Drejtori i Përgjithshëm i Philip Morris në Shqipëri, Lorent Gordi, për produktet pa tym
Lorent Gordi , Menaxher i Pergjithshem PMI Albania
Drejtori i Përgjithshëm i Philip Morris Albania që prej janarit, i pari shqiptar në këtë pozicion, Lorent Gordi, u emërua në një kohë kur Philip Morris po udhëheq një transformim historik në të gjithë botën. PMI po transformon industrinë e duhanit, duke u kërkuar publikisht të rriturve që pinë cigare apo që nuk duan ta lënë, të heqin dorë përfundimisht prej tyre dhe të konsiderojnë alternativa më pak të dëmshme.
Transformimi i Philip Morris International po ndodh edhe në Shqipëri. Prej më shumë se dy vitesh, kompania është fokusuar thuajse krejtësisht tek produktet pa tym, të kryesuara nga pajisja që ngroh duhanin, IQOS. Ambicia e Philip Morris International është që sa më shpejt, të shndërrohet në një kompani me produkte 100% pa tym, duke i dhënë fund shitjes së cigareve konvencionale, që djegin duhan dhe krijojnë tym.
Këtë muaj, Philip Morris Albania zgjeron për herë të parë pas dy vitesh tregun e produkteve me ngrohje, duke prezantuar lil SOLID 2.0. Njësoj si IQOS, edhe lil SOLID 2.0 bazohet mbi parimin e ngrohjes, që do të thotë se e ngroh fijen e duhanit pa e djegur, duke shmangur çlirimin e mijëra kimikateve, ku të paktën 100 prej të cilave janë të vërtetuara shkencërisht se janë të dëmshme. lil SOLID 2.0, pajisja e prodhuar nga KT & G, është një pajisje më ekonomike, dhe siç dikton edhe emri: më e vogël në përmasa dhe e thjeshtë për t’u përdorur. Më shumë alternativa për të rriturit të cilët përndryshe do të vazhdonin të pinin cigare, për shumë ekspertë është një hap i rëndësishëm në përmirësimin e shëndetit publik.
Shqipëria është ndër tregjet e para europiane ku prezantohet produkti me ngrohje lil SOLID 2.0. Është gjithashtu i dyti produkt me ngrohje në tregun tonë, i cili deri para një muaji përbëhej vetëm nga IQOS. Përse PMA zgjodhi ta sjellë një tjetër alternativë, po me ngrohje?
Që nga 2014, kur Philip Morris International krijoi produkte të cilat mund të zëvendësonin cigaret dhe në të njëjtën kohë të ulnin në mënyrë drastike substancat e dëmshme për konsumatorët e duhanit, shpalli vizionin e saj për një të ardhme pa tym, që në thelb do të thotë një e ardhme pa cigare. PMI ka hyrë në një rrugëtim pa kthim, për të kaluar çdo konsumator të rritur të cigareve, që ka vendosur të konsumojë nikotinë, në alternativa pa tym. Këto alternativa ulin me mesatarisht 95% nivelin e kimikateve të dëmshme krahasuar me ato që gjenden në tymin e cigareve dhe kjo sjell përmirësim në jetën e duhanpirësit dhe rrjedhimisht sjell një përmirësim për të gjithë shëndetin publik. Ne si kompani kemi për detyrë t’ua ofrojmë këto alternativa pa tym të gjitha shtresave sociale, ndaj për këtë arsye sollëm lil Solid 2.0, e cila vjen me një çmim më të përballueshëm për një masë më të madhe të konsumatorëve. Shpresojmë që kjo alternativë të ndihmojë sa më shumë konsumatorë të rritur të cigareve, ashtu siç më ka ndihmuar dhe mua IQOS rreth 3 vite më pare, kur nisa të përdorja këtë produkt.
A është krijimi i aksesit drejt alternativave me risk të reduktuar në fokusin e kompanisë suaj?
PMI është një kompani shumë e përgjegjshme dhe adreson vetëm ata konsumatorë të rritur të cilët përndryshe do të vazhdonin të pinin cigare. Të miturit dhe jo duhanpirësit në asnjë mënyrë nuk duhet të kenë akses në produkte nikotine të asnjë lloj forme. Të gjithë ata duhanpirës që vendosin ta lënë duhanin, kurrë nuk duhet të rikthehen në produkte nikotine. Fakti është, që një pjesë shumë e vogël e konsumatorëve e lënë cigaren. Ndaj aksesi në alternativa pa tym i konsumatorëve që nuk e lënë cigaren, është i domosdoshëm dhe jo vetëm ne si kompani por të gjithë duhet t’i ndihmojnë këta konsumatorë të kalojnë në produkte më pak të dëmshme se cigaret.
