Delivery, si mbijetesë për restorantet dhe kafenetë; Fati i 16% bizneseve të vendit, që kanë rreth 50 mijë të punësuar

25/04/2020 10:06 PM 0 komente

Baret e restorantet u mbyllën të parët në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Janë të fundit që do të hapen sikurse përsëritet shpesh. Shumica po kërkojnë alternativa mbijetese, për të ndalur disi hemorragjinë e biznesit dhe kalimi tek “delivery” është një prej tyre. Disa parapëlqejnë ta bëjnë këtë të vetëm, të tjerë zgjedhin platforma të dedikuara, por të gjithë bien dakord se biznesi sot duhet të tregohet elastik. Kushtet e vështira kanë sjellë pezullimin e stafeve, negociata për qiratë, shtyrje të investimeve në një sektor që punëson me dhjetëra mijë njerëz. Në horizont duken edhe leksionet e para të kësaj krize: të vegjlit do ta kenë të vështirë të mbijetojnë, diversifikimi është kyçi për sukses. Dhe…asgjë nuk do të jetë më si më parë, pasi kjo të ketë mbaruar.

 

 

Nga Nertila Maho

Juxhin Balliu kishte vendosur që në korrik të këtij viti të hapte një coffee shop në Krakov të Polonisë. Ky do të ishte testi i dytë në një vend të Europës Lindore pas Hungarisë, ndërkohë që në vend zotëron një rrjet prej 25 dyqanesh kafeje të njohura nën markën “Mon Cheri”.

Me situatën e re të koronavirusit, ku të gjithë baret-kafetë dhe restorantet mbeten të mbyllura, Juxhini mendon se ndoshta do t’i duhet të shtyjë pak planet për zgjerimin në Poloni. Situata mbetet e ngjashme edhe jashtë Shqipërisë. Ndërkohë, këtu ai ka vendosur të provojë shpërndarjen e porosive në adresën e klientëve kryesisht me produkte të kafesë që mund të konsumohen nga shtëpia si kapsula, kapuçino, kakao, por edhe ëmbëlsira.

Delivery, për momentin, shihet si një zgjidhje e të gjithëve, në një përpjekje për të mbijetuar dhe për të kaluar këtë fazë tranzicioni që askush nuk ka pritshmërinë se do të na çojë te normaliteti që kishim por tek një normalitet i ri, që do të kërkojë përshtatje. Bizneset duhet t’i bëjnë mirë llogaritë mbi masat e reja që do të marrin, të deklaruara nga qeveria. Ato nisin nga higjienizimi i vazhdueshëm i ambienteve, te masat mbrojtëse dhe dezinfektuese, si dhe distancat për tavolinat. Të gjitha këto pritet të rrisin kostot që ndoshta më herët nuk ishin në këto nivele, ndërkohë që do të pakësojnë tavolinat e disponueshme në kafene, restorante e bare. Biznesi i kësaj kategorie do të riformatohet dhe jo të gjithë do të mund të mbijetojnë pas kosto-përfitimit.

 

Në kohën e COVID-19, restorantet dhe kafenetë hedhin sytë te delivery

Koronavirusi ka bërë që disa shërbime të lulëzojnë. Një prej tyre është edhe ai i shpërndarjes dhe kjo nuk lidhet specifikisht vetëm me një sektor. Edhe pse në ditët e para kur u njoftuan rastet me koronavirus në vend gjithçka ndali, gradualisht restorantet që kishin shërbimin delivery filluan të kthehen në punë.

Ndërsa nuk mund të shërbenin ushqim në ambientin e tyre, dërgimi në shtëpinë e klientëve ishte një zgjidhje alternative që mund të ndalte hemorragjinë e biznesit që në këto kohë ka qenë e pashmangshme. Kjo ishte më e thjeshtë, për ata që prej kohësh e kishin integruar shërbimin delivery në biznesin e tyre. Për të tjerët, ky ishte një terren i pashkelur, por duke parë se situata duket afatgjatë, nuk mund të rrinin pa testuar.

