Ulja e normës bazë të interesit në 4.5% e lë indiferent biznesin vendas. Sipërmarrësit konfirmojnë se bankat jo vetëm që japin më pak kredi, por edhe vetë bizneset nuk kanë ku të investojnë
Biznesi vendas i anketuar nga “Monitor” konfirmon se përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për t´i dhënë frymë kreditimit dhe gjallërimit të ekonomisë vendase, përmes uljes së normës bazë të interesit, nuk pritet të kenë efekt.
“Kjo është ulja e radhës që i bëhet normës bazë të interesit dhe nuk presim ndonjë ndikim të dukshëm, sepse kjo nuk ka ndodhur as në herët e tjera. Gjatë këtij viti kemi parashikuar që biznesi do ta ketë shumë më të vështirë të marrë kredi dhe të investojë”, thotë Arben Dervishi i Shoqatës së Ndërtuesve.
I njëjti fakt konfirmohet edhe nga sipërmarrës të tjerë, të cilët shprehen se jo vetëm që procedurat nga bankat janë shtrënguar, por edhe vetë ata nuk kanë interes që në këtë periudhë të marrin kredi.
Fasonistët, që janë ndër eksportuesit kryesorë në vend, thonë se bankat hezitojnë t´i kreditojnë, edhe pse planet e biznesit dhe ecuria është e mirë. Sipas tyre, në një situatë të tillë, bizneset e fasonit do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të marrin kredi për të investuar dhe për t´u bërë më konkurrues për tregjet e Europës.
Ndërtimi, kreditimi i bllokuar
Nëse deri tre vjet më parë, sektori i ndërtimit ishte ndër të preferuarit e bankave për t´u kredituar, sot është futur në listën “e zezë”. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, pesha e kredisë dhënë këtij sektorit në raport me totalin në nëntor 2011 është 3.6 pikë përqindjeje më e ulët se në 2008-n, duke konfirmuar rënien e vazhdueshme të kreditimit për këtë sektor
Edhe bankierë të intervistuar nga “Monitor” kanë deklaruar se sektori nuk është më i preferuar për t´u kredituar, për shkak të ecurisë negative të tij.
Vetë ndërtuesit sqarojnë se edhe ulja e fundit e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë nuk pritet të sjellë asnjë ndryshim. Arben Dervishi thotë se sektori do të vijojë të jetë i bllokuar dhe nga bankat, të cilat po tregojnë një frymë shumë të vogël bashkëpunimi.
“Në një kohë kur buxheti i shtetit i ka ulur investimet dhe kur ekonomia është drejt përkeqësimit nuk mund të pritet që bankat të rrisin kreditimin. Bankat nuk kanë politikë për të nxitur huadhënien dhe as nuk pritet të ndryshojnë nga ulja e normës”, thotë Dervishi.
Sipas tij, bankat po i shtojnë gjithnjë e më shumë burokracitë, sepse kërkojnë më shumë garanci për kthimin e kredive, në një kohë kur niveli i kredive të këqija ka arritur 19%.
Në sektorin e ndërtimit vihet re se një fenomen në rritje është shtimi i blerjes së apartamenteve me para në dorë, kjo sepse interesat dhe kushtet e bankave për kredi janë shtrënguar, por edhe vetë individët hezitojnë t´i drejtohen atyre.
Ky fakt konfirmohet nga imobilarët dhe ndërtuesit, sipas të cilëve shkaktar për rënien e shitjeve me kredi janë interesat e larta, si dhe burokracitë e shumta nga bankat.
“Presim që gjatë këtij viti të kemi rënie edhe më të madhe të shitjeve për shkak të reduktimit të kredive hipotekore”, thonë ndërtuesit.
Situata e përkeqësuar e ndërtimit nuk pritet të përmirësohet as gjatë këtij viti. Të dhënat e fundit nga përfaqësuesit e sektorit konfirmojnë se edhe gjatë vitit 2012, sektori do të vijojë të vuajë mungesën e likuiditeteve, për shkak të bllokimit të lejeve. “Ne kemi parashikuar ulje të kredive dhe investimeve për vitin 2012, sepse jo vetëm bankat nuk kreditojnë, por edhe frontet ku ne mund të investojnë janë shumë të pakta”, sqaron ndërtuesi Arben Dervishi.
Sipas Dervishit, bllokimi i lejeve të ndërtimit e keqëson shumë situatën e sektorit. Deri në muajin maj pritet që Bashkia e Tiranës të miratojë planin rregullues të qytetit, ndërkohë që derisa të gjitha procedurat dhe institucionet e dhënies së lejeve të nisin punën, nisja e dhënies së lejeve të ndërtimit mund të arrijë në rastin më të mirë deri në muajin shtator.
