Dhoma Amerikane kërkon harmonizimin e politikave tatimore me rajonin, për të tërhequr investime të huaja

03/03/2020 10:40 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Kryetari Dhomës Amerikane, Enio Jaço, gjatë një takimi të përfaqësuesve të Dhomës me drejtoreshën e Tatimeve Delina Ibrahimaj, pohoi se ka ardhur koha të krijojmë politika tatimore rajonale, që te jenë interesante dhe inkurajuese edhe për investitorët e huaj.

“Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë për ligjet tatimore”, ka thënë Jaço, i cili më herët e ka vënë theksin në faktin që Shqipëria nuk po i tërheq investitorët e huaja, ndërsa ne jemi më pak konkurrues në raport me rajonin.

Ai tha gjatë takimit të sotëm se klima e investimeve është një çështje e rëndësishme. “Prioritet për ne janë thithjet e investimeve të huaja”. Shqipëria, sipas tij, nuk ka politika konkurruese për investimet e huaja.

Jaço shtoi se politikat tatimore në këto 8 vjet kanë ndryshuar shpesh. “Dëmet që krijohen te bizneset dhe klima e biznesit janë bërë prezente edhe nga ministrja Denaj”, tha ai.

Drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, tha se “ne e shohim shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me biznesin, pasi kjo na ndihmon për përmirësimin e punës sonë. Strategjia e Tatimeve synon të ulë informalitetin, të shmangë evazionin dhe të rritet deklarimi vullnetar. Në bashkëpunim me Financat jemi duke hartuar një strategji afatmesme 5-vjeçare dhe kjo kërkon konsultim me biznesin”.

Ajo sqaroi se plani sektorial për këtë vit synon kontrollin e sektorit të ndërtimit, hidrokarbureve, bar restoranteve dhe deklarimin e ulët të pagave.

Ibrahimaj tha se gjatë vitit 2020 do të lehtësohet plotësimi i deklarimit të të ardhurave për individët. Kontrollet tatimore do të ulen, dhe ato do të kryhen sipas planit sektorial.

Në kuadër të fiskalizimit, administrata tatimore do të nisë komunikimin me biznesin.

Alketa Uruçi, kryetare e komitetit të taksave në AmCham, tha se ka një ndryshim të ligjit të tatimit mbi të ardhurat, dhe ndarja e fashave ka sjellë evazionin, sidomos ata që qëndrojnë në fashën deri 8 mln lekë. Kjo e shtyn tatimpaguesin të fshehë të ardhurat, të mos kryejë deklarim vullnetar. Barra po bie te tatimpagues të rregullt. “U bëjmë thirrje Financave të bëjnë gati reformimin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat. Tatimpaguesit, që janë punëmarrës, mbajnë barrën më të madhe. Ne u kemi paraqitur Financave propozimin për përmirësimin e Udhëzimit të procedurave tatimore. Kërkohet të jenë më të qartë, me qëllim që të mos ketë vend për abuzime nga tatimorët”, tha ajo.

Uruçi ka ngritur shqetësimin e rimbursimit të TVSh, një problematikë e hershme. “Pavarësisht përmirësimeve, ende nuk po respektohen afatet 30 ditë pas kërkesës. Ne kemi bërë kërkesë që kjo shumë kur vonohet ta lejojë biznesin që të përdoret për shlyerjen e detyrimeve”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of