Bloomberg: Besnikëria partiake në Kinë ndihmon partitë në marrjen e kredive më të lira

18/05/2019 10:03 PM 0 komente
Foto ilustruese / Bloomberg

Një program i ri qeveritar ofron “kredi të kuqe”, me norma interesi të ulëta, kundrejt të gjitha firmave që mbështesin kauzën komuniste

 

Presidenti Xi Jinping e ka rritur shumë ndikimin e Partisë Komuniste në Kinë mbi çdo gjë, duke filluar që nga bordet e korporatave e deri te shtëpitë e predikimit, shpeshherë duke përdorur një prej shprehjeve më të famshme të Mao Ce Dunit, “Lindje, Perëndim, Veri dhe Qendër – Partia udhëheq gjithçka”.

Në ditët e sotme, Partia Komuniste kontrollon madje se cilat kompani duhet të marrin apo jo kredi bankare. Për të fituar kapital politik, z. Rongquan, drejtuesi i kompanisë Zhejiang Taida Miniature Electrical Machinery Co., shprehet se ka filluar të promovojë Partinë Komuniste në ambientet e kompanisë së tij rreth katër-pesë vite më parë.

Sot 12 nga 170 punonjësit e tij janë anëtarë të kësaj partie. Ai e nxit stafin e tij që të përdorin një prej aplikacioneve, qoftë Xue-Xi-Qiang-Guo apo Study Xi to Strengthen the Country (Studioni doktrinat e Xi për të forcuar shtetin), ku secila prej të dyjave theksojnë rëndësinë e doktrinave të z. Xi. Promovimi dhe mbështetja që ne kemi treguar ndaj Partisë Komuniste është shpërblyer, sepse ne kemi mbështetjen e plotë të saj dhe kjo do të thotë shumë, shprehet z. Rongquan.

Atij iu dha një “kredi e kuqe”, sipas një programi të ri qeveritar, që shpërblen të gjitha kompanitë e suksesshme që promovojnë dhe mbështesin Partinë Komuniste. Kompania e tij, Taida, në Deqing në provincën Zhejiang, paguan një normë bazë interesi prej 4.35% për huanë e marrë me vlerë prej 3 milionë yuan (445,500 dollarë amerikanë). Nëse ai do ta kishte marrë atë kredi në kushte të zakonshme, ai do të kishte paguar 20 deri në 30% më shumë, tha z. Rongquan në një intervistë dhënë në Panairin Tregtar të Cantonit. Zyrtarët lokalë shprehen se dhënia e këtyre “kredive të kuqe” është pjesë e një përpjekje për të kanalizuar më shumë kredi për kompanitë efikase private në vend të ndërmarrjeve shtetërore të shkatërruara. Kritikët e shohin ndryshe situatën.

“Nuk është e qartë nëse njohja dhe mbështetja ndaj doktrinave të Xi Jinping, e bën një firmë ekonomikisht më efikase”, thotë Michael Spencer, kreu i ekonomisë globale në Deutsche Bank AG në Hong Kong. Por shembuj si ai i kompanisë Taida, do të nxisin firmat e dobëta financiarisht që të mbështesin Partinë Komuniste dhe të promovojnë doktrinat Xi, me shpresën për përfitime të ngjashme. Ndërsa deri më tani, shkalla e “kredive të kuqe” është e vogël, shqetësimi është se ato mund të dëmtojnë progresin e mëtejshëm në përpjekjet e qeverisë për të frenuar levën financiare. Por me borxhin e Kinës që është pothuajse sa trefishi i Prodhimit të Brendshëm Bruto, autoritetet po kontrollojnë dhënien e kredive, duke i shpërndarë ato në mënyrë sa më efikase.

Z. Xi u shpreh në fillim të këtij muaji se kufizimi i huamarrjes nga ndërmarrjet shtetërore duhet të jetë “prioriteti i prioriteteve”, ndërkohë që mediat shtetërore e kanë quajtur rritjen e riskut në sistemin financiar si “mëkatin” më të madh të kohëve të fundit.
Edhe sektori bankar nuk ka qenë i përjashtuar nga ndikimi në rritje i Partisë Komuniste. Dy vjet më parë, huadhënësit, duke përfshirë këtu Bankën Industriale & Tregtare dhe Bankën Bujqësore të Kinës, ndryshuan rregulloret e tyre vetëm që Partia Komuniste të kishte më shumë mbikëqyrje në vendimet e tyre të menaxhimit.

