Ministria e Inovacionit dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike i kanë hapur rrugë zhvillimeve për liberalizimin e plotë të shërbimit të telefonisë celulare dhe të komunikimit, 3G. Pritja e gjatë u konsiderua e padrejtë nga ekspertë dhe aktorë të tregut, për shkak se autoritetet nuk reaguan në kohë për rezultatin e tenderit të muajit shkurt, i cili dështoi për shkak të vlerësimeve jo të drejta me çmimin e licencës.
Aktualisht, në treg, janë katër kompani celulare, por vetëm dy e ofrojnë shërbimin 3G, rrjet ky i avancuar komunikimi përmes internetit. Me synim për të futur sa më shumë para në arkën e shtetit, ministria dhe enti rregullator, i cili ka si funksion mbrojtjen e interesave të konsumatorëve, vendosën ta shisnin licencën përmes një gare, ku çmimi dysheme niste nga 12.5 milionë euro. Licenca e parë u shit për rreth 30 milionë euro, kurse e dyta, një vit më pas, për 15 milionë euro. Duke ndjekur sërish planin e shitjes së shërbimit me çmimin jo realist me tregun, në tentativën e tretë, qeveria dështoi, dhe aktualisht tregu vlerësohet i cunguar.
Nisur nga situata e krijuar, AKEP gjykon se janë pjekur kushtet për dhënien e licencave të mbetura, ku në lojë janë dy operatorë, PLUS dhe “Eagle Mobile”. Ndryshe nga tenderët e mëparshëm, kësaj here, AKEP synon që licencat t’i ofrojë paralelisht, përmes një vendimi, bazuar nga konsultimet paraprake me aktorët e tregut.
Kostot e tregut
AKEP synon të marrë vlerën më të lartë, në këmbim të dy licencave, kurse nga ana tjetër, kompanitë celulare janë të gatshme të ofrojnë atë çmim në përputhje me çfarë realisht përmban tregu, nisur nga fakti se tashmë ky shërbim ofrohet për gati dy vjet nga AMC dhe “Vodafone Albania”.
Shërbimi i avancuar 3G paraqet transferim të dhënash në kohë më të shpejtë dhe në mënyrë cilësore, por nga ana tjetër tarifat e ofruara nuk janë konkurruese. Natyrshëm, me pasjen e këtij shërbimi dhe të dy operatorëve të tjerë, që gjithsej e bën katër numrin e aktorëve në konkurrencë, ai që përfiton më tepër do të jetë konsumatori, dhe që është në përputhje me funksionet e AKEP: mbrojtja e përdoruesve të telefonisë nga përqendrimet në treg të shërbimeve të caktuara.
Në tenderin e fundit të muajit shkurt, për licencën e tretë, shoqëria “Eagle Mobile” ofroi 3.55 milionë euro, ndërsa “Plus Communication” ofroi 2.2 milionë euro, në një kohë kur çmimi dysheme i kërkuar nga AKEP ishte 12.5 milionë euro. Tenderi dështoi, kurse ofertat e paraqitura nga firmat celulare ishin mesazh për Ministrinë e Inovacionit për tarifën e ardhshme që duhet të caktojë.
Referuar njoftimit zyrtar të AKEP, konsultimet publike do të mbyllen brenda muajit gusht dhe vendimi për shpalljen e vleftës së dy licencave do të realizohet në muajin shtator. Ky mekanizëm i ndjekur nga AKEP i jep mundësi për më shumë kohë aktorëve aktualë në treg. “Vodafone” e mbajti gati një vit shërbimin, në mënyrë ekskluzive, po aq edhe AMC. Licencën e parë, AKEP e shiti në fund të 2010-s për rreth 30 milionë euro, kurse të dytën për rreth 15 milionë euro, duke mbajtur të njëjtin çmim dysheme, 12.5 milionë euro, por në tenderin e fundit, në shkurt 2012, firmat në garë paraqitën vlera shumë të ulëta.
Çfarë synon AKEP
Në mënyrë që:
– të krijojë një kuptim më të qartë për impaktin që do të ketë dhënia në përdorim e këtyre brezave;
– të njohë interesin për marrjen në përdorim të tyre (numrin e kërkesave);
– të njohë çmimin që janë të gatshëm të ofrojnë të interesuarit për një brez të caktuar; si dhe
– të mundësojë krijimin e një terreni të përshtatshëm për procedurën e dhënies së të drejtave të përdorimit të frekuencave, etj.
AKEP zhvillon këtë këshillim publik, përpara se të futet në procesin përfundimtar të dhënies në përdorim të këtyre brezave
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.