Kredia 8 milionë euro ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Europiane të Investimeve, për projektin “Shtrati i Lumit Lana”, i cili do të realizohet përmes Bashkisë së Tiranës deri më shkurt 2022 do të sjellë impakt në vazhdimin e Bulevardit ‘Gjergj Fishta’ dhe ‘Bajram Curri’ dhe rehabilitimin e Lumit të Lanës nga Ura Teknologjike deri te Kryqëzimi me Rrugën Teodor Keko, në një sipërfaqe të shtrirë në 110 ha, tha sot ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Denaj tha se projekti do të krijojë një shtrat me regjim hidraulik eficient për të eliminuar problematikën e përmbytjeve në këtë zonë, do të zgjatojë bulevardet paralele me lumin me të gjithë infrastrukturën e nevojshme si sinjalistikën, 2 ura mbi shtratin e ri të lumit, disiplinimin e ujërave të bardha dhe të ndotura, ndriçimin, telekomunikacionin, peizazhin, si dhe lidhjen me infrastrukturën ekzistuese.
Ministrja Denaj informoi se financimi përfshin një vlerë prej 8 milionë EUR kredi dhe 2.4 mln EUR grant, ndërsa plotësimet buxhetore me qëllim implementimin e projektit do të mbulohen nga shpenzimet buxhetore të Bashkisë Tiranë.
“Mbi të gjitha ky investim do të sjellë tërheqjen e investitorëve në këtë zona, për zhvillim të bizneseve, hapje të vendeve të reja të punës dhe qarkullimin e kapitalit. Investitorët lokalë në të njëjtën kohë, do të kenë mundësi që me një infrastrukturë të përmirësuar të rrisin dhe të zgjerojnë aktivitetin e tyre”, theksoi ministrja Denaj.
Vlerë e shtuar në projekt është edhe krijimi i hapësirave të nevojshme të zhvillimit urban të zonës, do të sigurojë infrastrukturë të qëndrueshme dhe do të krijojë mundësinë e ofrimit të shërbimit të transportit urban.
Zbatimi i Projektit do të realizohet përmes Bashkisë së Tiranës deri më Shkurt 2022. Financimi përfshin një vlerë prej 8 milion EUR kredi dhe 2.4 mln EUR grant. Plotësimet buxhetore me qëllim implementimin e projektit do të mbulohen nga shpenzimet buxhetore të Bashkisë Tiranë, do të jetë e shpërndarë në 3 vite buxhetore duke nisur nga viti buxhetor aktual.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.