Dokumenti shtatë faqesh nga shefat e Bashkimit Europian sjell një gamë të gjerë idesh për të afruar më shumë 17 ekonomitë e eurozonës, në një përpjekje për të parandaluar një përsëritje të krizës binjake të financave të qeverisë dhe atyre bankare, të cilat kanë hedhur dyshime mbi mbijetesën e ekonomisë së përbashkët.
Shefat propozuan që një mbikëqyrës i fuqishëm europian duket të mbikëqyrë bankat e rajonit dhe se deficitet buxhetore duhet të para-aprovohen nga pjesa tjetër e bllokut. Do të jetë i nevojshëm një kontroll i rreptë mbi shpenzimet kombëtare, në mënyrë që të shkohet drejt një mbledhjeje të borxhit të shteteve të eurozonës. Mbledhja e borxhit për të gjitha zonat e euros do të ulte kostot e fondeve për shtetet e dobëta. Një ide është që të emetohen obligacione të përbashkëta për të bërë të mundur ripagesën e borxheve dhe të reduktohen gradualisht borxhet që i kalojnë 60% të prodhimit ekonomik.
Raporti, pavarësisht mangësive që mund të ketë, përfaqëson planin zyrtar më konkret drejt lidhjeve më të forta ekonomike të bllokut.
Disa nga propozimet—si emetimi i obligacioneve të përbashkëta dhe fuqitë e vetos mbi buxhetet kombëtare—kanë tërhequr vëmendjen e shumë qeverive. Në rast se të gjithë liderët e 27 vendeve, ose të paktën ata që bëjnë pjesë në eurozonë pranojnë parimet bazë të raportit në samitin që është programuar për të enjten dhe të premten, vendimi mund të nxjerrë bashkimin e monedhave nga një periudhë e gjatë debatesh.
Propozimet nuk shihen si një përgjigje ndaj krizës aktuale të bllokut; përkundrazi, thotë raporti, ato do të zbatohen gjatë dekadës së ardhshme. Kjo e lë përgjithësisht të pandryshuar strategjinë në krizën aktuale—një përpjekje për të ulur shpenzimet qeveritare dhe prmirësimin e tregut të punës dhe të produkteve, së bashku me ndihmën nga fondet shpëtuese të eurozonës. Shqetësimi është se burimet e këtyre fondeve janë të vogla në krahasim me madhësinë e borxheve të Italisë dhe Spanjës, ekonomitë e mëdha që tani janë zhytur në krizë. /WSJ