A do të ulen interesat e kredive në lekë?!Vendimi i fundit i Bankës së Shqipërisë për uljen e katërt rresht të interesit bazë në ekonomi duket se i ka gjetur të papërgatitur bankierët. Vetëm dy ditë para këtij vendimi, Banka Amerikane e Shqipërisë rriti me 0.5 pikë përqindjeje interesat e depozitave në lekë, ndërsa yield-i i bonove tremujore në ankandin e ditës së martë (mbledhja e BSH-së ishte të mërkurën) shënoi rritje 0.11 pikë përqindjeje. «Thashethemeve» për emrin e guvernatorit të ri u shtohet edhe çoroditja nga minimumet e shumta historike të kohëve të fundit, bashkë me dilemën se ku do t i kalojnë pushimet. Bankierët, në fakt mendojnë se këto ulje duhet të kishin ndodhur më parë dhe ndoshta tani nuk kanë më efektin që pritej. Ata bien në një mendje që instrumenti i REPO-ve nuk po jep më ndikimin e pritshëm në treg. Ndoshta efekti i tyre do të zgjatet në kohë. Edhe momenti i verës, para pushimeve të gushtit nuk shihet si shumë i përshtatshëm për të marrë vendime të tilla, aq më tepër prej një Këshilli Mbikëqyrës, 78% të të cilit i mbaron mandati në fund të gushtit. Monitor u referohet mendimit të bankierëve, sepse bankat janë kanalet e para, që transmetojnë vendimin e BSH-së…Por, çfarë pritet nga ulja e interesaveBanka e Shqipërisë shprehet se reduktimi i normës bazë në ekonomi do të sjellë reduktimin e kostos së huamarrjes së lekut në ekonomi, do të nxisë kreditimin në lekë, do të ulë koston e borxhit të qeverisë dhe do të lehtësojë presionet mbiçmuese të lekut, pa shkaktuar presione të dëmshme mbi inflacionin. Bankierët duken skeptikë, për arritjen e këtyre parashikimeve. Në caktimin e interesave të kredive, ne marrim për bazë yield-in e bonove, pasi ai është një investim alternativ, thotë prof. Spiro Brumbulli, drejtor vendor i Bankës Kombëtare të Greqisë. Grafiku i ecurisë së yield-it të bonove tregon se interesat e letrave me vlerë të qeverisë i kanë rezistuar reduktimit të vazhdueshëm të REPO-ve, që nga muaji prill. Madje ka raste, kur yield-i i bonove ka shfaqur një tendencë në rritje. Për këtë arsye dhe bankat nuk kanë qenë shumë agresive në uljen e interesave të kredive. Kredia vazhdon të jetë e përqendruar në valutë (rreth 80% e totalit), ndërsa huaja konsumatore (e cila mund të ketë premisa për t u dhënë në lekë) në shumicën e bankave jepet me interes mbi 20% në vit, madje ka banka që këtë normë e kanë deri në 28%. Bankierët pohojnë se është dominimi i Bankës së Kursimeve, ai që ndikon në mosuljen e interesave të bonove. «Në këtë treg nuk ka konkurrencë të lirë, ka një lloj dominimi, që nuk po na lë të lëvizim. Duhet të shpërndahet ky dominim. Vetëm në këto kushte, interesi i bonove do të bjerë poshtë atyre të depozitave», thotë prof. Brumbulli.Po leku ?«Do të ishte mirë që këto masa të ishin marrë vitin e kaluar, nëse do të mendohej për të nxitur eksportet, por tani nuk ka çfarë të nxitet», thotë një prej drejtuesve të bankave të nivelit të dytë. Banka e Shqipërisë ka mbrojtur vazhdimisht tezën se leku i fortë nuk i dëmton eksportet, sepse 70% janë rieksporte. Por nga një vëzhgim i «Monitor» rezultoi se eksportuesit me fason janë vënë në vështirësi dhe kanë të paktën deri në 8% rënie në të ardhurat e tyre. «Forcimi i lekut është më shumë si rrjedhojë e ngadalësisë së qarkullimit të tij në treg, sesa e arsyeve të tjera», thotë prof. Spiro Brumbulli. Banka e Kursimeve reagon me shpejtësiPas vendimit të Bankës së Shqipërisë, Banka e Kursimeve, më e madhja në vend, reagoi me shpejtësi, duke ulur interesat e depozitave. Për depozitat 12 mujore, interesi u ul nga 6.35% në 6%; për ato 6 mujore nga 5.75% në 5.5% dhe për ato 24 mujore nga 7.5% në 7%. Ndërsa nuk janë ulur interesat 3 mujore, ndonëse në ankandin e fundit të bonove të thesarit u vu re një rritje e yield-it me të njëjtin maturim. Banka e Kursimeve pritet të fillojë kreditimin në fund të muajit shtator, duke shpresuar se do të ndikojë në rënien e interesave të huave në lekë.Bankat e tjera, të cilat kohët e fundit kanë qenë më të fokusuara në rritjen e interesave të depozitave në dollarë, pritet të vendosin nëse do të ulin normat e depozitave në lekë gjatë kësaj jave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.