Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) raportoi këto ditë treguesit e përdorimit të monedhës së përbashkët në tregjet në mbikëqyrje si pjesë e nismës së vitit 2017 për zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe ekonominë shqiptare. Të dhënat tregojnë se ndryshimet në tregjet që mbikëqyr AMF janë të vogla apo të papërfillshme. Kështu lidhur me tregun e sigurimeve deri më 30.06.2019, primet e shkruara bruto rezultojnë për të gjithë aktivitetin e tregut Jo-Jetë dhe Jetë në rreth 8.1 miliardë lekë. Rreth 32% e tyre është realizuar në monedhën Euro. Kjo shifër mbetet pak a shumë e njëjtë me periudhën paraardhëse raportuese.
“Pesha e primeve të shkruara në Euro kundrejt totalit për aktivitetin e Sigurimit Jo-Jetë nuk ka shfaqur ndryshim në krahasim me fundin e vitit 2018, duke qëndruar po në nivelin 31%. Pesha e primeve të shkruara në Euro kundrejt primeve të shkruara bruto në total për aktivitetin e Jetës ka shënuar një rënie modeste me 2% duke arritur në 37%, nga 39% që ka qenë në 31.12.2018. Ndërkohë që vërehen rritje modeste të peshës së primeve të shkruara në Euro për klasën e jetës dhe shëndetit në udhëtim, jetës së studentit” thuhet në raportin e AMF.
I njëjti sqaron se në tregun e sigurimeve disa produkte tipike si kartoni jeshil apo sigurimi kufitar kanë përdorim 100 për qind të euros për lehtësi.
Tregu i Kapitaleve
Raporti i AMF vëren se në tregun e kapitaleve që mbizotërohet nga titujt e borxhit të qeverisë niveli i përdorimit të euros është i ulët. “Për 6-mujorin e parë të vitit 2019, vlera e transaksioneve në euro është e ulët. Kjo për faktin se gjatë kësaj periudhe nuk ka patur emetime të titujve të Qeverisë Shqiptare në euro. Vlera prej 88.95 milion lekë, i takon transaksioneve në tregun sekondar të obligacioneve 2-vjecare në euro të emetuara në vitet e mëparshme, përfshirë edhe shumën e shlyerjes në maturim, si pjesë e transaksioneve të tregut me pakicë” thuhet në dokument. Lidhur me Bursën AMF raporton se Bursa Shqiptare e Titujve (ALSE), e cila filloi aktivitetin në 22 shkurt 2018, ka realizuar në 6- mujorin e parë të vitit 2019 transaksione vetëm në titujt e Qeverisë. Të gjitha transaksionet e realizuara në bursë kanë qenë në tituj të nominuar në lekë, në ndryshim nga transaksionet e vitit 2018, ku një përqindje e vogël ka qenë në valutë të huaj.
Tregu i Fondeve të Investimit dhe të Pensioneve
Të dhenat zyrtare tregojnë se në tregun e fondeve të investimit operojnë pesë fonde, nga të cilët tre fonde investimi (një i licencuar në korrik 2018) kryejnë veprimtarinë në monedhën vendase lekë, një fond në monedhën Euro, ndërsa fondi tjetër investon kryesisht në monedhën Euro por edhe ne monedha të tjera.
“Fondi Raiffeisen Invest Euro, kryen të gjithë aktivitetin e tij në monedhën Euro duke nisur që nga mbledhja e kontributeve të anëtarëve, investimet e aseteve të fondit, tarifa e administrimit si dhe shlyerjet ndaj investitorëve. Asetet e këtij fondi janë rreth 81 mln Euro dhe zënë rreth 14.37% të totalit të aseteve të tregut. Edhe detyrimet e këtij fondi, të cilat përfaqësojnë detyrimin ndaj shoqërisë administruese për tarifën e administrimit dhe detyrime për pagesat ndaj kuota mbajtësit, mbahen përsëri në monedhën Euro dhe zënë rreth 5.96% të detyrimeve të tregut. Tre fondet e tjera të investimit të cilat operojnë në monedhën lekë nuk kanë investime në monedhën Euro dhe të gjithë asetet dhe detyrimet mbahen në monedhën vendase lekë” thuhet në raportin e AMF.
I njëjti nënvizon se në 6 muajt e parë të vitit 2019 asetet neto të fondeve në euro kanë pësuar rënie në krahasim me fundvitin 2018. Kjo rënie e aseteve neto në euro e shprehur në lekë për 6 mujorin e parë 2019 krahasuar me vitin 2018 ishte 348 milion lekë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.