Elvina Serani, nga NONA sh.p.k, e cila zotëron dy restorante me kuzhina krejt të ndryshme në Tiranë, thotë se për restorantin ku shërbimi “delivery” ishte ekzistues, gjithçka ka qenë më e thjeshtë.

“Për restorantin ‘Ulliri’, përvoja ‘delivery’ është e freskët fare, pasi bazë ka qenë porosia dhe konsumi në vend. Ndërsa ‘Yamato’ e ka pasur këtë shërbim edhe më herët, çka e bën më të thjeshtë praktikën pasi klientela e njeh. Sigurisht, si një nismë e re dhe e përshtatur me kushtet aktuale, ecuria për pjesën ‘delivery’ te restoranti është e ngadaltë, por është zgjidhja më e mirë që mund të bëhet në përshtatje të kushteve ku po jetojmë sot” – pohon ajo. Situata aktuale ka bindur edhe më skeptikët që të shohin alternativën e dërgimit te klienti dhe në rastet kur nuk mund ta bëjnë vetë, mund të zgjedhin një palë të tretë.

Genti Selenica, themelues i “Baboon-Food Delivery”, një start up që nisi në vitin 2016 si një shërbim për porositjen online të ushqimit, tregon se në këtë periudhë, në platformë janë afruar edhe biznese që ngurronin për një hap të tillë. “Sot, kemi edhe shumë restorante të reja. Me disa kishim një vit negociata dhe na e shtynin përfshirjen në platformë, por kanë hyrë menjëherë pas kësaj situate. Janë rreth 25 biznese që s’na kishin marrë në konsideratë deri më tani pasi janë brande ndërkombëtare ose kompani me emër të konsoliduar, por kjo situatë i bëri që ta shohin ndryshe delivery-n. Sot në 2020-n, bizneset e kuptuan që shërbimi i shpërndarjes së porosisë te klienti është një biznes paralel me atë që kanë për shërbimin e ushqimit në vend dhe duhet të përshtaten” – thotë Selenica.

 

Çfarë parapëlqejnë të konsumojnë shqiptarët në karantinë

Në ditët para vendosjes së karantinës së detyrueshme gjerësisht në vend, ato që na shoqëruan ishin pamjet nëpër supermarket, që të krijonin ndjesinë e një ndodhie apokaliptike. Karroca të tëra që mbusheshin, rafte të tërë që zbrazeshin dhe të gjithë duke nxituar. Ndërkohë po ato ditë, shumica zbuloi artin e kuzhinës dhe rrjetet sociale u mbushën me “mastershefa” në çdo familje. Pasi ka kaluar edhe kjo fazë, duket se porositja e ushqimit nga jashtë po shihet si një alternativë për të ndryshuar rutinën.

“Në nivel shkarkimesh, kemi pasur përdorues të rinj që në kushtet e izolimit janë përshtatur me alternativën e porositjes së ushqimit jashtë. Gjatë kësaj periudhe, klientë të rinj janë pothuajse 200 vetë në ditë, ndërkohë që mesatarja jonë ditore në kohë normale ka qenë 70 në ditë” tregon Selenica. Një tjetër arsye pse një pjesë po porosit jashtë shtëpisë është puna nga shtëpia. Një pjesë e mirë janë të detyruar të qëndrojnë para kompjuterit për orë e orë të tëra dhe pikërisht kjo sjell që të gjendet një zgjidhje më e lehtë për të konsumuar një vakt të mirë dhe të shpejtë.

Por çfarë pëlqejnë shqiptarët në karantinë? “Në përgjithësi, porosisin ato që nuk arrijnë dot t’i bëjnë në shtëpi. Për shembull tek restoranti që ka kuzhinën japoneze dhe është i dedikuar për sushin, normalisht zgjidhet e fundit pasi njerëzit nuk e përgatisin dot në shtëpi. Ndërsa tek restoranti tjetër, zgjidhen picat apo mishrat e gatuara në mënyra të ndryshme” – thekson Serani.

