Në Forumin Ekonomik Botëror që u mbajt në Baku të Azerbajxhanit, ku morrën pjesë 74 vende, kryeministri Berisha bëri një përmbledhje të ecurisë së ekonomisë shqiptare dhe ftoi investitorët e huaj të zgjedhin Shqipërinë, pasi pavarësisht vështirësive serioze si pasojë e krizës të dy partnerëve tregtar, kryesorë, Italisë dhe Greqisë, rritja më e ulët që regjistroi ishte vitin e kaluar, prej 2%. “Ne bëmë gjithçka për të përmirësuar klimën e biznesit. Falë anëtarësimit në NATO dhe përpjekjeve tona të mëdha për një klimë më të mirë biznesi, investimet e huaja direkte u rritën 340% vitin e kaluar, eksportet në dy vjet u dyfishuan. Por vendi ynë ende përballet me kufizime të mëdha. Sistemi ynë bankar është pothuajse nga zona euro dhe ato nuk investojnë në bazë të rregullave të bankave të tyre mëma. Është prioritet i lartë i ynë për të diversifikuar sistemin tonë bankar” tha kryeministri.
Përpara të pranishmëve ai tha se në Shqipëri ka potenciale shumë të mëdha natyrore. “Ne jemi një vend plot me ujëra. Nuk kemi lumenj të mëdhenj, por lumenj që vijnë nga male të larta. Po ndodh një garë e fuqishme për ndërtimin e hidrocentraleve, falë një ligji shumë të mirë të votuar në vitin 2007. Nga ky vit deri më tani kemi nënshkruar me sektorin privat për ndërtimin e 360 hidrocentraleve. Kompani botërore nga Norvegjia, Gjermania, Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Izraeli dhe nga e gjithë bota po ndërtojnë hidrocentrale në vendin tim. Investitorët tuaj janë mëse të mirëpritur. Shqipëria ka potenciale shumë të mëdha në ujëra për të shfrytëzuar dhe ky proces po vazhdon” tha kryeministri.
Kryeministri promovoi edhe malet shqiptare , si një burim i pasur për turizmin. “Kushdo që investon në malet tona, për shtatë vjet do t’i ketë taksat zero. Shqipëria është shumë e pasur në trashëgimi kulturore. Kur shkëlqesia juaj, Kryeministri i Mongolisë do të vizitojë Shqipërinë do t’ju tregoj disa gjurmë të fqinjëve tanë. Të gjitha perandoritë erdhën dhe lanë civilizimet e tyre. Kushdo që viziton vendin tim kënaqet dhe pasurohet, kur ai ose ajo largohet nga vendi” tha Berisha.
Ai tha se nga kjo krizë vendi duhet të ka nxjerr disa mësime. “Ne duhet të fokusohemi dhe të përdorim gjithë potencialin për prodhimin e mallrave. Skema jonë po funksionon me modesti dhe do të punojë më mirë në të ardhmen”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.