Një rënie drastike e investimeve të huaja është regjistruar në Bullgari, veçanërisht në sektorin e prodhimit dhe inovacioneve.
Një renditje e shkollës prestigjioze e biznesit zviceran International Institute for Management Development (World Competitiveness Yearbook) e ka vendosur Bullgarinë ndër vendet më pak konkurruese në botë.
Sipas renditjes, raportuar nga BTV i Bullgarisë, vendi është i 56-i në mesin e 59 shteteve të studiuara, duke rënë 20 vende më poshtë gjatë katër viteve të fundit.
Vetëm Kroacia, Argjentina dhe Venezuela janë prapa Bullgarisë.
Kamen Kolev, nënkryetar i Shoqatës Industriale Bullgare, BIA, është cituar të thotë se është regjistruar një rënie drastike e investimeve të huaja në vend, veçanërisht në sektorin e prodhimit dhe inovacioneve. Ai ka theksuar se taksat e ulëta nuk mjaftojnë për të nxitur ekonominë.
Instituti Ndërkombëtar për Menaxhim dhe Zhvillim (IMD) e përcakton konkurrencën ekonomike kombëtare si “aftësia e një kombi për të krijuar dhe ruajtur një mjedis që mbështet krijimin e një sistemi me më shumë vlera për ndërmarrjet e saj dhe më shumë prosperitet për popullin e saj”.
Sipas IMD, “disa kombe e mbështesin konkurrueshmërinë më shumë se të tjerët, duke krijuar një mjedis lehtësues për konkurrencën e ndërmarrjeve dhe inkurajon mbështetjen afatgjatë”. IMD i rendit dhe analizon këto mjedise.
Metodologjia e IMD për “World Competitiveness Yearbook” e saj e ndan mjedisin kombëtar në katër faktorë kryesorë, secili përfshin pesë nënfaktorë: Performanca ekonomike (ekonomia vendase, tregtia ndërkombëtare, investimet ndërkombëtare, punësimi, çmimet); Efektiviteti i qeverisë (financat publike, politika fiskale, kuadri institucional, legjislacioni i biznesit, kuadri shoqëror); Efikasiteti i Biznesit (tregu, produktiviteti i punës, financat, praktikat e menaxhimit, qëndrimet dhe vlerat), dhe Infrastruktura (infrastruktura bazë, infrastruktura teknologjike, infrastruktura shkencore, shëndetësia dhe mjedisi, arsimi).