Sot në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u çel Java e Parasë për vitin 2023. Kjo Javë është një festë mbarëbotërore e parasë që ka për qëllim ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe të rinjve për të qenë qytetarë të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të aftë për të marrë vendime financiare të mirëmenduara.
Gjatë kësaj jave, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, organizojnë aktivitete të larmishme për fëmijët dhe të rinjtë. Në thelb të këtyre aktiviteteve qëndron edukimi financiar, më konkretisht: si të kujdesen për paratë, si të kursejnë, si të mendojnë financiarisht. Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko nënvizoi rëndësinë e edukimit financiar të publikut si një faktor i rëndësishëm për arritjen e objektivave të Bankës së Shqipërisë në raport me stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar.
“Me gjithë ndërhyrjet e qenësishme të qeverive dhe bankave qendrore në mbarë botën, në përgjigje të këtyre goditjeve të njëpasnjëshme dhe të fuqishme në ekonomi, ku përfshihen paketat ndihmëse, kontrollet mbi çmimet dhe ndërhyrjet e politikës monetare, vlerësojmë se efektshmëria e tyre është e lidhur pashmangshmërisht me një ambient me nivel të lartë kulture dhe përfshirjeje financiare. Një individ i kulturuar financiarisht – pra që zotëron njohuritë, tregon sjelljen dhe mban qëndrimet e duhura financiare – jo vetëm merr vendime të mirinformuara në marrëdhëniet e tij të përditshme financiare, por dhe kupton dhe reagon në mënyrën e duhur ndaj mesazheve të autoriteteve politikëbërëse, duke i bërë më efektive masat e marra prej tyre. Po ashtu, një individ i përfshirë financiarisht është në gjendje të përfitojë sa më shumë nga produktet e shërbimet novatore në dispozicion, dhe falë kulturës financiare di të lundrojë në mënyrë të sigurt në një treg financiar që evoluon me shpejtësi. Për këto arsye, Banka e Shqipërisë e ka shndërruar kulturën dhe përfshirjen financiare në një prej objektivave të rëndësishëm të mandatit të saj, duke e bërë pjesë integrale të detyrave të saj institucionale,” tha Sejko.
Në këtë kuadër, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe të gjithë partnerët e brendshëm ka punuar për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Edukimit dhe Përfshirjes Financiare (SKEPF), që përshkruan parimet dhe objektivat e përgjithshme të edukimit dhe përfshirjes financiare. Ky material mbështetet mbi punën shumëvjeçare të Bankës së Shqipërisë për matjen dhe studimin e kulturës financiare në vend, përvojat e suksesshme në zhvillimin e programeve edukuese dhe në praktikat më të mira ndërkombëtare, bazuar në rekomandimet e INFE/OECD dhe të Bankës Botërore. Synimi i strategjisë kombëtare është t’i sjellë të gjitha institucionet e interesuara në rang kombëtar brenda një strukture ndërinstitucionale me një objektiv dhe program të koordinuar, për rritjen e kulturës dhe përfshirjes financiare në fushat që ato mbulojnë.
“Ne kemi bindjen se një dokument i tillë, i përshtatur me nevojat e vendit për edukim financiar, do të ndihmojë në bashkërendimin e veprimeve dhe përgjegjësive të aktorëve të ndryshëm, në rritjen e efektivitetit për arritjen e objektivave. Strategjia do të përcaktojë objektivat, instrumentet, planet e veprimit, burimet e financimit, monitorimin dhe vlerësimin, si dhe raportimin e progresit të arritur, për secilin nga institucionet tona. Jemi të sigurt se ky do të jetë një hap cilësor që do t’i bëjë më të frytshme të gjitha programet dhe iniciativat tona në fushën e edukimit financiar, përfshirë edhe Javën e Parasë,” tha Guvernatori.
Ai nënvizoi gjithashtu moton e aktivitetit “Administro paratë e tua, kultivo të ardhmen tënde!”, duke theksuar edhe njëherë rëndësinë e një përqasjeje të kujdesshme e proaktive ndaj parasë, për siguruar një të ardhme të begatë për te rinjtë duke i pajisur me njohuritë e duhura mbi një treg financiar gjithnjë e më të pasur me risi.
Më tej aktiviteti vijoi me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit 5 konkurseve të para të organizuara nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave me rastin e Javës së Parasë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.