Borxhi tatimor, bizneset rritën me 59 miliardë lekë detyrimet, në kulmin e Antiinformalitetit

25/10/2017 5:16 PM 0 komente

Bizneset në vend krijuan të paktën 59 miliardë lekë detyrime të papaguara tek Tatimet në dy vitet e fundit. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zhvilluar një auditim me fokus “Efektivitetin  e masave të ndërmarra nga Organet Tatimore në mbledhjen e  detyrimeve të papaguara të subjekteve tatimpaguese” duke nxjerrë në pah edhe një sërë shifrash.

Gjendja e detyrimeve tatimore të papaguara në fund të vitit 2016 është mbi 146 miliardë lekë dhe paraqitet me një rritje e ndjeshme, në masën 45.5 %, krahasuar me një vit më parë. “ Në vlerën e detyrimeve të papaguara prej 146 068 milion lekë është e përfshirë edhe vlera prej 37 338 milion lekë e 541 subjekteve që janë në proces gjyqësor. Ndërsa krahasuar me v. 2011 gjendja e detyrimeve të papaguara në fund të v. 2016 është 2.2 herë më e madhe” thuhet në auditimin e KLSH-së.

Borxhi me mundësi të ulëta për mbledhje

Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se nga gjendja totale e borxhit tatimor, një pjesë e konsiderueshme i përket bizneseve që aktualisht kanë status pasiv. Kjo sipas audituesve ul mundësitë e mbledhjes së këtij borxhi. Në total bizneset që kanë detyrime të papaguara pranë administratës tatimore dhe njëkohësisht kanë status pasiv kapin një nivel prej 37%.

“Gjendja e detyrimeve tatimore të papaguara në afat në fund të periudhës (2016) përbëhet kryesisht nga detyrimet tatimore të lindura nga 2-5 vite me një peshë prej 58 % të totalit të borxhit, gjë që tregon se sasi të mëdha detyrimeve tatimore të papaguara janë të pambledhshme,  për të cilat DPT-së tashmë e ka praktikisht të vështirë të ndërmarrë veprime të mëtejshme ligjore për mbledhjen e detyrimit me forcë” raporton KLSH.

Borxhi dhe Antiinformaliteti

Një pjesë e mirë e totalit të borxhit duket se është krijuar vetëm në dy vitet e fundit 2015-2016. Kontrolli i Lartë i Shtetit thekson se të paktën 41% e këtij borxhi është krijuar pikërisht në këtë dyvjeçar nga ana e biznesit. Kjo do të thotë që bizneset kanë të paktën 59 miliardë lekë detyrime të papaguara të krijuara në kohën kur qeveria ishte në kulmin e fushatës antinformalitet.

Pavarësisht përmasave që ka marrë ky borxh, KLSH vlerëson se për këtë pjesë mundësitë e arkëtimit janë më të larta.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of