Në një seancë të Komisionit Parlamentar, ministri i Ekonomisë, Emil Karanikolov, tha se ata që punojnë në sektorin publik, nëpërmjet një programi qeveritar, do të vënë re rritjen më të shpejtë të normës së të ardhurave, ku pagat do të rriten me 10%. Ndërsa pagat e arsimtarëve do të shënojnë rritje më të lartë, me 20%.
Edhe pse këto janë hapa pozitivë drejt progresit, nuk janë të mjaftueshëm – shtoi ministri i Ekonomisë. “Kjo është arsyeja se përse ne po punojmë edhe në drejtim të investimeve më të mëdha strategjike, që do të na çojnë drejt një rritjeje më të lartë ekonomike”, shtoi kreu i Financave, duke u kërkuar deputetëve të mos diskutojnë më mbi projektin e investimit gjigant në industrinë e automobilave në Bullgari.
“Falë të gjithë ekspertëve dhe mbi njëqind njerëzve që punojnë çdo ditë për realizimin e këtij projekti, shpresoj dhe kam bindjen se shumë shpejt ne do të jemi në fazën përfundimtare”, vijoi z. Karanikolov. Pyetjes së një prej gazetarëve të pranishëm, ministri iu përgjigj se për çdo investitor strategjik të huaj, qoftë të madh apo të vogël, ekziston konkurrencë e ashpër. “Bullgaria është pjesë e një rajoni të tillë, ku të gjitha shtetet fqinje do të ‘luftonin’ me njëra-tjetrën për të tërhequr çdo investitor të mundshëm”, u shpreh z. Karanikolov.
Pyetjes së një gazetari tjetër në lidhje me rrezikun e një recesioni të mundshëm në Bullgari dhe nëse ngadalësimi i rritjes ekonomike, për të cilin po flitet aq shumë, është i vërtetë, ministri iu përgjigj se ngadalësimi i rritjes ekonomike është në nivel global dhe se gjatë 2019-s, rreziqet që Bullgaria të kalojë në recesion janë të pakta. Ai pranoi faktin se ekonomia bullgare ndikohet padyshim nga koniunktura ndërkombëtare.
Ministri Karanikolov tha se në takimin që do të mbahet gjatë këtij muaji, të gjitha vendet e përfshira në çështjen e ndryshimeve të të ashtuquajturit “ligji i karburantit” janë të ftuara të vijnë pranë Ministrisë, ku do të prezantohen me zgjidhje të ndryshme.