Flet Anisa Ruseti, nënkryetare në Bashkinë e Tiranës
Bashkia e Tiranës do të strehojë 1900 familje në dy lagjet e reja që po ndërtohen në kryeqytet. “KombinArt” dhe “5 Maji” janë pjesë e procesit të rindërtimit. Deri në fund të këtij viti, pritet që 100 familjet e para në lagjen “5 Maji” të marrin çelësat.
Përfundimi i plotë i këtyre projekteve, edhe për hir të kompleksitetit, pritet të shtrihet në fakt përtej vitit të ardhshëm.
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti, në një intervistë për “Monitor” mbi bilancin dy vjet pas tërmetit, shprehet se procesi po ndiqet paralel edhe në zonat rurale. Sa u takon përfituesve nga grantet e rindërtimit, ajo thekson se 10 mijë prej tyre janë shpallur fitues nga 18 mijë aplikimet që janë bërë në portalin “Shtëpia Ime”.
Jemi dy vite pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019 ku pasojat ishin të rënda në disa bashki, përfshirë Tiranën. Në çfarë faze të procesit të rindërtimit është kjo Bashki për projektet që po zbatohen?
Dy vitet e fundit kanë qenë vërtet sfidues për Bashkinë e Tiranës. Bilanci tragjik i tërmetit të 26 nëntorit e më pas pandemia e vështirësuan shumë punën. Megjithatë, programet e rindërtimit i nisëm që në fund të vitit 2019, fillimisht me subvencionimin e qirasë për rreth 2500 familjet e prekura nga tërmeti, me dëme serioze në banesat e tyre, e më pas, me miratimin nga Qeveria të fondeve buxhetore për Rindërtimin, nisën programet e rindërtimit të banesave individuale, infrastrukturës arsimore, institucioneve publike dhe granteve të rikonstruksionit, të cilat vijojnë edhe në vitin 2021.
Në fund të këtij viti janë rreth 18.000 familje, të cilat kanë aplikuar në portalin “Shtëpia ime” dhe deri tani 10.000 familje janë shpallur fituese nëpërmjet Vendimeve të Këshillit Bashkiak të Tiranës, duke përfituar nga grantet e rindërtimit për dëme relativisht të lehta. Këto vendime kanë qenë të vazhdueshme gjatë gjithë kësaj periudhe, për t’u siguruar që pasojat e tërmetit të rikuperoheshin sa më shpejt të ishte e mundur për shumicën e familjeve të prekura prej tij.
Vlen të theksohet jo vetëm gatishmëria e së gjithë skuadrës së Bashkisë së Tiranës, por edhe ajo e Këshilltarëve të Këshillit Bashkiak, të cilët kanë treguar ndjeshmëri në lidhje me vendimet që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në mirëqenien social-ekonomike të banorëve të Tiranës.
Paralelisht me apartamentet e dëmtuara lehtë është ecur edhe me rikonstruksionin e mjediseve të përbashkëta të 290 pallateve. Në këto raste, Bashkia e Tiranës, jo vetëm ka riparuar dëmet e krijuara nga tërmeti, por ka përmirësuar edhe fasadat e pallateve, me termoizolim apo ndërhyrje të tjera, në bashkëpunim edhe me banorët.
Sa banesa janë dorëzuar, sa janë në proces ndërtimi, në çfarë faze dhe kur parashikohet të përfundojnë?
Në 13 Njësi Administrative Rurale janë ndërtuar 380 banesa individuale dhe 120 janë në proces. Lagjet e reja në Ndroq, Baldushk, Zall Herr, Vaqarr dhe Pezë do të akomodojnë 200 familje. Këto lagje, në përbërjen e tyre, do të kenë jo vetëm banesat individuale, por edhe institucione arsimore, shërbimesh e institucione social-kulturore.
Qëllimi ynë kryesor, me ndërtimin e tyre, është që këto zona të shërbejnë për të rigjallëruar jetën e këtyre njësive administrative, por edhe për t’i dhënë një vlerë të shtuar banesave dhe aseteve që do të përfitojnë familjet. Shembulli më i afërt i një lagjeje të re, të rindërtuar nga e para, është lagjja e sapopëruruar në Vaqarr, ku fundjavën e kaluar strehuam 20 familjet e para.
Dy lagjet e reja “KombinArt” dhe “5 Maji” do të akomodojnë më shumë se 1900 familje të prekura nga tërmeti, dhe gjithashtu familjet që preken prej këtyre projekteve madhore, të cilat do të shpronësohen përmes kompensimit me shkëmbim. Deri në fund të këtij viti, ne do të kemi gati shtëpitë e reja për 100 familjet e para, që do të marrin në dorë çelësin e banesës së tyre në pallatet e para te “5 Maji”.
Gjej rastin t’u bëj thirrje të gjithë banorëve që preken nga projektet e “5 Majit” dhe “KombinArt”, që të firmosin kontratat me Bashkinë e Tiranës, për të përfituar shtëpitë e tyre. Çdo banor do të marrë të njëjtën sipërfaqe sa ka aktualisht në metra katrorë, në pallatet e reja që po ndërtohen. Shtëpitë e reja janë shumë herë më të sigurta, më cilësore dhe kanë një vlerë më të madhe në treg se çdo shtëpi e dëmtuar nga tërmeti apo e ndërtuar pa leje ndër vite.
