FMN: Rritja ekonomike duhet të frenojë emigracionin, kujdes me PPP dhe detyrimet e prapambetura

20/11/2018 5:23 PM 0 komente

Ekonomia e Shqipërisë ka prirje rritëse, por në të njëjtën kohë mbetet ende shumë për të bërë që ajo të jetë më e qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe sidomos amortizuese për emigracionin, tha sot përfaqësuesi i misionit të FMN-së në vendin tonë në një konferencë të përbashkët për median bashkë me Ministrin e Financave. Ai tha se qeveria shqiptare duhet të zbatojë reforma strukturorë në mënyrë që të dekurajojë emigracionin e lartë. Reforma të tilla ai renditi, përmirësimin e klimës së biznesit, reformat në shtetin ligjor dhe luftën ndaj korrupsionit.

“Parashikojmë rritje ekonomike 4% këtë vit dhe 3.7% vitin e ardhshëm. Ndërsa në periudhë afatmesme shkalla e rritjes do të jetë 4% e mbështetur nga rritja e eksporteve dhe investimeve në infrastrukturë dhe turizmit” tha përfaqësuesi i Misionit të FMN-së.

Ai tha se rreziqet ndaj ekonomisë shqiptare vlerësohen në rënie. Shqipëria është ekspozuar nga rreziqet me vendet partnere në Europë, dobësitë e të cilave do të ndikonin negativisht në investimet e huaja, të ardhurat nga emigrantet dhe eksportet.

Ndërsa në rrafshin fiskal FMN sugjeroi se konsolidimi fiskal duhet përshpejtuar. “Nevojitet ulja e deficitit fiskal. Ne projektojmë se në mungesë të masave fiskale shtesë deficiti fiskal do të jetë jo më pak se 2% e PBB-së. Reduktimi i borxhit publik  do të jetë më i ngadaltë se pritjet tona” tha eksperti i Fondit.

Për të arritur 60 % të PBB-së, siç pretendojnë autoritet shqiptare, deri më 2021 duhen korrigjime të mëtejshme fiskale, sugjeroi eksperti i huaj, i cili la të kuptojë se nëse të ardhurat nuk rriten e shumë se ritmet aktuale dhe në rast se nuk ka rritje taksash ky objektiv që qeveria shqiptare i ka vënë vetes vështirë të realizohet.

Ai tha se, duke pasur parasysh mungesën e hapësirave fiskale autoritet duhet të anulojnë përjashtimet fiskale dhe të mos aplikojnë të reja.

Eksperti FMN tha se, rritja e shpejtë e PPP-ve kërkon përmirësime shtesë në të gjitha nivelet e qeverisjes, ndërsa kërkoi që rritja e detyrimeve të prapambetura duhet të trajtohet pa vonesë.

Reformat e planifikuara për ta bërë sektorin energjetik më të qëndrueshëm nga ana financiare duhet të vijojnë shtoi ai më tej.

FMN vlerësoi se, politika monetare u zbeh nga mungesa e politikave strukturore. Ulja e këtyre pengesave do të ndihmonte kreditimin. “Autoritet monetare kanë ndërhyrë në kursin e këmbimit, por ne i nxisim ato që më kohë këto ndërhyrje të zbehen”.

“Bankat nga vendet jo BE po rriten, ndaj Banka e Shqipërisë duhet të forcojë më tej rregulloret e mbikëqyrjes pasi ka ende disa elementë shqetësues. Kreditë më probleme duhet të ulen me tej dhe strategjia e deurozimit duhet të zbatohet” tha eksperti i FMN-së.

Ministri i Financave Arben Ahmetaj tha se qeveria shqiptare vitin tjetër parashikon rritje ekonomike më të lartë se FMN në nivelin 4.3 %, ose 0.6% më shumë se Fondi.

Ai tha se Investimet e huaja direkte do të jenë më shumë se 1 miliardë euro këtë vit, duke kaluar edhe pritjet fillestare.

Ministria rritja ekonomike dhe punësimi do të mbështeten nga një nivel i lartë të investimeve publike në 5% të PBB-së.

Deficiti buxhetor parashikohet 1.9 e PBB-së më 2019, ndërsa për të katërtin vit radhazi bilanci primar do të jetë pozitiv.

Borxhi publik pritet të bjerë në 64.9 % të PBB-së  më 2019 nga 66.9  që është aktualisht.

Ministri tha se vitin që vjen detyrimet e prapambetura do të jenë të papërfillshme.

Skema e investimeve me partneritet Publik Privat pa HEC-et nuk është më shumë se 8% e PBB-së dhe nuk do të kalojnë nivelin 5 % për qind te të ardhurave buxhetore vjetore.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of