“Fitoi i gjithë kombi,” u tha Erdogan turmës së mbështetësve jashtë pallatit presidencial në Ankara.
Por, thirrja e tij për bashkim tingëllonte e zbrazët, ndërsa tallte kundërshtarin e tij Kemal Kilicdaroglu dhe sulmoi një lider kurd të burgosur dhe komunitetin LGBT.
Duke u ankuar për “zgjedhjet më të padrejta në vitet e fundit”, zoti Kilicdaroglu tha se partia politike e presidentit kishte mobilizuar të gjitha mjetet e shtetit kundër tij.
Presidenti Rexhep Tajip Erdogan ka fituar zgjedhjet presidenciale të Turqisë, duke mundur liderin e opozitës Kemal Kilicdaroglu në balotazhin e së dielës dhe duke e shtrirë sundimin e tij në një dekadë të tretë.
Me 99.43% të votave të numëruara, rezultatet preliminare zyrtare të shpallura nga Këshilli i Lartë Zgjedhor i Turqisë (YSK) të dielën, treguan se Erdogan fitoi me 52.14% të votave. Kilicdaroglu mori 47.86%. Pothuajse gjysma e elektoratit në këtë vend thellësisht të polarizuar, nuk e mbështeti vizionin e tij autoritar për Turqinë.
Kilicdaroglu nuk ishte i barabartë me fushatën e zhvilluar mirë të Erdoganit, edhe nëse ai e çoi presidentin në raundin e dytë të balotazhit për herë të parë, që kur posti i presidentit u zgjodh drejtpërdrejt në 2014.
Por, ai e zvogëloi me vështirësi epërsinë e rivalit të tij në raundin e parë, duke mbetur më shumë se dy milionë vota prapa.
Presidenti shfrytëzoi maksimalisht fitoren e tij, me një fjalim para mbështetësve në një autobus në qytetin më të madh të Turqisë, Stamboll, i ndjekur nga një fjalim nga ballkoni i pallatit të tij, për rreth 320,000 mbështetës.
“Nuk fituam vetëm ne, fitoi Turqia”, deklaroi ai, duke i quajtur zgjedhjet, ndër më të rëndësishme në historinë turke.
Ai e përqeshi humbjen e kundërshtarit të tij me fjalët “Bye, bye, Kemal” – një këngë, që u dëgjua edhe nga mbështetësit e tij në Ankara.
Erdogan përbuzi rritjen e numrit të deputetëve të partisë kryesore opozitare në votimin parlamentar, dy javë më parë. Numri i vërtetë kishte rënë në 129, tha ai, sepse partia u kishte dorëzuar aleatëve të saj dhjetëra vende.
Ai dënoi gjithashtu politikat pro-LGBT të aleancës opozitare, të cilat ai tha se ishin në kontrast me fokusin e tij ndaj familjeve.
Për një natë, kriza ekonomike e Turqisë u harrua. Ekonomia ishte larg mendjes së mbështetësve të Erdoganit, të cilët flisnin për krenarinë e tyre për pozicionin e tij të fuqishëm në botë dhe linjën e tij të ashpër në luftën kundër “terroristëve”, me të cilën ata nënkuptonin militantët kurdë.
Por, presidenti pranoi se trajtimi i inflacionit ishte çështja më urgjente e Turqisë.
Erdogan tha se ndër prioritetet kryesore të qeverisë, do të ishte lufta kundër inflacionit dhe shërimi i plagëve nga tërmeti katastrofik i 6 shkurtit, i cili mori më shumë se 50,000 jetë në Turqi dhe Sirinë fqinje.
Problemi qëndron nëse ai është i përgatitur të marrë masat e nevojshme për ta bërë këtë. Me një normë vjetore prej gati 44%, inflacioni depërton në jetën e të gjithëve.
Kostoja e ushqimit, qirasë dhe mallrave të tjera të përditshme është rritur, e përkeqësuar nga refuzimi i Erdoganit, për të rritur normat e interesit. Presidenti u zotua të dyfishojë politikat e tij ekonomike, duke argumentuar se normat e interesit dhe inflacioni ishin “të ndërlidhura pozitivisht”.
Lira turke ka arritur nivele të ulëta rekord ndaj dollarit dhe banka qendrore, ka luftuar për të përmbushur kërkesën në rritje për valutë të huaj.
“Nëse vazhdojnë me norma të ulëta interesi, siç ka sinjalizuar Erdogan, e vetmja mundësi tjetër është kontrolli më i rreptë i kapitalit,” paralajmëron Selva Demiralp, profesoreshë e ekonomisë në universitetin Koc në Stamboll.