 

 

Mbyllja e restoranteve sjell efekt zinxhir edhe tek industritë e tjera

Industri të tjera që furnizonin me produkte rrjetin e restoranteve në të gjithë vendin janë vënë në vështirësi nga mbyllja dhe mostërheqja më e produkteve. Një ndër këto grupe është industria e bulmetit, që një pjesë të produkteve të tyre i kishin të orientuara për shitje pikërisht në këtë kategori biznesi. “Mbyllja totale e restoranteve ka shkaktuar 80% rënie të qarkullimit të fabrikës, pra rënia është drastike”, pohojnë përfaqësuesit e industrisë përpunuese.

Një tjetër industri është peshkimi, që sërish konfirmon se restorantet ishin pjesë e rëndësishme e zinxhirit të tyre. Situata për këto kompani është edhe më dramatike, po të kemi parasysh se koronavirusi nuk është vetëm një dhimbje koke shqiptare, por globale. Kompania “Gogo Eksport” prej vitesh eksporton prodhime bujqësore në tregjet e rajonit, Serbi, Maqedoni, Bosnjë etj.

Ajo sqaroi se, kërkesa për prodhime shqiptare ka pësuar rënie drastike. Kushtet klimatike e favorizojnë prodhimin dhe eksportin e hershëm të prodhimeve bujqësore sidomos në rajon në periudha normale. Por këtë vit, pandemia COVID-19 dhe kufizimi i lëvizjeve ka çuar në një trend tjetër konsumin dhe kërkesën. Kompania “Gogo” tha se klientët në rajon nuk po kërkojnë produkte të freskëta bujqësore si kastravec, kungull dhe domate. Sipas tij, mbyllja e restoranteve është një faktor, pasi ata ishin grosistët e mëdhenj në këto furnizime.

 

Kompanitë e mëdha të kafesë, rriten blerjet nga familjarët, situata e vështirë

Mbyllja e kafeneve ngriti një valë të tërë blerjesh alternative për të zëvendësuar këtë produkt në shtëpi, duke filluar nga kafeja turke tek kakaot, kapuçinot e deri tek ekspresët për kafe me kapsula ose jo. Klaudja Shtrepi, menaxhere marketingu në “New Century”, që ka në portofolin e saj edhe kafenë “Ama”, flet për situatën aktuale. “Momentalisht është rritur shitja e produkteve, të cilat konsumohen në shtëpi si kapsulat për kafe ekspres; kafe turke dhe kafe e ftohtë me qumësht natyral dhe iced coffe.

Për shqiptarët, kafeja është shumë më tepër se produkt, është një stil jetese, për të ndërthurur argëtimin në kohën e lirë dhe ndërveprimin social me miq. Situata po zhvillon dhe përshtat nevojat e konsumatorëve, duke shijuar edhe konsumin e kafesë ekspres në komoditetin e shtëpisë. Kjo sjellje e zhvilluar në kushte të detyruara, mendoj që do të ndikojë edhe në qasjen konsumatore për të kuptuar benefitet e të pasurit një ekspres në shtëpi” – thotë Shtrepi. Pavarësisht rritjes së blerjeve nga familjarët, kjo gjithsesi nuk e ndryshon humbjen që kompanitë e mëdha po pësojnë nga mbyllja e gjithë kafeneve në vend.

“Produktet barista zënë një peshë të rëndësishme në qarkullimin e kompanisë. Ky është produkti kryesor në industrinë e kafes. Ndikimi është shumë i lartë dhe i pakompensueshëm, pavarësisht trendit rritës që kanë produktet e tjera zëvendësuese për kategorinë në familje” – pohon ajo.

 

Kafete e restorantet përbëjnë 16% të ndërmarrjeve në ekonomi, punësojnë rreth 50 mijë individë

 

Sektori është ndër më të rëndësishmit për punësimin, duke u krahasuar me industrinë e tekstileve e këpucëve, që ka gjithsej rreth 55 mijë të punësuar. 64% e atyre që punojnë në bare e restorante janë meshkuj

Shumëkush habitet me numrin e lartë të kafeneve që ka në Shqipëri dhe faktin që ato janë gjithë ditën të mbushura. Por, a e dinit që Shërbimet ushqimore dhe pijet janë një sektor mjaft i rëndësishëm i ekonomisë vendase, si për numrin e subjekteve, ashtu dhe peshën që ato kanë në punësim, sidomos për djemtë e rinj.

