Bordi drejtues i bankës keqësoi gjendjen financiare duke investuar në operacione me rrezik të lartë.Nga 7 banka Kosova mbeti me 6. Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës (ABPK-ja) ka urdhëruar Bankën Kreditore të Prishtinës (BKP) të ndërpresë aktivitetet e saj për shkak të mungesës së kushteve të domosdoshme të kapitalit dhe likuiditetit për të mbrojtur klientët e saj. Megjithatë klientët e kësaj banke duket se janë të mbrojtur nga Agjencia e Mbrojtjes së Klientëve (Likuidatori-AMK). ABPK është mbikëqyrësi i bankave tregtare, shoqërive të sigurimit dhe institucioneve tjera financiare që veprojnë në Kosovë. ABPK-ja siguron që bankat në veçanti kanë pasuri dhe kapital të mjaftueshëm për të mbrojtur paratë e depozituesve sipas rregulloreve në fuqi. Sipas një deklarate për shtyp, BKP nuk i plotëson më kushtet e domosdoshme të kapitalit dhe likuiditetit për t iu përgjigjur klientëve. Duke marrë parasysh mos përmbushjen e kërkesave nga ana e aksionerëve të BKP për të rritur kapitalin e bankës, ABPK konkludoi se kjo bankë i rrezikon paratë e klientëve. Inspektimi i ndërmarrë nga ABPK-ja vërteton se disa anëtarë të këshillit të bankës, si dhe disa aksionerë kanë kontribuar fuqimisht në keqësimin e gjendjes financiare duke u angazhuar në operacione huazimesh me rrezik të lartë. Për pasojë, me qëllim mbrojtjen e klientëve të BKP dhe sipas rregullores në fuqi, ABPK-ja vendosi ndërprerjen e licencës së kësaj Banke, urdhëron këtë bankë të ndërpresë të gjitha aktivitetet e saj prej datës 13 mars 2006 dhe të mbyllë përfaqësitë dhe zyrat, si dhe të pushojë nga detyra anëtarët e këshillit drejtues dhe administrues të bankës dhe të emërojë një mbrojtës të klientëve (likuidator) për të drejtuar bankën dhe mbrojtur interesat e klientëve. ABPK-ja është e vendosur që t ia përcjell faktet Prokurorisë, të cilat janë në kundërshtim me ligjin, citohet në deklaratën për shtyp. Sipas saj, nga mjetet likuide të bankës, të cilat janë nën mbrojtjen e AMK dhe të ABPK-së, do të kryhet pagesa deri në 1000 euro për të gjithë klientët e bankës. Kjo do të thotë se rreth 95% të klientëve do t iu kthehen paratë së shpejti dhe në tërësi. Për të mbrojtur klientët është kërkuar që ata të hapin një llogari në një bankë tjetër dhe të njoftojnë AMK-në, me qëllim që të kalohen paratë e tyre në llogaritë e reja. Në vazhdimësi, ABPK-ja do të veprojë për të zhvilluar një sistem bankar të shëndoshë dhe efikas në Kosovë. Mbyllja e një institucioni të vogël siç është BKP-ja mendohet se nuk do të ndikojë në aktivitetin e 6 bankave të tjera, të cilat janë të afta për të paguar dhe kanë likuiditet të mjaftueshëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.