Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pritet që të takohen sërish sot. Gjatë së enjtes ata kanë pasur një tjetër takim ku nuk është arritur marrëveshja për koalicion. Takimi i djeshëm ka zgjatur dy orë dhe siç mësohet vetëm është dakorduar që të vazhdojnë me bisedimet. Sikur Kurti, ashtu edhe Mustafa dolën nga ndërtesa e Kuvendit ku është zhvilluar takimi pa u prononcuar për media.
Edhe takimi i tretë për këtë vit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demoikartike të Kosovës ka përfunduar pa arritjen e marrëveshjes bashkëqeverisëse. Liderët e partive, Albin Kurti e Isa Mustafa, nuk u deklaruan për bisedimet, që në takimin e djeshëm zgjatën 3 orë.
Ndonëse në takimin e së mërkurës krerët e të dyja partive deklaruan se ka pasur përafrim të qëndrimeve sa i përket marrëveshjes, në takimin e së enjtes asnjëri prej tyre nuk u deklarua për medie, pavarësisht pritjeve të gazetarëve.
Por nga zyrtarët e partive u konfirmua se marrëveshja nuk u arrit dhe se për arritjen e saj tashmë do të ketë opsione tjera në tavolinë.
E para takimit treorësh të djeshëm kryetari i LVV-së u shpreh se janë duke bërë përpjekje për koalicion, porse lidhja e tij nuk varet nga ai. “Ka përpjekje për një marrëveshje. Po shkojmë të arrijmë marrëveshje, por nuk varet nga unë”, ka thënë shkurt Kurti.
Se janë duke bërë përpjekje e ka konfirmuar edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. “Po mundohemi të arrijmë marrëveshje”.
Mirëpo të gjitha përpjekjet tashmë tremujore të të dyja partive, që dolën të parat në zgjedhje, kanë përfunduar pa rezultate konkrete, pavarësisht deklarimeve se ka dakordime e përafrime në qëndrime.
Fillimisht pozita e presidentit ka qenë ajo që e ka stagnuar lidhjen e koalicionit LVV – LDK, pozitë kjo të cilën e kërkonte LDK-ja, por për Vetëvendosjen nuk ishte e negociueshme.
Më vonë problem për marrëveshje u bë edhe zgjedhja e Glauk Konjufcës kryeparlamentar, gjë me të cilën nuk u pajtua LDK-ja, edhe pse në ditën e konstituimit të Kuvendit e votoi atë për kryekuvendar.
E në fillim të kësaj jave, saktësisht të hënën Presidenti Hashim Thaçi e ka pritur në takim kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për t’u konsultuar rreth mandatimit të kandidatit për kryeministër.
Në këtë takim pak minutash, ndër të tjera Thaçi i ka dhënë Kurtit një afat 48 orësh që subjekti i tij ta dërgojë emrin e mandatarit në Presidencë.
Ky afat tashmë ka kaluar dhe nuk ka pasur ndonjë deklarim të ri të Thaçit, ndonëse dje Arbëria Nagavci nga VV ka thënë se “emrin e mandatarit te Presidenti do ta dërgojmë në ditët në vijim”.
Në anën tjetër Vetëvendosje dhe LDK kanë zhvilluar takimet e tyre si tentativë për ta finalizuar marrëveshjen për bashkëqeverisje në mes tyre.
Lidhja Demokratike e Kosovës kishte mbetur e “befasuar” dhe e quajti të njëanshëm veprimin e Vetëvendosjes në seancën e 26 dhjetorit, edhe pse të gjithë 28 deputetët e kësaj partie votuan për kandidatin e propozuar të VV-së. Pas këtij veprimi, për LDK-në të gjitha marrëveshjet e deritashme me VV-në kanë rënë në ujë.
Sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetutës të Republikës së Kosovës të vitit 2014, në rolin si iniciues, presidenti i Republikës ka mandat, por edhe obligim kushtetues në bazë të nenit 95, paragrafi 1, të Kushtetutës, që t’i propozojë kuvendit kandidatin për kryeministër të nominuar nga partia politike ose nga koalicioni që ka numrin më të madh të vendeve në kuvend.
Kjo Gjykatë ka theksuar po ashtu që “presidenti i Republikës nuk e ka diskrecionin të refuzojë caktimin e kandidatit të propozuar për kryeministër”. /Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.