Banka Qendrore Europiane (BQE) rriti të enjten normat e saj bazë të interesit me 75 pikë bazë, ose 0.75 pikë përqindjeje, ashtu siç pritej. Banka tha se do të vazhdojë të rrisë normat në përgjigje të inflacionit që “mbetet shumë i lartë”. Rritja e çon normën e depozitave në 1.50%.
E shqetësuar nga rritja e shpejtë e çmimeve, BQE po shtrenjton kostot e huamarrjes me ritmin më të shpejtë në histori. Është e sigurt që kjo tendencë do të vazhdojë më tej, duke kthyer me shpejtësi kahun e politikës monetare, që për një dekadë ishte stimuluese.
Presidentja e BQE-së Christine Lagarde tha se “Ne do të kemi rritje të mëtejshme të normave në të ardhmen,”.
Terminologjia e saj u pa nga tregjet si një shenjë zbutjeje e ritmeve të shtrëngimit të politikës monetare.
Investitorët tani vlerësojnë që kulmi i normave të arrijë në rreth 2.6% vitin e ardhshëm, nga pritshmëritë prej afër 3%, të kohëve të fundit.
“Ne presim një rritje të mëtejshme të normës së politikës me 50 pikë bazë në dhjetor dhe një tranzicion drejt lëvizjes me 25 pikë bazë rritjeje vitin e ardhshëm,” tha menaxheri i portofolit të PIMCO, Konstantin Veit.