj totalit të qëndrojë i ulët. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2020 rritja vjetore e portofolit të kredisë arriti në 6.6%.
Banka e Shqipërisë vë në dukje se, në mungesë të krizës së lidhur me pandeminë, raporti i kredive me probleme do të ishte ulur më shumë. Por, mosrritja e këtij raporti është sidoqoftë një zhvillim kyç, sidomos në aspektin psikologjik. Banka e Shqipërisë pranoi në janar zgjatjen e masave lehtësuese rregullatore ndaj bankave deri në fund të tremujorit të parë 2021. Vendimi i Bankës së Shqipërisë i lejon bankat të vijojnë ristrukturimet pa i klasifikuar këto detyrime si kredi të këqija. Vendimmarrje të ngjashme me atë të Bankës së Shqipërisë kanë ndërmarrë edhe autoritetet homologe të vendeve të tjera europiane.
Shtyrja e këtyre masave e zhvendos më tej në kohë një rritje të pritshme të kurbës së kredive me probleme dhe iu jep më shumë kohë kredimarrësve për t’u rimëkëmbur. Një nivel më i ulët i kredive me probleme është gjithashtu shumë i rëndësishëm për vijueshmërinë e kreditimit të ekonomisë. Rritja e treguesit të kredive me probleme me shumë mundësi do ta shtrëngonte ofertën për kredi në treg, duke ndikuar negativisht rimëkëmbjen e ekonomisë nga kriza.
Pavarësisht krijimit të kushteve rregullatore mbështetëse, bankat i rritën shpenzimet për provigjionimin e kredive, në nivele shumë më të larta krahasuar me tre vitet paraardhëse. Kjo rritje mund të reflektojë një qasje më të kujdesshme, për t’i paraprirë efekteve të keqësimit të cilësisë së portofolit të kredisë gjatë vitit 2021.
Për vitin 2020, sektori bankar arriti një fitim neto në vlerën e 16.9 miliardë lekëve, në rënie me 15% krahasuar me një vit më parë. Faktori më përcaktues në rënien e fitimeve ishte pikërisht rritja e ndjeshme e shpenzimeve për provigjione./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.