Të paktën 35% e primeve në tregun e sigurimeve në vend realizohen në euro, ndërkohë që prania e valutës edhe në tregjet e kapitalit është evidente. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare publikoi analizën e kryer nga dy departamente të saj, ai për Tregun e Sigurimeve dhe ai për Kapitalet duke bërë edhe një vlerësim për prezencën e valutave në të dyja këto tregje.
Kjo analizë vjen pas një memorandumi të përbashkët me Bankën e Shqipërisë dhe Ministrinë për Financat dhe Ekonominë “Për zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare”. Në raportin e saj, AMF vëren se ende përdorimi i euros është i ulët, por në segmente të caktuara mund të ketë nevojë për ndërhyrje.
“Autoriteti do të monitorojë zhvillimet në këto tregje dhe më konkretisht do të fokusohet në drejtim të: a) Ndërgjegjësimit të emetuesve private të titujve për rreziqet që shoqërojnë huamarrjen në valutë në një kohë që të ardhurat kryesore të veprimtarisë janë në monedhën Lek. b) Rritjen e transparencës për produktet që iu ofrohen investitorëve, veçanërisht në drejtim të evidentimit dhe kuptimit sa më të qartë të rrezikut (të drejtpërdrejtë ose të tërthortë) të kursit të këmbimit. Autoriteti gjykon që fenomeni i euroizimit në sistemin financiar reflekton shkallën e përdorimit të valutave në veprimet e agjentëve ekonomikë dhe vlerëson nevojën për adresimin e kësaj çështje, në drejtim të rritjes së transparencës ndaj investitorëve”, – thuhet në dokumentin e AMF
Tregu i sigurimeve
AMF ka analizuar në raportin e saj tregun e sigurimeve sipas gjendjes së tij deri në fund të shtatorit 2017. “Primet e shkruara bruto rezultojnë për të gjithë aktivitetin e tregut të sigurimeve Jo-jetë dhe Jetë në rreth 12 miliardë lekë. Rreth 35% e këtyre primeve janë realizuar në monedhën Euro. Sipas llojit të sigurimeve, aktiviteti i sigurimit të Jetës rezulton me nivel më të lartë të euroizimit me rreth 40% të primeve të shkruara në Euro kundrejt totalit. Aktiviteti i sigurimit të Jo-Jetës, i cili dikton dhe ecurinë e tregut në total në nivel primesh, paraqet rreth 35% të primeve të shkruara në Euro kundrejt totalit”, – thuhet në raportin e AMF.
Lista e produkteve që ofrohen nga kompanitë e sigurimit vetëm në euro ka ardhur në rritje ku, përveç produkteve të kartonit jeshil dhe sigurimit kufitar, ka edhe disa nga produktet vullnetare siç janë produktet vullnetare të Aksidenteve dhe Shëndetit, Jeta dhe shëndeti në udhëtim, sigurimi i jetës së studentëve, si dhe jeta e depozitorit.
Edhe produktet e sigurimit të mallit në transport apo sigurimet inxhinierike paraqesin një nivel të lartë euroizimi për shkak të interesit të siguruar nga këto kontrata, i cili vlerësohet kryesisht në Euro, në rastet e import-eksporteve, dhe sigurimeve inxhinierike që përfshijnë vepra madhore të infrastrukturës përfshirë ato me shoqëri ndërkombëtare.
Tregu i kapitaleve
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka marrë në analizë edhe tregun shqiptar të Kapitaleve, i mbizotëruar nga titujt e borxhit të qeverisë që janË kryesisht në lek, karakterizohet nga një shkallë tepër e ulët e euroizimit.
“Pjesëmarrësit kryesorë në këtë treg përdorin kryesisht monedhën vendase. Megjithatë ka edhe emetues privatë të titujve që kanë kryer emetime në valutë. Autoriteti do të monitorojë këtë treg, për të vlerësuar ecurinë e treguesve dhe nevojën për masa specifike”, – thuhet në raport.
Tregu i Fondeve të Investimit dhe të Pensioneve
“Në tregun e fondeve të investimit operojnë tre fonde, nga të cilët dy kryejnë veprimtarinë në monedhën vendase Lek dhe një në monedhën Euro. Fondi Raiffeisen Invest Euro, kryen të gjithë aktivitetin e tij në monedhën Euro, duke nisur që nga mbledhja e kontributeve të anëtarëve, investimet e aseteve të fondit, tarifa e administrimit si dhe shlyerjet ndaj investitorëve.
Asetet e fondit në Euro janë 111 mln euro dhe zënë rreth 20.4% të totalit të aseteve të tregut.
Edhe detyrimet e këtij fondi, të cilat përfaqësojnë detyrimin ndaj shoqërisë administruese për tarifën e administrimit dhe detyrime për pagesat ndaj kuota mbajtësit, mbahen përsëri në monedhën Euro dhe zënë rreth 16% të detyrimeve të tregut. Dy fondet e tjera të investimit të cilat operojnë në monedhën Lek nuk kanë investime në monedhën Euro dhe të gjithë asetet dhe detyrimet mbahen në monedhën vendase Lek”, – vlerëson AMF
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.