Duke qenë të parët që keni sjellë një produkt me ngrohje, dhe gjithashtu të parët që sillni një produkt të dytë me ngrohje, duket se PMA-s i është dashur të krijojë nga e para shumë struktura. Ka qenë sfiduese, apo jo?
PMI ka investuar miliona dollarë dhe ka punësuar mbi 430 shkencëtarë të klasit botëror në qendrën e tyre të kërkim zhvillimit dhe kjo tregon seriozitetin e kompanisë sonë për të bërë ç’është e mundur për një të ardhme pa tym. Puna jonë në treg kërkon adaptim të vazhdueshëm dhe të shpejtë jo vetëm në infrastrukturën që kërkon kjo kategori e re, por edhe në formën e të menduarit. Sfida më e madhe vjen nga fakti që jo të gjithë na kuptojnë dhe jo rrallë na keqinterpretojnë. Megjithatë ne e kemi pranuar këtë sfidë dhe jemi të pregatitur për të shpjeguar vizionin tonë kudo që të nevojitet dhe të bazuar vetëm në fakte shkencore. Strukturat tona janë adaptuar për të mbështetur vizionin e kompanisë dhe njerëzit që punojnë aty janë plotësisht të bindur që një ditë edhe Shqipëria si shumë shtete të rajonit të bëjë një ndryshim domethënës në jetën e konsumatorëve të rritur të cigareve.
Ju keni qenë pranë Philip Morris në Shqipëri që 15 vite të shkuara. Pra, e keni dëshmuar vetë transformimin e kompanisë nga një kompani e njohur për cigaret në një kompani e cila po i thotë publikisht “jo” cigareve. Cilat kanë qenë sfidat më të rëndësishme të këtij transformimi, në një vend si Shqipëria ku njerëzit kanë qasje më tradicionale në lidhje me duhanin?
Sfida më e madhe që ne hasim çdo ditë është të kuptuarit e kësaj kategorie të re produktesh pa tym dhe të mirat që ajo sjell për afro 30% të popullsisë së rritur që çdo ditë zgjedhin të pijnë cigare. Shumica e njerëzve dhe fatkeqësisht e disa zyrtarëve besojnë akoma që produktet e duhanit të hapur (me dredhje) janë më pak të rrezikshme se çdo produkt tjetër nikotine. Madje ata shkojnë shumë larg duke thënë se duhanet me dredhje të prodhuara nga fermerët janë “bio”. Të gjithë këta njerëz të keqinformuar dhe të keqedukuar për produktet e duhanit dështojnë të kuptojnë që dëmet më të mëdha në shëndetin e duhanpirësve i shkaktojnë katrani dhe monoksidi i karbonit, të cilët janë nënprodukte direkte të djegies. Djegia është problemi tek cigaret dhe duhanet me dredhje. Nikotina është një substancë që shkakton varësi por nuk është shkaku kryesor i sëmundjeve të lidhura me duhanpirjen. Ndërkohë që shumë shtete rreth nesh kanë hasur në mirëkuptimin e institucioneve dhe konsumatorëve për pranimin e produkteve me ngrohje si më pak të dëmshme, në Shqipëri akoma hasim me një rezistencë të pakuptueshme dhe të pabazuar në kërkime shkencore.
Pas lil SOLID, cila do të jetë e ardhmja e produkteve pa tym në Shqipëri? Keni në plan të implementoni produkte ndoshta të kategorive të tjera?
Sigurisht që konsumatorët janë të ndryshëm dhe kërkojnë qasje dhe produkte të ndryshme në mënyrë që ata të marrin vendimin për të kaluar në alternative pa djegie. Për këtë arsye, siç e përmenda dhe më sipër qendra jonë e kërkim zhvillimeve në Zvicër, vazhdon punën pa rreshtur për të sjellë produkte nikotine të cilat kanë potencialin të ulin rrezikun në popullatë. Aktualisht po punohet në disa kategori të tjera por edhe në përmirësimin e vazhdueshëm të produkteve ekzistuese me ngrohje. Rezultatet shkencore të deritanishme janë shumë pozitive dhe ne shpresojmë që të kemi në tregun tonë sa më parë më shumë produkte që i përshtaten kërkesave të konsumatorëve dhe njëkohësisht të ulim rrezikun krahasuar me cigaret.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.