Drejtuesit e bizneseve kanë kërkuar politikë tatimore të drejtë, transparencë ndaj tatimpaguesve, ulje të ekonomisë informal si dhe analizë të ligjeve që rrisin barrën fiskale.
Dhoma Amerikane e Tregtisë organizoi një forum me pjesëmarrjen e Drejtorëve Ekzekutivë (CEO) të anëtarëve të Dhomës dhe Ministrin e Financave, z. Ervin Mete, që synon të nxisë një diskutim të rëndësishëm mbi çështje kritike te biznesit, duke përfshirë transparencën dhe qëndrueshmërinë e sistemit fiskal, përmirësimin e legjislacionit tatimor dhe zgjerimin e bazës së tatimpaguesve.
“Ky Forum i CEO-ve nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit midis biznesit dhe qeverisë në formësimin e politikave efektive fiskale për rritje të qëndrueshme ekonomike. Përpjekjet tona të bashkërenduara hapin rrugën për një të ardhme me vizion për të dy palët, që në fund të fundit janë në shërbim të biznesit dhe qytetarit.” – Z. Grant Van Cleve, President, Dhoma Amerikane e Tregtisë.
“Dialogët tanë të qëndrueshëm me Ministrinë e Financave, brenda fushës së diskutimeve të ekspertëve, kanë qënë rezultativ. Përpjekje të tilla bashkëpunimi janë thelbësore në hartimin e strategjive dhe politikave efektive.” – Z. Neritan Mullaj, Drejtor Ekzekutiv, Dhoma Amerikane e Tregtisë.
Lidhur me ndryshimet ligjore në proces: bizneset thelsuan se është e domosdoshme një analizë rigoroze e projektligjeve të propozuara kohët e fundit që ndikojnë në barrën fiskale, duke përfshirë ato që kanë të bëjnë me taksën mbi pasurinë e paluajtshme, sigurimin e detyrueshëm ndaj tërmeteve, projektligji për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit. Në takim u radhitën shqetësimet e ngritura nga bizneset në lidhje me mbivendosjen e taksave dhe përfshirjen e nevojshme të Ministrisë së Financave.
Bizneset theksuan domosdoshmërinë për politika tatimore të drejta, të qëndrueshme dhe të parashikueshme për të zbutur efektet e pafavorshme mbi bizneset. Sugjerohet që Ministria e Financave t’i japë përparësi përditësimit të Udhëzimit për Tatimin mbi të Ardhurat, duke integruar reagimet e mbledhura nga bizneset që nga fillimi i zbatimit. Për më tepër, duhet bërë një fushatë gjithëpërfshirëse sensibilizuese që synon ndërgjegjësimin e biznesit për zbatimin e ligjit të ri për tatimin mbi të ardhurat.
U theksua domosdoshmeria për të publikuar të gjitha qëndrimet në lidhje me dispozitat specifike ligjore nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve apo Ministria e Financave. Gjithashtu, u theksua nevoja për rritjen e proceseve të konsultimit dhe komunikimit institucional për të siguruar publikimin në kohë të projekt-akteve dhe reagimet e përgjegjshme ndaj komenteve të biznesit.
Bizneset kërkuan që të luftohet kkonomia informale dhe nxitet zgjerimi i bazës së tatimpaguesve: Përkrahet fuqimisht rritja e të ardhurave buxhetore, përmes integrimit të më shumë tatimpaguesve në ekonominë formale, pa përdorur rritjen e normës së tatimit. Hartimi i nje politike kundër informalitetit konsiderohet thelbësor për arritjen e këtij objektivi.
Bizneset janë në pritje të miratimit të një Udhëzimi të Ri të Ministrit të Financave për zbatimin e Marrëveshjeve Tatimore. Vazhdojnë shqetësimet lidhur me vonesat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) në zbatimin e këtyre marrëveshjeve, me vonesa të vazhdueshme ose përgjigje jo të plota për aplikimet.
Bizneset kërkuan rivitalizimin e Këshillit Tatimor, pasi janë shumë të dobishme përfitimet nga riaktivizimi i Këshillit Tatimor për nxitjen e politikave fiskale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.