Flet Sokol Dishnica, Drejtor i Përgjithshëm i ALPEX
Bursa e Energjisë, një projekt i përfolur për vite me radhë si pjesë e ndryshimeve që erdhën me modelin e ri të tregut, pritet të konkretizohet këtë vit.
Sokol Dishnica, Drejtor i Përgjithshëm i Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX), tha për “Monitor” se pritshmëria është që transaksionet e para të nisin në tremujorin e tretë të këtij viti. Sipas Dishnicës, në krye të vitit, gjithçka do të jetë qartësuar dhe do të ndihen efektet jo vetëm në tregun vendas, por edhe në atë të Kosovës. Në fokus, këto kohë, ka qenë përzgjedhja e platformës së tregtimit, për të cilën procedura do të jetë ndërkombëtare dhe ky aspekt po asistohet nga USAID.
Në çfarë faze ndodhet ALPEX si përgjegjëse për organizimin e tregut të energjisë?
Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike, e njohur me emrin e saj tregtar ALPEX, u themelua bazuar në procedurat e përcaktuara në VKM-të përkatëse të miratuara për këtë qëllim. Procesi u përmbush nëpërmjet organizimit të një tenderi ndërkombëtar, që kishte si qëllim përzgjedhjen e aksionerëve të ardhshëm të shoqërisë. Aksionerët e ALPEX janë Operatorët e Sistemeve të Transmetimit të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët më 5 tetor 2020, nënshkruan në Prishtinë marrëveshjen për themelimin e ALPEX.
Në vijim, shoqëria ndërmori të gjitha procedurat e nevojshme për regjistrimin e saj në QKB, përzgjodhi organet drejtuese, si dhe miratoi strukturën organizative. Gjithashtu, është miratuar strategjia e biznesit për tre vitet e ardhshme, si dhe plani ekonomik për vitin 2020-2021, i cili identifikoi nevojat për investimet e nevojshme dhe mbulimin e shpenzimeve për të bërë sa më funksional tregun e organizuar të energjisë elektrike.
Platforma e tregtimit
Elementi më i rëndësishëm i saj është platforma e tregtimit, e cila do të përzgjidhet nëpërmjet një tenderi ndërkombëtar, në bazë të ligjit të prokurimit publik. Për këtë përzgjedhje janë duke u përgatitur termat e referencës nën asistencën e USAID-it. Në planifikojmë që procedurën tenderuese ta shpallim në janar 2021.
A është e plotësuar e gjithë struktura sa u takon kapaciteteve njerëzore dhe infrastruktura e nevojshme për funksionimin e saj të afërm?
Organet drejtuese të shoqërisë, rishtazi kanë miratuar dokumentin që lidhet me përshkrimin e punës për çdo pozicion brenda shoqërisë. Dokumenti është realizuar në bashkëpunim me konsulentin IFC. Ne kemi përzgjedhur personelin drejtues të shoqërisë, të cilët vijnë nga përvoja të gjata dhe të rëndësishme në fushën e biznesit dhe energjisë. Njëkohësisht, jemi duke përzgjedhur njerëzit, për çdo pozicion të parashikuar, sipas një kalendari të përcaktuar bazuar në fazat në të cilat do të ndodhet shoqëria lidhur me operacionalizimin e saj.
Për sa i përket infrastrukturës janë identifikuar dhe përcaktuar nevojat, si dhe është bërë buxhetimi i tyre. Pas miratimit të planit ekonomik nga Asambleja e Përgjithshme, u hap rruga që ALPEX të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të siguruar këtë infrastrukturë.
Elementi më i rëndësishëm i saj është platforma e tregtimit, e cila do të përzgjidhet nëpërmjet një tenderi ndërkombëtar, në bazë të ligjit të prokurimit publik. Për këtë përzgjedhje janë duke u përgatitur termat e referencës nën asistencën e USAID-it. Në planifikojmë që procedurën tenderuese ta shpallim në janar 2021.
Kur pritet të bëhet tregtimi i parë i energjisë elektrike në këtë bursë dhe cilat janë efektet pozitive që do të sjellë në treg?
Një plan veprimi për ta bërë funksional tregun e energjisë është rënë dakord me të gjitha palët e interesit dhe konsulentët në një komitet të posaçëm të udhëhequr nga MIE. Në të ishte parashikuar fundi i muajit mars 2021, si momenti i fillimit të tregtimit në tregun e ditës në avancë. Por, për shkak të disa vonesave të natyrave të ndryshme, do të kemi një shtyrje deri në tremujorin e tretë 2021, së pari në tregun shqiptar dhe për pak muaj, edhe atë të Kosovës. Shqipëria dhe Kosova janë duke krijuar tregun e përbashkët të energjisë elektrike, në mënyrë të ngjashme me modelin e vendeve nordike.
Ky treg i përbashkët do të jetë dy herë me i madh, si dhe me diversitet më të lartë në lidhje me natyrën e gjeneruesve të energjisë, duke sjellë më shumë likuiditet dhe tendencë për çmime sa më konkurruese, si rrjedhojë e ndërveprimit që do kenë pjesëmarrësit në treg.
