Një nga aspektet më të rëndësishme të fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është ekonomia e vendit. Me ulje-ngritjet e viteve të fundit, tashmë amerikanët do të kenë parasysh, kur të hedhin votën e tyre, çështje si pozicioni i dollarit në periudhën e presidencës Bush apo edhe shifrat e punësimit.Për kandidatin demokrat për Shtëpinë e Bardhë, John Kerry një gjë është tashmë e qartë: Ai ka menduar që nëse zgjidhet president, do të ndryshojë politikën e ndjekur nga Bush për reduktimin e taksave për ata që kanë fitime më shumë se 200 mijë dollarë në vit. Kerry mendon ti përdorë paratë për të përmirësuar shërbimet e sigurimeve shëndetësore dhe arsimin. Sipas platformës së tij, rritja e taksave nga ana e Kerry-it do të mbajë 3% të parave të taksapaguesve. Por një pikëpyetje vendoset rreth propozimit të dytë të Kerry-t. Ai thotë se do të përgjysmojë deficitin publik brenda një periudhe kohore prej katër vjetësh. Për të bërë këtë, atij do ti nevojitet që çdo shpenzim buxhetor në rritje të mbulohet nga rritja e të ardhurave. Sipas analistëve, vështirësia mund të shfaqet nëse ekonomia nuk përjeton ndonjë rritje. Ata ngrenë pyetjen nëse në këtë rast zoti Kerry do të jetë i gatshëm të shkurtojë shpenzimet publike? Dhe nëse nuk do ti shkurtonte, si do të jetë e mundur që taksat shtesë dhe të rritura të përshtaten politikisht me rritjen e sipërpërmendur të taksave për më të pasurit?Sërish analistët thonë se John Kerry është treguar i mprehtë përsa i përket biznesit. Demokratët vuajnë nga akuzat se ata, më shumë se republikanët, nuk kanë qenë në gjendje të “administrojnë” marrëdhëniet me biznesin. Kjo megjithë faktin se përfitimet dhe çmimet nuk janë rritur aq ngadalë gjatë kohës kur demokratët kanë qenë në krye të administratës. Gjatë fushatës për në Shtëpinë e Bardhë, kandidati demokrat John Kerry ka kritikuar Bushin për mënyrën e drejtimit të ekonomisë amerikane, duke nënvizuar shifrat e ulëta të punësimit. Nga ana tjetër, administrata e presidentit Bush tha se ishte e zhgënjyer nga shifrat, por shprehu bindjen se ekonomia është duke shkuar në drejtimin e duhur. Me vetëm 32 mijë vende pune të reja vetëm gjatë muajit korrik, ekonomia amerikane u gjend përpara një vështirësie. Senatori Kerry duke komentuar këtë çështje gjatë fushatës tha: “Amerika ka përfunduar në një qoshe dhe nuk po shkon pas.” Administrata e Bushit tha se nuk ishte e kënaqur me shifrat e reja të punësimit, por pavarësisht kësaj, ekonomia po shkon në drejtimin e duhur pas ndikimeve që kanë pasur sulmet terroriste dhe korrupsioni në korporata. Presidenti aktual, Bush pohoi se ekonomia është duke u përmirësuar. “Rritja ekonomike është e fortë dhe po forcohet më tej. Kjo është një gjë e mirë për çdokënd në SHBA. Kërkoj të kujtoni lehtësimin e taksave dhe mënyrën se si kjo ka funksionuar”, tha z. Bush. Ai shtoi se heqja e taksave ka ndihmuar dhe nxitur ekonominë duke i lënë taksapaguesit me më shumë para për të shpenzuar në blerjen e produkteve dhe të shërbimeve, për të cilat sipas Bushit, është dashur të krijohen më shumë vende pune. “Për tu siguruar që vendi ka shpresa dhe se njerëzit kanë shanse më të mira për të plotësuar ëndrrat e tyre, ne duhet të kemi rritje ekonomike. Ja pse unë kam hequr taksat për të gjithë”, thotë kreu aktual i Shtëpisë së Bardhë. Nga ana tjetër, Bush ka komentuar propozimin e Kerry-t për të rritur taksat në mënyrë që të krijojë një fond të veçantë për shpenzimet buxhetore. Senatori Kerry thotë se do të rrisë taksat vetëm për të paktën 3% të taksapaguesve. Sipas tij, të tjerët do të përfitojnë një reduktim taksash, përfshirë edhe reduktimet në taksat e korporatave për të pasur më shumë vende pune.