Nga 15 marsi, baret dhe restorantet kanë ulur qepenat dhe po punojnë vetëm restorantet me shërbim “dorëzim në shtëpi”. Sektori që lidhet me shërbimin ushqimor dhe pijet, në strukturën e ekonomisë ka një peshë jo edhe aq modeste po të kemi parasysh që 16 për qind e ndërmarrjeve janë pikërisht kafe, bare, restorante.

Roli i tyre bëhet edhe më i rëndësishëm po të kemi parasysh punësimin në këtë sektor. Të dhënat zyrtare të Insitutit të Statistikave tregojnë se shërbimi ushqimor dhe pije punëson mbi 47 mijë individë nga të cilët 40% janë të vetëpunësuar.

Tendenca nga viti në vit ka qenë ajo e uljes së numrit të ndërmarrjeve të kësaj kateorie ku nga 18, 785 që ishin në vitin 2016 arritën në 17, 507 në vitin 2018. Por teksa numri i njësive ka rënë numri i të punësuarve është rritur çka tregon se shumica e tyre janë konsoliduar si biznese më të mëdha. Një faktor që mund të ketë ndikuar në këtë aspekt është pjesa e rrjeteve të coffe shop dhe kafeneve në formë franchais që po lulëzojnë prej disa vitesh tashmë me marka të regjistruara.

Pesha e punësimit të kësaj kategorie në totalin e gjithë punësimit në vend llogaritet 9 për qind të ndërmarrjeve në ekonomi. Në terma gjinorë të punësuarit e këtij sektori janë meshkuj kryesisht që në përqindje llogaritet rreth 64 për qind e totalit. Shumë djem të rinj punojnë si kamarierë, teksa mund të jenë duke ndjekur shkollën, apo nuk kanë gjetur një tjetër alternativë punësimi.

Sa i takon normës së fitimit tek ndërmarrjet e kësaj kategorie ajo ka rënë nga 12 për qind në vitin 2018 në 8 për qind në vitin 2018 ndëkrohë që informaliteti në këtë sektor llogaritet i lartë.

Për shkak te peshës së rëndësishme në ekonomi, mbyllja e përkohshme e bareve e restoranteve dhe një valë falimentimi e më të vegjëlve në të ardhmen, që nuk do të arrijnë të përballojnë kriteret e reja të sigrisë shëndetësore, pritet që të kenë një ndikim të fortë social në vend.

 

Pasojat

Për shkak te peshës së rëndësishme në ekonomi, mbyllja e përkohshme e bareve e restoranteve dhe një valë falimentimi e më të vegjëlve në të ardhmen, që nuk do të arrijnë të përballojnë kriteret e reja të sigrisë shëndetësore, pritet që të kenë një ndikim të fortë social në vend.

 

Juxhin Balliu, CEO dhe menaxher i “MON CHERI”

 

“COVID-19 do të ndikojë planet e bizneseve, do të diversifikohemi edhe tek retail”

“Institucioni” i kafesë, i shumëpëlqyer nga shqiptarët, është prekur rëndë nga COVID-19. Që prej ndalimit të hapjes së bar-kafeve, shumica e njerëzve e kanë zëvendësuar këtë me produkte të ngjashëm që mund të konsumohen nga shtëpia. Juxhin Balliu, Drejtor Ekzekutiv i rrjetit të coffee shop “Mon Cheri”, tha për “Monitor” se tashmë për klientët është bërë e mundur dërgimi i porosive në shtëpi.

Përdorimi i shërbimit delivery, edhe pse zë një përqindje modeste në raport me xhiron normale që bënte një coffee shop, është një mënyrë për të kaluar këtë fazë. Ai thotë se koronavirusi e ka nxitur të mendojë për një zgjerim të biznesit në retail si një mënyrë diversifikimi. Ndërsa planet e investimit për pika të reja “Mon Cheri”, një prej të cilave në Poloni, do të duhet të presin.

