Fajtorë për këtë situatë është jo vetëm kriza që ka mbërthyer Europën, por edhe recetat që synon të servirë “mbrojtësi” i thesarit të Mbretërisë, George Osborne. Ai deklaroi se pagat e punonjësve të administratës nuk do rriten më shumë se 1% gjatë dy viteve të fundit. Për sa i përket reformës në pensione, sipas skemës në vitin 2026, qytetarët britanikë do të mund të lënë vendin e punës në moshën 67-vjeçare. Këto ishin arsye të mjaftueshme që shumë t´i bashkoheshin apelit të bërë nga TUC-i dhe të zbrisnin në shesh për t´iu bashkangjitur grevës 24- orëshe. Greva përmbysi numrat e shënuar në vitin 1979, kur manifestuan 1 milionë e gjysmë persona.
Operacioni “Vjeshta” i ndërmarrë nga George Osborne nuk u përkrah nga pjesa më e madhe e britanikëve. Ministri i Ekonomisë pranoi se qeveria duhet të marrë hua 111 milionë sterlina më shumë nga sa ishte parashikuar brenda vitit 2016, për shkak të mungesës së rritjes ekonomike. Vitin e ardhëm, parashikohet që numri i të papunëve të arrijë në 2.8 milionë.
Një shifër që shkakton shqetësim veçanërisht te të rinjtë dhe në një vend që gjithmonë ka arritur të krijojë vende pune për çdo moshë. Sipas të dhënave të zyrës që mbulon kontrollin mbi buxhetin e Mbretërisë së Bashkuar (OBR – Office for Budget Responsibility), parashikimet për rritjen ekonomike janë ulur në 0.9% nga 1.7% që ishte vlerësuar pak muaj më parë.
Shifrat parashikohen më të zymta për vitin 2012, që sipas institucioneve të pavarura të kërkimeve nuk do të jetë më e lartë se 0.7%. I ndodhur në këto kushte, Osborne u ndie i detyruar për të paralajmëruar britanikët, se vitet në vazhdim nuk do të jenë edhe aq optimiste dhe se borxhi i Mbretërisë nuk do të mund të vihet nën kontroll, të paktën jo përpara zgjedhjeve të ardhshme elektorale. Pikërisht për këtë arsye ministri i Ekonomisë dhe Financave deklaroi se do të ketë shkurtime të mëtejshme të shpenzimeve, që llogariten në 15 miliardë sterlina më shumë në krahasim me shifrën që ishte vendosur më parë. Në terma politikë kjo do të thotë se zgjedhjet në vitin 2015 do të mbahen në një mjedis ekonomik aspak të favorshëm, ndaj dhe kjo nuk do ta ndihmojë aspak Partinë Konservatore.
Në një kohë që Kontinentin e Vjetër e ka mbërthyer kriza, Osborne premton se do ta mbrojë Britaninë e Madhe, por deklaron gjithashtu se nëse Europa do të bjerë në recension, atëherë do të jetë e vështirë që të parandalohen efektet.
Sipas ministrit, Britania e Madhe është duke vuajtur pasojat e një inflacioni që po kap majat, ndaj dhe për të mbyllur “vrimën” e financave publike, masat shtrënguese do të vazhdojnë deri për periudhën 2016-2017. “Sfida jonë është më e madhe nga sa mund të imagjinohet”, tha Osborne.