Çfarë pritet për rregullat fiskale të BE-së?

28/11/2020 10:00 PM 0 komente

Pezullimi i librit të rregullave mund të ofrojë hapësirë për një rimendim më të gjerë

 

Pyetja Schleswig-Holstein, një pyetje ngacmuese diplomatike e shekullit XIX, thuhej se ishte aq e ndërlikuar, saqë nga tre njerëzit që kishin arritur ta kuptonin, njëri i kishte harruar të gjitha, tjetri kishte vdekur dhe i treti ishte çmendur. Lexuesit e 108 faqeve të “Vade Mecum” të Komisionit Europian mbi Paktin e Stabilitetit dhe Rritjes (SGP), libri i rregullave fiskale të Bashkimit Europian, e njeh mirë këtë gjendje.

Me kalimin e viteve, rregullat kanë krijuar një sërë përjashtimesh, mundësish interpretuese dhe klauzolash. Asnjë ministër i Financave në Europë nuk i kupton ato plotësisht, thotë një person i brendshëm në Bruksel, shkruan The Economist.

Megjithatë, në zemër të rregullave të BE-së qëndrojnë dy shifra të thjeshta, të ankoruara në Traktatin e Mastrihtit të vitit 1992: qeveritë duhet të synojnë të përdorin deficite buxhetore jo më të larta se 3% e PBB-së dhe të mbajnë stokun e borxhit publik në 60% të PBB-së. Teksa shtetet u përgatitën për të hyrë në një bashkim monetar pa një autoritet qendror fiskal, rregullat ishin të nevojshme për të lidhur duart e shpenzuesve të shpenguar. Por praktika quid pro quo për rregulla strikte ishte një proces i politizuar.

Në vitin 2003, Franca dhe Gjermania e tejkaluan pragun e deficitit dhe më pas e bindën pjesën tjetër të BE-së që t’i linte të shpëtonin pa ndëshkime; një nga goditjet e hershme në besueshmërinë e librit të rregullave, nga e cila disa thonë se ajo nuk u rimëkëmb më kurrë.

Rregullat fiskale janë lëkundur në mënyrë periodike gjatë viteve. Brukseli u largua nga objektivat kryesore për t’u përqendruar në deficite “strukturore” që kërkonin të eliminonin efektin e ciklit të biznesit. Por krijimi i vlerësimeve të besueshme në kohë reale ka qenë i pamundur – shpesh duke i detyruar qeveritë të shtrëngohen para kohe.

Në vitin 2011, anëtarët ranë dakord që nivelet e borxhit mbi kufirin 60% duhet të shkurtohen me një të njëzetën çdo vit. “Kompakti fiskal”, i miratuar me nxitjen e Gjermanisë në vitin 2012, i detyron qeveritë të përpiqen të mbajnë deficitet strukturore pranë zeros. Në vitin 2015, komisioni sqaroi rastet në të cilat mund të pranoheshin përjashtime, përfshirë reformat strukturore me kosto paraprake dhe investimet publike.

E gjithë kjo lindi përbindëshin që Europa njeh sot. Ky shumim rregullash ka mundësuar negociata më të hollësishme midis komisionit dhe qeverive, argumenton Gregory Claeys nga Bruegel, një think-tank në Bruksel. Çmimi që duhej paguar ishte humbja e përgjegjësisë dhe transparencës.

Komisioni mund të udhëzojë një ministër të Financave, përgjegjës para një Parlamenti kombëtar, që të heqë disa pikë nga deficiti i tyre, duke ruajtur mundësinë e arritjes së një klauzole arratisjeje për më pas – dhe disa muaj më vonë, kur deficiti i rregulluar në mënyrë ciklike është rillogaritur, mund të ndryshojë strategjia.

“Në këtë pikë nis debati, a duhet t’ia them kryeministrit apo thjesht duhet t’i injoroj të këqijat?” thotë Thomas Wieser, një ish-zyrtar i Eurozonës. Mosbesimi nxitet më tej nga qeveritë që shpesh e kanë më të lehtë të fajësojnë rritjen e ngadaltë te kufizimet e Brukselit, sesa te mungesa e gatishmërisë së tyre për reforma.

Në shkurt, Komisioni Europian njoftoi rishikimin e rregullave. Covid-19 e pezulloi gjendjen, por edhe mund të ndikojë në ndryshimin e situatës. SGP është pezulluar deri në fund të vitit 2021, në mënyrë që të lejojë qeveritë të cilat përballen me të ardhura të mëdha dhe fatura të mëdha sociale, për të pasur deficite të mëdha. Kjo ofron hapësirë për një debat më të gjerë.

Qeveria italiane, me një ngarkesë borxhi thuajse sa 160% e PBB-së (shih grafikun), do ta ketë të vështirë ta shkurtojë me 5% në vit. Dhe me mungesën e municioneve në politikën monetare, politika fiskale duhet të bëjë më shumë për rimëkëmbjen.

Për disa, rregullat nuk janë më aspak të dobishme. Olivier Blanchard, një ish-ekonomist i FMN-së dhe dy bashkautorë të tjerë, thonë se në një botë ku rritja nominale ka të ngjarë të tejkalojë normat e interesit për një kohë të gjatë, barra e borxhit mund të jetë e qëndrueshme në nivele shumë më të larta se sa mund të imagjinohej kur po shkruhej Traktati i Mastrihtit. Autorët sugjerojnë zëvendësimin e rregullave të ndërlikuara me “standarde” më të lira, dhe zbatimin e një testi të qëndrueshmërisë së borxhit në planet buxhetore të vendeve.

Skema të tilla të gjera nuk kanë asnjë mundësi të bëhen realitet – dhe jo vetëm sepse ato do të nënkuptojnë rihapjen e traktateve të BE-së. Një propozim më i moderuar dhe i mbështetur nga Bordi Fiskal Europian, një organ këshillimor për komisionin, kërkon një kornizë më të thjeshtë: një “spirancë” borxhi (e cila disa sugjerojnë se mund të jetë më e lartë se 60%), dhe një rregull shpenzimesh që do të shkurtonte borxhin e tepërt, por do të rregullonte ritmin e shtrëngimit të rripave kur rritja është e ngadaltë. Vetë komisioni dëshiron të bëjë një dallim më të mirë midis investimeve dhe shpenzimeve aktuale.

Në veçanti, Franca po bën presion për ndryshime. Por pak çështje janë po aq përçarëse midis anëtarëve të BE-së sa politika fiskale. Dhe debati do të fillojë me seriozitet vetëm vitin e ardhshëm. Tani për tani, BE-ja është përqendruar në zbatimin e një plani rimëkëmbjeje prej 750 miliardë eurosh (880 miliardë dollarë) për të cilin ra dakord në korrik.

Disa shpresojnë se ky fond mund të shërbejë si një lloj ndihme për një lloj kapaciteti fiskal europian të përhershëm që do t’i bënte më pak të rëndësishme rregullat për qeveritë kombëtare. Por ky është një argument që duhet lënë për diskutim një herë tjetër./Përktheu: Lira Muça

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of