Depozitat bien sërish në prill, teksa ulen ndjeshëm kursimet në valutë

30/05/2018 12:40 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Depozitat në sistemin bankar kanë vijuar tendencën rënëse dhe në muajin prill të këtij viti. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, të publikuara sot, totali i kursimeve në banka në fund të muajit prill ishte 978 miliardë lekë, me një tkurrje prej 0.6%, apo 5.8 miliardë lekë në krahasim me muajin e mëparshëm.

Efektin në këtë rënie e ka dhënë tërësisht ulja e kursimeve në valutë (kryesisht euro), teksa depozitat në lekë janë rritur, të ndihmuara nga korporatat financiare jobankare.

Depozitat në lekë u rritën me 0.23% (1 miliard lekë) në prill, në krahasim me muajin e mëparshëm. Ndonëse individët vijojnë të jetë të painteresuar për të mbajtur kursimet e tyre në banka për shkak të normave të pafavorshme të interesit (kursimet me afat të individëve në lekë u ulën me 2 miliardë lekë në prill), kanë qenë sipërmarrjet private ato që kanë shtuar kursimet me 4.5 miliardë lekë, duke neutralizuar efektin e familjarëve.

Në të kundërt, depozitat në valutë kanë vijuar me tendencën rënëse për të tretin muaj radhazi, duke zbritur në 516 miliardë lekë në prill. Në raport me muajin e mëparshëm kursimet në valutë, që në pjesën dërrmuese janë në euro, ranë me 1.3%, ose gati 7 miliardë lekë. Këtu ka ndikuar dhe zhvlerësimi i monedhës së përbashkët, e cila sipas kursit zyrtar këmbehej me 131.26 lekë në mars dhe 129.27 lekë në prill. Megjithatë, ndryshimi i kursit ishte i ulët dhe nuk justifikon gjithë rënien e kursimeve në prill. Megjithatë, depozitat e reja në euro për katërmujorin e parë të vitit, sipas statistikave të tjera të Bankës së Shqipërisë u rritën me 5%, duke nënkuptuar se ulja e stokut ka ardhur si rrjedhojë e tërheqjeve më të larta sesa depozitimet e reja gjatë kësaj periudhë.

Me bazë vjetore (prill 2018/prill 2017), depozitat në total kanë rënë me 2.1%, duke shënuar një tendencë rënëse për herë të parë në historinë e tranzicionit. Rënia më e madhe ishte për kursimet në lekë, me 3.1%, ndërsa në valutë tkurrja ishte 1.2%.

Në fund të muajit prill, kursimet në valutë të shqiptarëve përbënin 52.8% të totalit. Banka e Shqipërisë, nisur nga prania e lartë e euros në vend, ka nisur një fushatë deeuroizimi, që synon të ulë përdorimin e saj.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of