“Kjo do të shkaktojë një frenim të mëtejshëm të ndërtimeve të reja, duke ulur edhe më shumë volumin e sektorit”, thotë Dervishi. Një tjetër anë e medaljes janë investimet publike, të cilat si pasojë e thellimit të borxhit të qeverisë, për 2012-n do të pësojnë rënie. “Ulja e volumeve të punëve publike do të ulë aktivitetin e firmave të infrastrukturës, që kanë peshë të rëndësishme në sektor. Kjo do të ndikojë negativisht në likuiditete, ndërkohë që rëndohet edhe nga fakti se ende shumë prej tyre nuk janë paguar nga qeveria apo bashkitë për punët që kanë bërë. Kjo pritet të rrisë edhe më shumë numrin e kompanive të ndërtimit në vështirësi, dhe si pasojë më shumë do të falimentojnë në vitin 2012”, thotë Arben Dervishi, sekretar i përgjithshëm në Shoqatën e Ndërtuesve.
Frikë për investime
Të gjitha bizneset janë sot në përpjekje për të ruajtur tregjet dhe të mos humbin likuiditetet dhe shumë pak po mendojnë për investime.
Hajredin Fratari, kryetar i Konfindustrisë Shqiptare, sqaron se bizneset nuk kanë fronte ku të investojnë dhe kjo po ndikon që edhe kërkesa për kredi të jetë shumë e ulët.
“Bizneset nuk e kanë të hapur perspektivën për momentin dhe këtu nuk hyn vetëm sektori i ndërtimit. Megjithëse ka mjaft sipërmarrës që kanë edhe depozita që i mbajnë në banka, nuk kanë mundësi për të investuar, sepse nuk kanë fronte të reja”, thotë Fratari.
Sipas tij, një frymëmarrje të re Tiranës dhe gjithë vendit pritet t´i japë miratimi i Planit Rregullues të kryeqytetit, përmes të cilit do të vijojnë zinxhir investime të reja në ndërtim dhe në sektorë të tjerë, që nga thertoret, pikat e tregtisë me shumicë, transport, energji etj.
“Për momentin nga ulja e interesave për lekun mund të përfitojnë individët e klasës së mesme, të cilët mund të nxiten që të marrin kredi në monedhën vendase, por jo biznesi”, sqaron kreu i Konfindustrisë Shqiptare.
Edhe Demir Rusi, i cili prej vitesh importon dhe tregton panele nga vendet e Europës, thotë se në një situatë të tillë as që mendon të kryejë investime të reja.
“Ajo që shohim te bankat është se sot kërkojnë shumë më tepër garanci dhe siguri te kredimarrësit. Teorikisht deklarojnë se interesat i kanë ulur, por realisht me burokracitë e shumta që kërkojnë, kjo nuk është e vërtetë”, thotë ai.
Sipas tij, ky vit duket shumë i vështirë edhe se periudhat e krizës 2008-2010. Që në fillim të këtij viti, kompania që ai menaxhon, “Paneli”, përllogarit një xhiro 30% më të ulët se në 2011-n, ku mjaft kontrata që lidheshin në muajin dhjetor janë firmosur në ditët e fundit të janarit.
“Në këtë situatë, është gati çmenduri të bësh investime sepse duhet të ruash likuiditetet. Nuk mund të marrësh kredi në bankë, sepse rrezikon të mos kesh aftësi ta paguash. Nëse më parë, me aktivitetin që kishim, arrinim të bënim parashikime deri në 6 muaj, sot mund të parashikojnë deri në 3 muaj, sepse nuk e dimë se si do të shkojë situata”, thotë Rusi.
ECURIA
Cilët sektorë po kreditohen më pak
Megjithëse në total, kreditimi në biznes ka shënuar rritje, duke arritur në rreth 373 miliardë lekë në fund të nëntorit 2011, kjo ka përfshirë disa sektorë të caktuar. Ajo që vihet re nga shifrat zyrtare të Bankës së Shqipërisë është rënia e vazhdueshme e huave të dhëna në disa sektorë të rëndësishëm të ekonomisë vendase.
Sektori i ndërtimit po njeh rënie nga viti në vit, duke zënë në 2011 rreth 18% të totalit të kredisë për biznes, me një reduktim prej 3.6% krahasuar me tre vjet më parë.
Edhe bujqësia, me gjithë skemat mbështetëse të qeverisë ka njohur një rritje të vogël, sidomos krahasuar me vitin 2008. Sot, bujqësia zë vetëm 1.4% të peshës të kredive për biznes, duke vijuar të jetë ndër sektorët më të papreferuar nga bankat për t´u kredituar.
Ajo që bie në sy është rënia e kredive për industrinë përpunuese, duke evidentuar rënien e punësimit në një prej sektorëve më vitalë të ekonomisë, që ka ndikim të madh në punësim. Sipas të dhënave të BSH-së, kreditimi për industrinë përpunuese që nga viti 2009 vijon të zërë 14.9% të peshës së kredive për biznes, me rënie nga viti 2008, kur pesha ishte 17.5%.
Ritëm të mirë në kreditim kanë ruajtur sektori i tregtisë si dhe i transportit e telekomunikacionit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.