Duke folur në selinë e partisë së tij në kryeqytetin Ankara, Kilicdaroglu tha se do të vazhdojë të luftojë derisa të ketë “demokraci të vërtetë” në Turqi.
“Kjo ishte periudha më e padrejtë e zgjedhjeve në historinë tonë… Ne nuk u përkulëm para frikës,” tha ai. “Në këto zgjedhje, u bë i qartë vullneti i popullit për të ndryshuar një qeveri autoritare, pavarësisht të gjitha presioneve.”
Kilicdaroglu tha se ajo që “me të vërtetë më trishton, janë ditët e vështira që vijnë për vendin tonë”.
Udhëheqësit e huaj, përfshirë ata të Rusisë, Katarit, Libisë, Algjerisë, Hungarisë, Iranit dhe Autoritetit Palestinez ishin ndër të parët, që uruan Erdoganin.
Në komentet e publikuara në faqen e internetit të Kremlinit, presidenti rus Vladimir Putin tha se zgjedhjet dhanë “prova të qarta të mbështetjes së popullit turk” për përpjekjet e Erdoganit “për të forcuar sovranitetin shtetëror dhe për të ndjekur një politikë të jashtme të pavarur”.
Presidenti i SHBA Joe Biden e uroi gjithashtu Erdoganin, duke postuar në Twitter se ai priste të punonte së bashku “si aleatë të NATO-s” për “çështjet dypalëshe dhe sfidat e përbashkëta globale”.
Fitorja e Erdoganit ndaj Kilicdaroglu, burokratit 74-vjeçar dhe udhëheqës i CHP-së me prirje të majtë, e lë Turqinë një komb thellësisht të ndarë.
Në raundin e parë të votimit më 14 maj, Erdogan siguroi një epërsi prej gati pesë pikësh ndaj Kilicdaroglu, por nuk arriti pragun 50%, i cili nevojitej për të fituar.
Blloku parlamentar i presidentit fitoi shumicën e vendeve në garën parlamentare në të njëjtën ditë.
Autoritetet zgjedhore thanë se votimi u krye “pa asnjë problem”.
Javën e kaluar, kandidati i vendit të tretë Sinan Ogan, i cili fitoi 5% të votave në raundin e parë, mbështeti publikisht Erdoganin, duke rritur më tej shanset e liderit të fortë, për të fituar raundin e dytë dhe të fundit presidencial të së dielës.
Shumë sondazhe kishin parashikuar gabimisht se Kilicdaroglu do të kryesonte në zgjedhjet e 14 majit, të cilat panë një pjesëmarrje të lartë prej gati 90%, në të gjithë vendin.
Gjashtë grupe opozitare kishin formuar një bllok të paprecedentë të unifikuar pas Kilicdaroglu, në përpjekje për t’i hequr pushtetin Erdoganit.
Erdogan gjithashtu e cilësoi marrëdhënien e tij me presidentin rus Putin si “të veçantë” dhe tha se do të vazhdojë të pengojë hyrjen e Suedisë në NATO, pavarësisht kritikave perëndimore se ai po pengonte një front të unifikuar, kundër pushtimit të Ukrainës nga Moska.
Erdogan, i cili kontrollon ushtrinë e dytë më të madhe në NATO, akuzoi Suedinë për strehimin e grupeve terroriste kurde dhe ka kushtëzuar pranimin e Stokholmit, me ekstradimin e individëve të kërkuar. Suedia ka refuzuar kërkesat e përsëritura të Turqisë për të ekstraduar individë, që Ankaraja i përshkruan si terroristë, duke argumentuar se çështja mund të vendoset vetëm nga gjykatat suedeze.
Kryeministri i Suedisë Ulf Kristersson, e përgëzoi Erdoganin për fitoren e tij. “Siguria jonë e përbashkët është një prioritet i së ardhmes”, shkroi ai në Tëitter.
Që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, presidenti i Turqisë është shfaqur si një ndërmjetës kryesor i pushtetit, duke miratuar një akt vendimtar balancues midis dy palëve, i njohur gjerësisht si “neutraliteti pro-ukrainas”.
Ai ndihmoi ndërmjetësimin e një marrëveshjeje kyçe, të njohur si Iniciativa e Korridorit të Drithërave të Detit të Zi, që zhbllokoi miliona tonë grurë të kapur në pushtimin e Ukrainës nga Rusia, duke shmangur një krizë globale urie. Marrëveshja u zgjat edhe për dy muaj të mërkurën e kaluar, një ditë para se të skadonte.
Në një deklaratë në Twitter, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përgëzoi Erdoganin për fitoren e tij.
“Ne mendojmë për forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik për të mirën e vendeve tona, si dhe në forcimin e bashkëpunimit për sigurinë dhe stabilitetin e Europës”, tha Zelensky. / BBC, CNN