Çfarë ka ndodhur me 82 ndërtesat shumëkatëshe që u identifikuan si ndërtesa me dëmtime dhe të cilat duhet të prisheshin nga të cilat prekeshin 1600 familje? Cilat janë disa nga problematikat që jeni përballur sa i takon procesit nëse ka pasur?
Është kryer akt-ekspertiza e thelluar nga disa studio projektimi dhe pasi është marrë oponenca e projektit nga Instituti i Ndërtimit, janë miratuar për demolim (shembje) me Vendim të Këshillit Bashkiak 65 pallate; 18 prej këtyre vendimeve janë ekzekutuar dhe të tjerët janë në proces e sipër. Banorët janë informuar në lidhje me këtë proces dhe rreth 200 familje kanë lidhur kontratat paraprake për banesën e tyre të re.
Deri më sot, sa janë fondet e alokuara në funksion të rindërtimit dhe programet që po financohen? (nëse mundni ju lutem përfshini fondet e alokuara këtë vit dhe vitin e shkuar sipas programeve, por edhe 2022 me përafërsi, nëse keni ndonjë të dhënë paraprake?
Plani i financimit, deri tani, nga fondet e rindërtimit është afërsisht 12 miliardë lekë, nga të cilat rreth 500 milionë lekë janë akorduar për subvencionimin e qirasë për familjet e prekura nga tërmeti. Programet kryesore të rindërtimit, që zënë dhe peshën më të madhe të fondeve të akorduara, janë:
- Rindërtim i shkollave dhe konvikteve, me një fond buxhetor për vitin 2021 rreth 4.6 miliardë lekë.
- Rindërtim i banesave individuale, me një fond buxhetor për vitin 2021 rreth 749 milionë lekë.
- Ndërtim dhe rikonstruksion i infrastrukturës publike: rrugë, kanalizime, sheshe, etj., – me një fond buxhetor për vitin 2021 prej 919 milionë lekësh.
- Rindërtim i njësive të banimit në ndërtesa (pallat) dhe ndërtesave publike në zonat e reja për zhvillim, në njësitë administrative 4 e 8, zona “5 Maji” dhe njësinë administrative 6, zona “Kombinat”, me një fond buxhetor për vitin 2021, prej rreth 2.1 miliardë lekë.
Për vitin 2022 nuk kemi ende të dhëna, pasi fondet e rindërtimit alokohen vetëm për vitin buxhetor korrent dhe jo me një planifikim 3-vjeçar, por procesi i rindërtimit do të vijojë dhe në vitin 2022, për të bërë të mundur realizimin e të gjitha angazhimeve të marra.
Si e parashikoni vitin 2022 për Bashkinë e Tiranës sa i takon këtij procesi, cilat do të jenë hapat që do të hidhen?
Në këto dy vite kemi arritur të rindërtojmë nëntë shkolla dhe një kopsht, të cilat janë jo vetëm me standarde bashkëkohore, por tashmë kanë edhe dyfishin e kapaciteteve të mëparshme, kjo edhe si një mënyrë për të arritur objektivin tonë për t’i dhënë fund mësimit me dy turne në Tiranë. Ndërkohë, janë rikonstruktuar 3 shkolla dhe një kopsht, falë kontributit të donatorëve. Janë në proces 13 godina studentore dhe 7 shkolla të tjera, të cilat do të jenë gati në vitin e ri akademik.
Brenda vitit 2022 do të kenë përfunduar të gjitha banesat individuale dhe 5 lagjet në zonat rurale, ndërsa dy lagjet në qytet do duhet pak më shumë kohë për vetë kompleksitetin e tyre.
Projektimi urban i këtyre dy lagjeve të reja është kryer nga Bashkia e Tiranës, me konsulencën e urbanistëve dhe arkitektëve prestigjiozë ndërkombëtar si Stefano Boeri dhe Marco Cassamonti, të cilët kanë sjellë në propozimet e tyre, qasje dhe orientime perëndimore sa u përket zhvillimeve urbane të një shkalle relativisht të madhe.
Nëpërmjet këtyre zhvillimeve, synohet jo vetëm zgjidhja e problemit të strehimit për familjet e prekura rëndë nga tërmeti, të cilat kanë humbur banesat, por edhe krijimi i poleve të reja në qytet, të konceptuara si qendra urbane të afta të gjenerojnë zhvillim dhe ndërlidhje me pjesët periferike të qytetit.
Këto lagje propozojnë strategji të mirëfillta zhvillimi sa i përket lëvizshmërisë urbane, arkitekturës së qëndrueshme, hapësirave rekreative, korridoreve pedonale dhe rritjes së përgjithshme të cilësisë së jetesës në kryeqytet.
Në qendër të lagjeve të reja do të jenë jo vetëm godinat e banimit, por edhe godina të dedikuara për aktivitete social-ekonomike, prodhime artizanale, inovacion dixhital dhe godina të dedikuara arsimit.
Bashkia e Tiranës synon që këto lagje, të cilat do të jenë të një cilësie shumë të lartë sa u takon ambienteve publike, të shërbejnë si katalizatorë zhvillimi edhe për zonat e tjera të qytetit, me të cilat kufizohen, duke u kthyer në një udhërrëfyes të prekshëm të vizionit të zhvillimit që Bashkia ka për qytetin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.