Deri në vitin 2023, në Maqedoni do të hyjnë 420 milionë dollarë për projekte infrastrukturore dhe për investime në resurse njerëzore.
Paratë janë nga Banka Botërore (BB) dhe do të tërhiqen në mënyrë periodike, varësisht nga projektet që do të miratohen nga bordi i drejtorëve të këtij institucioni financiar ndërkombëtar. Sipas planit, për ndërtimin dhe rindërtimin e rrugëve lokale do të miratohen 70 milionë dollarë.
Për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor, janë parashikuar 26 milionë dollarë. Shumica e parave do të jenë për projektet që lidhen me arsimin, çështjet sociale, shëndetësinë, efikasitetin e energjisë, por mbi të gjitha në fushën e kapitalit njerëzor.
Nga 420 – milionë dollarë, shumica janë mjete të pakthyeshme, por ka edhe hua që janë dakorduar me një normë shumë të ulët të interesit, thonë nga Ministria e Financave. Përveç ministrit të Financave, Dragan Tevdovski, në takimet me përfaqësuesit e Bankës Botërore janë edhe Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska Bezhoska.
/ Alsat MK