Situata e koronavirusit ka mbyllur të parat baret, kafenetë dhe restorantet dhe mesa duket do të jenë të fundit që do të hapen. Ju si një biznes, me një numër të konsiderueshëm pikash dhe funksiononi si zinxhir, si po e përballoni këtë situatë?

Ne kemi pezulluar pikat e shitjes dhe aktualisht po operojmë vetëm me pjesën e shpërndarjes, pra “delivery”. Në gamën e produkteve tona, kemi edhe produkte importi si kafe, kakao, si dhe kapsula, të cilat mund të konsumohen edhe në kushte shtëpie. Gjithsesi, edhe pse ka një lloj qarkullimi të tyre, xhiro mbetet e ulët në raport me totalin që qarkullonim. Është rreth 3%. Platforma online është minimale, por është parë si një alternativë për t’ju gjendur pranë klientëve. Kjo sa i takon pjesës së bareve që kemi në Shqipëri, që janë në total 25 pika fizike. Në Budapest, ku ne kemi një pikë, mbyllja u bë pak më vonë sesa këtu.

Si ka ndikuar koronavirusi në situatën e punësimit në biznesin tuaj dhe atë të zgjerimit?

Ne tashmë, prej dy vitesh, jemi të pranishëm me një pikë “Mon Cheri” në Budapest dhe po mendonim që të hapnim edhe një të dytë aty duke parë ecurinë e mirë. Në korrik synonim hapjen e një pike në Poloni dhe konkretisht në Krakov, ku maksimumi e kishim menduar korrikun si muajin e hapjes. Por këto plane tashmë shtyhen për shkak të situatës. Koronavirusi ka prekur planet e shumicës së bizneseve besoj. Sa i takon punësimit, ne kemi bërë pagesën e pagës për të gjithë punonjësit për muajin mars.

Ndërsa për prillin kemi hequr nga listëpagesa të paktën 70% të tyre, sepse është praktikisht e pamundur për ne që të përballojmë këtë kosto. Paralelisht ne kemi edhe kosto qiraje që po mundohemi t’i negociojmë me qiradhënësit, ku në një pjesë të mirë kemi gjetur mirëkuptimin për t’i shtyrë dhe përtë paguar vetëm një pjesë të saj, duke pasur parasysh që nuk kemi aktivitet.

Folëm pak për shërbimin “delivery”, sa është numri i dërgesave mesatare që ju bëni në një ditë?

Po e nisëm me diku tek 20-30 në ditë, pasi përveç produkteve të kafesë kapsulë dhe derivate të tjera si turke, kakao, kapuçino, kemi dhe ëmbëlsirat dhe gradualisht kemi shkuar tek 50-60, por ky është një raport që ndryshon dita-ditës dhe nuk mund ta kemi fiks. Sigurisht në raport me xhiron tonë ditore në kohën normale, kjo është shumë-shumë pak, por e kemi parë si një mënyrë alternative. Besoj se do të mbetet edhe pasi të kalojë kjo situatë dhe nuk e dëmton aspak një biznes, vetëm e plotëson atë.

Si u reflektua sjellja e konsumatorëve në situatën e koronavirusit në vendin tonë, çfarë keni vënë re ju si biznes? A prisni që kthimi në gjendje pune të jetë normal apo sërish me hezitim?

Në fakt, dy javë para se të njoftoheshin rastet edhe në vendin tonë, ne vumë re një rënie me 50% të xhiros dhe në ditët e fundit, edhe më shumë. Kjo ishte një sjellje që tregonte për një lloj paniku tek qytetarët. Kthimi gradual në punë i bizneseve do të ketë kosto të shtuara, qoftë prej kushteve të reja, qoftë edhe për skepticizmin që do të kenë njerëzit për të shkuar në ambiente publike me qarkullim. Frika do të ikë dalëngadalë, ashtu sikurse ndodhi me tërmetin dhe nuk mund të pretendojmë që do të ketë një normalizim direkt. Një element tjetër, që besoj se do të ndryshojë, do të jetë shërbimi.