Çështjet kryesore të fushatësPresidenti Bush ka shpallur si prioritetin kryesor luftën kundër terrorizmit, që e deklaroi pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Ai thotë se i ka bërë SHBA-të një vend edhe më të sigurtë. Bushi, gjithashtu, po mundohet të bindë se lufta në Irak ishte e justifikuar.Por ekspertët thonë se ekonomia amerikane është preokupimi numër një i zgjedhësve dhe se deri më tani ka pasur sinjale kontradiktore rreth fuqisë së saj.Bushi është i pari president, që nga viti 1930, kohë e “Depresionit të Madh”, që shënon nivele të ulëta të vendeve të punës. Por, nga ana tjetër, ka pasur përmirësim në shifrat e punësimit, ndaj është e vështirë të gjykosh se si amerikanët do ta vlerësojnë këtë.Presidenti Bush thuhet se ka fonde të mjaftueshme për fushatën e tij dhe është nga të favorizuarit. Por, nga ana tjetër, Kerry është një veteran i dekoruar për kontributin e tij në Vietnam. Gjithashtu, ai ka treguar se ështe një mbledhës efikas fondesh, kështu që është ende herët për të bërë parashikime.Ekonomia amerikane Pas rreth nëntë vjetësh të një rritjeje të kënaqshme, ekonomia amerikane pësoi goditje në vitin 2000. Teknologjia ishte një nga faktorët që do të tregonte shenjat e një ngadalësimi të mprehtë ekonomik më vonë gjatë vitit 2000. Banka Qendrore Amerikane reduktoi interesat. Por ekonomia nuk arriti ta rimerrte veten dhe ishte në rënie përpara sulmeve terroriste shkatërruese të 11 shtatorit 2001. Lulëzimi i saj u ndalua edhe më tej në dhjetor për shkak të falimentimit të shoqërisë “Enron”, që gjithashtu goditi rëndë edhe besimin e investitorëve.Por, gjithsesi, ekonomia amerikane pësoi një zhvillim në tre muajt e parë të vitit 2002. Ligji nxitës i presidentit George Bush prej 42 miliard dollarë, sipas analistëve, u lëvrua shumë vonë dhe nuk ishte më i nevojshëm. Në pranverën e vitit 2003 presidenti Bush riorganizoi ekipin e tij për politikat ekonomike dhe, gjithashtu, firmosi një ligj për heqjen e dytë të madhe të taksave (edhe pse suficitet e mëdha të buxhetit, që ai kishte planifikuar pothuajse ishin zhdukur krejtësisht). Në tremujorin e tretë të vitit 2003, Prodhimi i Brendshëm Bruto shkoi deri në 8%, ndërsa më vonë nuk kapi më shumë se 4%. Një dollar i dobët ndihmoi për të zhvilluar më shumë eksportet dhe përfitimet dhe marsi i vitit 2004 solli një përmirësim të vendeve të punës në treg.Analistët thonë se asgjë nuk është e përsosur. Inflacioni, ende i ulët në ekstrem, po rritet, gjë që detyroi Bankën Qendrore të rrisë interesat në qershor. Disa shqetësohen se mirëqenia dhe jo të ardhurat po e çojnë mbrapa ekonominë duke i shtuar këtu edhe përqindjet e larta të interesave. Analisti politik nga Uashingtoni, Stuart Rothenberg, duke komentuar fushatën e fundit presidenciale ndërmjet John Kerry-t dhe George Bush thotë se gjatë këtij viti, dy janë cështjet kryesore tek të cilat zgjedhësit do të bazohen për të votuar Kerryn apo Bushin.”Amerika ka pasur një ekonomi të ngadaltë për një periudhë të gjatë, por gjatë muajve të fundit ka pasur një rritje domethënëse në pozicionet e punës, që ka ndihmuar presidentin aktual. Për momentin, rezultatet e presidentit Bush përsa i takon çështjeve ekonomike, po përmirësohen, duke iu referuar sondazheve të bëra me votuesit. Rezultatet rreth çështjes së Irakut janë në rënie, duke iu referuar anketimeve të njëjta. Kjo e vendos presidentin në një ambient shumë të vështirë”, thotë Rothenberg.Sipas tij, Bushit i duhet një sens optimizmi rreth çështjes së Irakut dhe të përdorë ekonominë ku ka bërë një punë të kënaqshme, për të kaluar në avantazh për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.