Një prej furnizuesve kryesorë të Mercedes, i cili vitin e kaluar njoftoi investimin e tij për ndërtimin e një fabrike për prodhimin e makinave në Bullgari, hapi zyrtarisht një qendër kërkimore dhe zhvillimore në Sofje.
Odelo Farba në Bullgari merret me projektet që lidhen me prodhimin e dritave të pasme LED për automjete. Produktet e gatshme të prodhuara prej saj do të hidhen në treg nëpërmjet një prodhimi masiv, dy vjet pas fazës fillestare të projektimit. Sipas informacioneve të kompanisë, Qendra për Kërkim dhe Zhvillim përbëhet nga 10 inxhinierë të kualifikuar.
“Deri në fund të këtij viti, ekipi pritet të shkojë deri në 20 vetë, ndërsa në fund të tre viteve, ai pritet të arrijë një numër prej 40 punonjësish, të cilët do të punojnë në disiplina të ndryshme, si në dizajn mekanik, optikë, elektronikë hardware, elektronikë software dhe në testime”, specifikuan përfaqësues nga kompania Odelo Bulgaria.
“Kur ne gjejmë mjedisin e përshtatshëm me kapitalin njerëzor të duhur dhe mbështetjen e qeverisë, investimet tona janë padyshim të suksesshme dhe ne jemi të bindur se biznesi ynë në Bullgari do të jetë fitimprurës, ndërkohë që ne do të vazhdojmë të prodhojmë më shumë”, tha presidenti i grupit, Ahmet Baikratar. “Ne po kërkojmë specialistë të rinj, të cilët janë të gatshëm për të përmbushur sfidat e sektorit të automobilave dhe për ta zhvilluar këtë mjedis, tha zëvendësdrejtori i përgjithshëm, Mursel Gülen.
Hapja e Qendrës për Kërkim dhe Zhvillim në Sofje është pjesë e investimit 40 milionë eurosh, i bërë publik vitin e kaluar në tregun bullgar.
Odelo është një prej furnizuesve kryesorë të makinave që punon për prodhuesit më të mëdhenj të makinave, si Daimler, BMW, Audi, VW, Renault, Toyota etj. Kompania ka fabrika në Gjermani, Slloveni, Turqi dhe Kinë, si dhe qendra zhvillimi në Shtutgart dhe Bursa. Numri i përgjithshëm i të punësuarve e kapërcen shifrën 4.000.