Kur kryetari i Komisionit Rregullator të Bankave dhe Sigurimeve në Kinë, Guo Shuqing, u tha bankave në fund të vitit të kaluar se të paktën një e treta e të gjitha kredive të reja duhet të shkojnë për kompanitë private, bankat ranë menjëherë dakord. Madje, disa prej institucioneve më të mëdha në vend, rritën në mënyrë dramatike huatë ndaj bizneseve të vogla private, të cilat shpeshherë ishin me norma fare të ulëta interesi.
Z. Xi e ka shtrënguar në përgjithësi rregullimin financiar, duke ndalur bankat që veprojnë në hije dhe duke premtuar se do t’i detyrojë të gjithë zyrtarët që të mbajnë përgjegjësitë e tyre, edhe gjatë gjithë jetës nëse është e nevojshme, në rast se ata rrisnin nivelin e borxhit. Dhe këtë “kërcënim” e beson çdokush, duke marrë parasysh ndikimin e madh që ka partia në trajektoret e karrierës së çdo individi, madje edhe të funksionarëve më të thjeshtë të qeverisë.

“Situata është tipike për Kinën e ditëve të sotme”, shprehet Barry Naughton, profesor në Universitetin e Kalifornisë në San Diego, i specializuar edhe në ekonominë kineze. “Dy tendenca absolutisht kontradiktore: njëra që lëviz drejt më shumë instrumenteve financiare, si një mënyrë më efikase dhe më e orientuar drejt tregut për të arritur rezultate sa më të mira dhe tjetra, që shkon drejt një politizimi gjithnjë e më të madh dhe drejt një rritje të kontrollit ndaj thuajse gjithçkaje”.

Raportet e “kredive të kuqe” në Qarkun e Deqingut u shfaqën për herë të parë në shkurt të këtij viti. Qyteti Huzhou, i cili administron Qarkun e Deqingut, e zgjeroi programin e këtyre kredive edhe në pesë qarqe të tjera, në muajin mars. Autoritetet lokale të Huzhout u shprehën në një deklaratë se dhënia e “kredive të kuqe” pa asnjë kolateral si garanci dhe mbi të gjitha, me norma interesi shumë të ulëta, është një mënyrë për t’u ardhur në ndihmë kompanive private që ato të rriten më shumë.

Në mes të prillit të këtij viti, rreth 54 kompanive iu ofruan 51 milionë yuan kredi dhe 327 milionë yuan në linja kredie. Njëra përfitoi deri në 5 milionë yuan për pajisje në vetëm tri ditë, thanë autoritetet lokale të Huzhou. Qytetet fqinje të Taizhout dhe Jiaxingut kanë ndjekur të njëjtin shembull. “Kreditë e kuqe” janë në dispozicion në një zonë me një popullsi mbi 14 milionë banorë, më shumë se Hong Kongu dhe Singapori të kombinuara së bashku.

Madhësia e kredive dhe normat e interesit mbështeten në indeksin e besnikërisë partiake të një organizate apo institucione të caktuara ndaj Partisë Komuniste, thanë më tej përfaqësuesit e autoriteteve lokale. Kriteret që duhen për të marrë sa më shumë pikë në këtë indeks, përfshijnë pjesëmarrjen në grupe studimi, dhurimin e një pjese të të ardhurave për partinë dhe tregimin e solidaritetit dhe mbështetjes së partisë në çdo rast. Bizneset në Taizhou, të cilat kanë marrë katër nga pesë yje në këtë indeks, janë kualifikuar për të përfituar hua me vlerë nga 500,000 yuan deri në 10 milionë yuan.

“Nëse ne do të lëvizim drejt një sistemi ku mbështetësit më besnikë të partisë përfitojnë më shumë para nga sistemi financiar, rezultati nuk do të jetë aspak i mirë, qoftë në drejtim të mbështetjes së rritjes ekonomike, qoftë në atë të ruajtjes së shëndetit të sistemit financiar të përgjithshëm”, shprehet Nicholas Lardy, nga Instituti Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare në Uashington.
Lidhja ndërmjet bizneseve dhe qeverisë të mbikëqyrur nga Partia në Kinë është në qendër të luftës tregtare të Donald Trump. Administrata e tij thotë se subvencione masive dhe përfitime të tjera për ndërmarrjet kineze e shtrembërojnë fushën e lojës në mënyrë të padrejtë kundrejt kompanive amerikane.

Shumë kompani të huaja, duke filluar nga SolarWorld AG tek Suniva Inc., kanë falimentuar në vitet e fundit, për shkak të konkurrencës së padrejtë nga rivalët kinezë, të cilët mbështeten nga subvencione qeveritare dhe financime të lira. “Të huajt nuk na kuptojnë”, u shpreh drejtori i kompanisë Taida. “Ata mendojnë se kompanitë nuk janë të lidhura me qeverinë, por në Kinë, bizneset kanë qenë gjithnjë të lidhura me qeverinë”, tha ai në fund./Bloomberg

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of