Ekonomia bullgare është tkurrur në tremujorin e fundit të vitit 2020, por i njëjti trend pritet të vazhdojë edhe në muajt e parë të vitit 2021. Këtë parashikojnë ekspertët e UniCredit Bulbank në analizën e tyre tremujore të zhvillimit ekonomik të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore.
Ekspertët e bankës thonë se në mars pritet zbutja e masave anti-epidemike, çka do të rezultojë në një performancë më të mirë të PBB-së në tremujorin e ardhshëm.
Ne presim që PBB-ja të rritet ndjeshëm në tremujorin e parë të vitit 2021, sepse ndikimi i menjëhershëm i pandemisë në ekonomi do të dëmtojë rritjen e saj dhe zbatimi i mëtejshëm i stimujve financiarë do të sigurojë mbështetjen e nevojshme shtesë, besojnë analistët.
Në lidhje me performancën e biznesit të sektorëve më të prekur nga koronavirusi, UniCredit Bulbank pret që në turizëm dhe sektorë të ngjashëm, aktiviteti të mbetet i ulët, pasi “efektet pozitive të vaksinimit do të kenë nevojë për kohë për t’u manifestuar”.
Kjo do të bëjë që shumë njerëz të vazhdojnë të tregojnë kujdes dhe të mbajnë ende distancë fizike gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 2021. Ritmi i procesit të rimëkëmbjes në ekonomi do të varet nga efikasiteti i fushatës së vaksinimit, thotë analiza më tej.
Duke vështruar rritjen e përgjithshme ekonomike të të gjithë rajonit, ekspertët presin rimëkëmbjen e pjesshme të PBB-së prej rreth 2,7% këtë vit. Sipas tyre, rimëkëmbja brenda 12 muajve të ardhshëm do të jetë e dobët dhe e ngadaltë dhe rezultatet e para do të jenë të dukshme në vitin 2022 dhe 2023, me rritje të pritshme prej 4-5%.
“Ne parashikojmë që PBB-ja të arrijë nivelet e para krizës në gjysmën e dytë të vitit 2021. Me sa duket, ekonomia do të fillojë të funksionojë në potencialin e plotë deri në fund të vitit 2023. Rreziqet për skenarin tonë kryesor ekonomik janë veçanërisht të larta. Kjo shpjegohet me faktin se zhvillimi i ekonomisë këtë vit do të varet nga një kombinim i faktorëve epidemiologjikë (zhvillimi i pandemisë) dhe politikë (rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme), vërejnë ekspertët.