Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson do të drejtohet në Bruksel brenda pak ditësh për të zhvilluar bisedime urgjente me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Kjo lëvizje vjen pas frikës në rritje nga të dy palët se bisedimet tregtare Brexit do të dështojnë, shkruan Bloomberg.
Të dy biseduan të hënën në mbrëmje dhe ranë dakord të takoheshin pasi arritja e një marrëveshjeje duket e largët, pavarësisht përpjekjeve të furishme nga negociatorët e tyre për të zhbllokuar bisedimet, ndërsa koha kalonte. Koha dhe data për takimin ende nuk është vendosur. Drejtuesit e Bashkimit Evropian do të mblidhen për një samit në Bruksel të Enjten dhe të Premten.
Takimi ballë për ballë midis Johnson dhe von der Leyen është një shenjë se tetë muaj negociata teknike kanë arritur maksimumin e tyre dhe nëse do të ketë një marrëveshje, tashmë duhet që udhëheqësit politikë të ndërhyjnë dhe të ndërmjetësojnë një kompromis. Po kështu, ky takim sugjeron që të dy palët ende mendojnë se kanë kohë para afatit përfundimtar në fund të vitit dhe synojnë ta përdorin atë për të marrë lëshime të minutës së fundit.
Të dy ekipet janë ende larg marrëveshjes, duke pasur “diferenca të konsiderueshme” në tre çështjet kryesore, ato të peshkimit, rregullat për konkurrencën e ndershme dhe qeverisjen e çdo marrëveshje, sipas një deklarate të përbashkët të hënën në mbrëmje. Mosmarrëveshjet për këto tema i kanë ndikuar negociatat që kur ato filluan, tetë muaj më parë.