Qeveria ka bërë publike deri tani paketat në ndihmë të biznesit. Njëra me pagën e luftës, tjetra ajo e garancisë për kredi për pagat e punonjësve dhe një paketë më e zgjeruar për sektorët që ishte e fundit. Ju si i shihni këto paketa? A keni përfituar apo a i kanë ardhur në ndihmë biznesit?

Unë do të shihja si ndihmë nëse do të jepej, atë për qiratë. Në Kosovë, për shembull, për bizneset u dha gjysma e pagesës së qirasë. Këtu tek ne u mor një nismë për shtyrjen e qirave por kjo nuk e zgjidh hallin e biznesit, e zgjat në kohë atë. Një nismë që mund të ndihmonte, do të ishte që shteti të paktën të hiqte dorë nga 15% që merr tek qiratë. Shteti duhet të jepte modelin dhe më pas negociatat mes qiradhënësve dhe qiramarrësve të vijonte si hallkë tjetër. Ndihma tek qiratë, ndoshta do të ndikonte që shumë biznese të mbanin më shumë staf.

Po pjesa e garancisë sovrane për të siguruar pagat, si ju duket?

Si biznes, do ta mendoja garancinë sovrane, nëse do të më jepte një dorë për investime, pra kredi që do të më sjellin dëshirën për të punuar. Një situatë si kjo e sotmja, do të ndikojë direkt në planet e kompanive që do të donin të rriteshin. Të gjendur në vështirësi, këto plane mund të mbeten thjesht të tilla ose të ndryshojnë drejtim. Për shembull, edhe ne si biznes, me kushtet e sotme po mendojmë si variant më të mirë diversifikimin, duke kaluar dhe duke zgjeruar më shumë shërbimin në shtëpi dhe investimin në retail.

 

Klaudja Shtrepi, Menaxhere Marketingu në “New Century”

 

“Kompanitë pa diversifikim do ta kenë të vështirë mbijetesën, çmimet do të rriten”

Kompanitë që nuk e kanë të diversifikuar portofolin e produkteve që ofrojnë do ta kenë të vështirë mbijetesën në kohën e koronavirusit. Klaudja Shtrepi Menaxhere Marketingu në “New Centtury”, që menaxhon marken  “Ama Caffe”, vlerëson se mbyllja e kafeneve ka ndikuar gjerësisht kompanitë e kafesë, pasi pjesa kryesore e qarkullimit bëhej pikërisht nga këto njësi.

Ajo thotë se është rritur tendenca e porosisë së kafesë nga familjarët si dhe blerjes së ekspresëve, por kjo kurrsesi nuk e zëvendëson qarkullimin që bëhej përmes bar-kafeve. Shtrepi sjell në vëmendje edhe çmimet që pritet të rriten si pasojë i situatës së luhatjeve të kursit të këmbimit dhe çmimeve të lëndës së parë në tregjet e huaja.

Si është përshtatur kompania juaj me kushtet e reja të operimit që ka imponuar COVID-19 dhe lëvizja e kontrolluar e qytetarëve? Si funksionon puna e përditshme dhe shpërndarja?

Në vijimësi të rregullave të reja që qeveria nxjerr, kompania ka përshtatur realizimin e detyrave të secilit punonjës. Një pjesë e punonjësve të administratës po e kryejnë punën nga shtëpia, ndërsa forca e shitjes dhe shpërndarja e produkteve që konsumohen në shtëpi i janë përshtatur përmbushjes së rregullave të vendosura dhe kërkesës së konsumatorit. Kanalet e marketingut janë thelbësore dhe ndërmjetësit si distributorët; rrjetet e marketeve, dyqanet elektronike, eshop kanë luajtur rol të rëndësishëm në shpërndarjen kudo të produkteve të ama® caffè gjatë kësaj periudhe.