Kontratat dypalëshe të tregtimit të energjisë elektrike, të cilat pasqyrojnë realitetin e sotëm, do të kalojnë në një treg të organizuar të energjisë elektrike, ku palët nuk do ta njohin më njëra-tjetrën. ALPEX do të luajë rolin e palës qendrore, e cila do të lidhë transaksionet e pjesëmarrësve të tregut. Tregtimi i energjisë nëpërmjet ALPEX garanton siguri dhe transparencë, duke shmangur manipulimin dhe çështjet e abuzimit të tregut, eliminon riskun e pagesave, rrit përfitimin socio-ekonomik të së gjithë shoqërisë (social welfare) si për shitësit, blerësit dhe konsumatorët, si dhe ul kostot e prodhimit për gjeneruesit dhe shfrytëzimin e kapaciteteve ndërkufitare.
Sa të interesuara janë palët e tjera të tregut si tregtarët apo furnizuesit për t’u bërë pjesë e kësaj burse? A keni komunikime të vazhdueshme me ta?
Sapo të kemi përfunduar fazën e parë të nisjes së procedurave për përzgjedhjen e ofruesit të shërbimit për platformën e tregtimit, do të nisin menjëherë diskutimet midis ALPEX dhe pjesëmarrëseve të tregut, diskutime në lidhje mbi modelin e biznesit, përfitimet nga ky model tregtimi, hapat e nevojshëm të cilat duhet të ndërmarrin pjesëmarrësit e tregut për t’u kualifikuar që të tregtojnë në bursën e energjisë, etj.
Pjesë e ALPEX-it është edhe Operatori i Transmisionit dhe Tregut të Kosovës, KOSTT, si ka qenë bashkëpunimi deri tani dhe çfarë avantazhi ka fakti që është një sipërmarrje mes dy vendesh?
I gjithë procesi i krijimit të ALPEX është kryer nëpërmjet një bashkëpunimi të shkëlqyer të grupit të përbashkët të punës me specialistë të dy kompanive OST dhe KOSTT. Ky grup pune draftoi strategjinë e funksionimit të ALPEX dhe procedurat e brendshme të shoqërisë, të cilat ishin bazë për miratimin e çdo dokumenti. Tregu ynë i përbashkët është i ndërlidhur me shumë vende të rajonit, duke i pozicionuar gjeografikisht të dyja vendet në një udhëkryq të rëndësishëm të rrugëve energjetike në rajon.
Gjithashtu, do të bëhet shfrytëzimi maksimal të kapaciteteve të interkonjeksionit mes dy vendeve. Ne mendojmë që si Shqipëria, edhe Kosova, do të duhet të shfrytëzojnë faktin që kanë një diversifikim të prodhimit të energjisë, ku Shqipëria e bazon atë mbi prodhimin hidro dhe Kosova mbi prodhimin me lignit.
Potencialisht, kjo do të sjellë ulje të mundshme të kostove të prodhimit nga gjeneruesit e të dy vendeve dhe blerjen e humbjeve nga operatorët e sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes me kosto sa më të ulet. Diversifikimi do të bëjë të mundur administrimin më të mirë të shërbimeve ndihmëse, duke përthithur mirë disbalancimin që do vijë nga shtimi i burimeve të rinovueshme.
Është folur shumë për modelin e kësaj burse vitet e fundit, por a mund të kemi serish një shtjellim me disa detaje për modelin?
Në ligjin 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”, VKM, nr. 519 date 13.07.2016 “Për miratimin modelit të Tregut të Energjisë Elektrike” dhe rregullat e tregtimit të Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike të miratuar nga ERE, janë të përcaktuar qartë modelet e tregtimin që ALPEX do të zhvillojë në përputhje me praktikat më të mira europiane. Tregjet e ALPEX do të jenë ai i ditës në avancë (day ahead market) dhe brenda së njëjtës ditë (intraday market). Tregu i parë nënkupton tregtimin e energjisë një ditë më parë deri në mbylljen e saj (gate closure), ai i së njëjtës ditë do të lejojë tregtimin deri një orë përpara se energjia të lëvrohet.
ALPEX do të jetë pala qendrore për ofruesit dhe blerësit e energjisë në treg, duke kryer dhe funksionin e rakordim-faturimit dhe likuidimit financiar (clearing house) të të gjitha detyrimeve që do lindin nga ankandet e bursës së energjisë. Në rastin e Shqipërisë, një ndër mekanizmat financiarë që do të nxisë tregtimin në bursë, i përcaktuar qartë në modelin e tregut, është Kontrata për Diferencë (CfD), që do të përdoret si një masë e përkohshme, e cila do të lejojë lëvizjen e vëllimeve nga marrëveshjet dypalëshe kontraktuale në ALPEX, të cilat më tej do të jenë pjesë e tregut.
Duke përdorur CfD, bëhet i mundur respektimi i tarifës së rregulluar, nëpërmjet detyrimit të shërbimit universal, aktualisht në fuqi midis KESH-it dhe OSHEE-së, duke lënë gradualisht pjesë të vëllimit në tregun e parregulluar.
Ne do të hyjmë shumë shpejt në bashkimin e tregjeve Shqipëri-Kosovë, (market couplin) ku e njëjta bursë energjetike, në këtë rast ALPEX, do të menaxhojë dy zona të veçanta tregtimi. Në rastet kur kapacitetet ndërkufitare ndërmjet dy vendeve nuk do jenë të kufizuara, tregjet do të konsiderohen si në një të vetëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.