Borxhi i varur i sektorit bankar u rrit vitin e kaluar.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se borxhi i varur në fund të vitit 2022 borxhi i varur kishte vlerën e afërsisht 16.6 miliardë lekëve, 18.8% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Bankat e përdorin borxhin e varur kryesisht si instrument plotësues në kapitalin rregullator.
Sipas rregullores “Për mjaftueshmërinë e kapitalit”, instrumentet e borxhit të varur të bankave njihen si kapital rregullator i nivelit të dytë, që mund të mbulojnë deri në një të tretën e kapitalit të kërkuar rregullator.
Megjithatë, në nivel sistemi, borxhi i varur zë një peshë relativisht të ulët ndaj kapitalit total rregullator të sektorit bankar shqiptar. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar borxhi i varur përbënte rreth 9% të kapitalit rregullator të sistemit bankar, por ën rritje nga niveli prej 8.3% zinte në fund të vitit 2021.
Në pjesën dërrmuese, kapitali i sektorit bankar konsiston në instrumente të nivelit të parë, si kapital i paguar, rezerva, fitime të mbartura apo prime aksionesh.
Borxhi i varur, i konvertueshëm në kapital aksioner të i bankave, zakonisht financohet përmes huadhënies së aksionerëve të bankës ose përmes emetimit të obligacioneve me ofertë private, që iu ofrohen për blerje individëve apo subjekteve të zgjedhur nga vetë emetuesi.
Huadhënia e aksionerëve zakonisht aplikohet nga bankat që iu takojnë grupeve të huaja bankare, si formë e përkohshme e mbështetjes me kapital rregullator shtesë. Ndërkohë, obligacionet me ofertë private janë përdorur sidomos nga bankat me kapital shqiptar.
Në këtë rast, blerës të obligacioneve me ofertë private janë sidomos individë që kanë depozita në shuma të konsiderueshme dhe për të cilët blerja e obligacioneve mund të jetë një alternativë shumë më fitimprurëse se depozita vetë. Borxhi i varur përgjithësisht ka interesa më të larta se instrumentet e tjera të tregut në të njëjtën periudhë, sepse ai klasifikohet si borxh me rrezik më të lartë.
Obligacionet me ofertë private janë ndër risitë kryesore të tregut financiar në dekadën e fundit. Përdorimi i këtyre instrumenteve u adoptua sidomos nga bankat, pikërisht në funksion të nevojës për të rritur kapitalin rregullator. Më tej, obligacionet u përdorën edhe nga kompani të tjera të sektorit financiar, por jo vetëm, me qëllim sigurimin e financimeve të nevojshme për aktivitetin e tyre.
Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), portofoli i këtyre instrumenteve, i llogaritur si vlera e emetuar dhe ende e pashlyer, në mesin e vitit të kaluar arriti në fundin e muajit qershor në 12.37 miliardë lekë ose pothuajse 106 milionë euro. Që nga fillimi i vitit, vlera e portofolit të obligacioneve është rritur me 2.36 miliardë lekë ose 23.6%.
Vitin e kaluar, hyri gjithashtu në fuqi rregullorja tjetër, “Për kërkesën minimale për instrumentet e kapitalit rregullator dhe detyrimet e pranuar” (MREL).
Kjo rregullore ishte pjesë e kuadrit ligjor të ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe kërkon që bankat të zotërojnë instrumente të kapitalit rregullator apo detyrime të pranuara që të mundësojnë përthithjen e humbjeve dhe rivendosjen e normës së mjaftueshmërisë së kapitalit.
Rregullorja në fjalë nxit më shumë përdorimin e instrumentit të borxhit të varur nga bankat, si alternativë ndaj injektimeve të reja të kapitalit, që përgjithësisht nuk janë një zgjedhje e dëshirueshme për aksionerët.
Gjithashtu, përdorimi i borxhit të varur është një mekanizëm që zgjeron hapësirat për shpërndarjen e dividendëve për aksionerët, pikërisht sepse një pjesë e kërkesës rregullatore për kapital mbulohet nëpërmjet këtij borxhi.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.