Cilat janë tendencat që keni vënë re në treg në kushtet e sotme? Flasim për tërheqjen e sasisë së kafesë nga familjarët, zyrat apo segmente të ngjashme…

Portofoli i produkteve është i diversifikuar, duke targetuar kanale të ndryshme shitje dhe segmenton profile të ndryshëm konsumatorësh. Është rritur shitja e produkteve të cilat konsumohen në shtëpi, si kapsulat për kafe ekspres; kafe turke dhe kafe e ftohtë me qumësht natyral dhe ama iced coffee.

Për shqiptarët, kafeja është shumë më tepër se produkt, është një stil jetese, për të ndërthurur argëtimin në kohën e lirë dhe ndërveprimin social me miq. Situata po zhvillon dhe përshtat nevojat e konsumatorëve, duke shijuar edhe konsumin e kafesë ekspres në komoditetin e shtëpisë. Kjo sjellje e zhvilluar në kushte të detyruara, mendoj se do të ndikojë edhe në qasjen konsumatore për të kuptuar përfitimet e të pasurit një ekspres në shtëpi. Prej 7 vitesh kemi futur kafenë kapsulë.

Ndër vite janë shtuar dashamirësit e saj duke na bërë pjesë të rutinës së përditshme dhe veçanërisht këtë periudhë, kur janë kufizuar alternativat e tjera të konsumimit të kafesë, është rritur konsumi i kapsulave në shtëpi. Gjatë kësaj kohe është rritur kërkesa për të blerë ekspres. Edhe pse është një situatë e vështirë edhe për biznesin, ne kemi bërë oferta promocionale për të mbështetur këtë investim që konsumatorët do të duhet të bëjnë gjatë kësaj periudhe.

Ndërkohë, kanali i shitjes në zyra është ndikuar sipas gjithë kufizimeve që janë bërë, për t’u pezulluar zhvillimi normal i biznesit në disa industri.

Si ka ndikuar mbyllja e bareve dhe restoranteve në qarkullimin ditor? Sa ju ka prekur kjo pjesë?

Produktet barista zënë një peshë të rëndësishme në qarkullimin e kompanisë, gjithashtu është produkti kryesor në industrinë e kafesë. Ndikimi është shumë i lartë dhe i pakompensueshëm, pavarësisht trendit rritës që kanë produktet e tjera zëvendësuese për kategorinë në familje.

Cilat janë produktet më të shitura në gamën që ju ofroni gjatë këtij një muaji të karantinës?

Produkti më i shitur është ama® kapsulë, zëvendësuesi i drejtpërdrejtë i kafesë ekspres, të cilët konsumatorët e kanë të ndaluar ta konsumojnë në bare dhe restorante.

A po vijoni me pjesën e marketingut gjatë kësaj periudhe apo jeni tërhequr, ashtu sikurse ka ndodhur me pjesën më të madhe të sektorëve?

Strategjia e komunikimit marketing sigurisht që ka ndryshuar, duke ju përshtatur situatës. Siç e përmenda, është rritur shumë kërkesa për blerjen e ekspresëve dhe ne po ofrojmë të gjithë llojet e modeleve të ekspresëve me çmime promocionale. Dërgesat janë falas në të gjithë Shqipërinë.

Cilat janë vështirësitë me të cilat po përballet sot industria e kafesë për shkak të situatës?

Kafe kokërr ekspres zë peshën më të madhe në industrinë e kafesë. Pasojat financiare do të jenë shumë të larta dhe do të thellohen me zgjatjen e situatës. Shumë kompani, të cilat nuk kanë portofol produktesh të diversifikuara për të zëvendësuar shitjen e këtij produkti, do të kenë vështirësi për të përballuar edhe kostot administrative dhe operative që janë shumë të larta.

A po vijoni me importin normal të produkteve dhe a keni pasur probleme në hallkat që duhet të kalohen?

Importi vijon normalisht, besoj që nuk do të hasim probleme. Duke parë trendin global të ekonomisë, kursin e këmbimit, i cili ka pasur luhatje të konsiderueshme në një periudhë të shkurtër, ndryshimin e çmimeve në lëndën e parë, biznesi do të jetë i detyruar t’i reflektojë në rritjen e çmimeve.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of