Europa Qendrore përgatitet për turbullirat ekonomike

29/06/2020 5:10 PM 0 komente

Qeveritë e Europës Qendrore ishin ndër të parat që imponuan karantina dhe ndër kombet që kanë lehtësuar të parat masat kufizuese të koronavirusit. Por edhe pse duket se kanë shpëtuar nga numri i lartë i vdekjeve nga pandemia, ato kanë të ngjarë të goditen më shumë se fqinjët e tyre nga pasojat ekonomike të virusit, paralajmërojnë ekonomistët.

E çliruar nga numri i ulët i infeksioneve dhe nga vdekjet e pakta – p.sh. Sllovakia regjistroi vetëm 1,513 raste të konfirmuara dhe 28 vdekje – europianët qendrorë po përgatiten për kohë të turbullta ekonomike. Ekonomistët paralajmërojnë një recesion në mbarë rajonin, po aq keq sa trazirat ekonomike pas rënies së komunizmit dhe kalimit në kapitalizëm.

“Shifrat e prodhimit tregojnë se rënia ekonomike është përshkallëzuar në Europën Qendrore”, paralajmëron investitorët banka franceze BNP Paribas. “Kjo rënie është tani më e fortë në Hungari, Rumani dhe Sllovaki sesa mesatarja e Bashkimit Europian”, tha banka.

BNP Paribas parashikon rënie të mprehta në vitin 2020 për të gjitha shtetet e Europës Qendrore, ku Sllovakia ka të ngjarë të pësojë një ulje prej 6% të PBB-së së saj dhe Hungaria më shumë se 5%.

“Humbja e eksporteve është tashmë më e fortë në disa prej tyre në krahasim me humbjen mesatare të eksporteve në BE”, veçanërisht në sektorin e automjeteve, tha BNP.

Parashikimet e tjera për Europën Qendrore janë edhe më të zymta.

Shumë do të varet nga fakti se sa shpejt do të rimëkëmbet Europa Perëndimore, motori ekonomik i Eurozonës – dhe gjithashtu nëse mund të shmanget një valë e dytë infeksioni. Si fqinjët e tyre perëndimorë, edhe shtetet qendrore dhe juglindore i kanë hapur kufijtë.

Të gjitha shtetet duket se e kanë kaluar kulmin e infeksionit të koronavirusit – me përjashtim të Polonisë, sipas një vlerësimi të rrezikut të publikuar javën e kaluar nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), një agjenci e pavarur e Bashkimit Europian.

Të frikësuar pasi koronavirusi filloi të shfaqej në Europë, shtetet e Europës Qendrore vendosën kufizime shpejt, duke qenë të vetëdijshëm se zotëronin sisteme më të brishta të kujdesit shëndetësor, të cilat do të mbingarkoheshin lehtë nëse spitalet e tyre do të përjetonin një fluks të lartë pacientësh.

Por Polonia ka qenë një përjashtim, duke raportuar një numër më të madh infeksionesh sesa fqinjët e saj, të cilat arritën në 30.195 të martën, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Poloni, tani është 1,272. Rajoni i minierave në Silesia në Poloni, ka qenë pika më e nxehtë e pandemisë së koronavirusit në vend për muaj me radhë, duke regjistruar gati gjysmën e infeksioneve të reja.

Megjithatë, Polonia gjithashtu po i heq kufizimet, për të shmangur më tepër dëme ekonomike.

Ekonomitë e Europës Qendrore janë të varura nga eksporti. Më shumë se 80% e PBB-së së Hungarisë vjen nga eksportet e mallrave dhe shërbimeve, kryesisht në Europën Perëndimore, dhe 96% në rastin e Sllovakisë.

Nga marsi deri në prill, Eurozona në tërësi pati një rënie prej 30% të aktivitetit ekonomik në krahasim me një vit më parë. Dhe kjo ishte në fazat e para të izolimit. Shifra e tremujorit të dytë, që do të zbulohet në fillim të muajit të ardhshëm, ka të ngjarë të jetë edhe më e keqe.

Komisioni Europian parashikon se këtë vit, ekonomia e Bashkimit Europian do të kontraktohet me 7.5%. Banka e investimeve Morgan Stanley është edhe më pesimiste, duke parashikuar një tkurrje prej 11%.

Edhe para përhapjes së pandemisë, vendet e Europës Qendrore kishin frikë se viti 2020 do të sillte probleme ekonomike. Vjeshtën e kaluar, Gjermania – partneri më i madh tregtar për pjesën më të madhe të Europës Qendrore – filloi të rrëshqasë drejt recesionit.

“Recensioni COVID-19 ka të ngjarë të jetë më i thelli për ekonomitë e përparuara që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe kontraktimi i parë i prodhimit në ekonomitë në zhvillim në të paktën gjashtë dekadat e fundit”, thotë Ayhan Kose, një drejtor në Bankën Botërore.

Nga të gjitha ekonomitë në rajon, Banka Botërore pret që Kroacia do të preket më së shumti, me një tkurrje të parashikuar prej 9.3% në vitin 2020, për shkak të rënies së turizmit, i cili përbën gati një të katërtën e PBB-së së saj.

Industria automobilistike e Hungarisë, një sektor kryesor industrial për vendin, u kontraktua me 80% në prill për shkak të mbylljeve të qendrave kryesore të prodhimit. Dhe bankat në rajon po përjetojnë një nga vitet e tyre më të këqija që nga rënia financiare e vitit 2008, sipas një raporti të ri nga Banka Europiane e Investimeve (BEI).

Peter Virovacz, një ekonomist në Hungari për grupin bankar holandez ING, shqetësohet se rëniet ekonomike mund të “çojnë në një depresion më të thellë financiar dhe ekonomik”.

Shumë ekonomi në rajon ka të ngjarë të luftojnë për të tërhequr Investime të Huaja Direkte, dhe qeveritë do ta kenë të vështirë të huazojnë në tregjet e bonove për të ndihmuar stimulimin e ekonomive të tyre, veçanërisht në kushtet e rënies së eksportit. Vendet jashtë Eurozonës tashmë po shohin që monedhat e tyre po dobësohen, duke kontribuar në kosto më të larta të huamarrjes, thonë ekonomistët.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of